Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rritja e çmimit të energjisë elektrike deri në 135% në Bonjë Hercegovinë...

Rritja e çmimit të energjisë elektrike deri në 135% në Bonjë Hercegovinë e Serbi

Kompanitë në Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi, kanë marrë njoftim nga furnizuesit e tyre se çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri në 70-135 për qind.

Nëse çmimet e reja bëhen realitet, kompanitë duhet të ulin prodhimin, të pushojnë punëtorët nga puna dhe të rrisin çmimin e mallrave dhe shërbimeve që shesin në treg.

Rritja marramendëse e çmimeve të energjisë elektrike muajt e fundit ka përfshirë të gjithë Europën, dhe arsyet kryesore janë çmimet e emetimeve të CO2 dhe gazit natyror. Çmimet aktuale të energjisë variojnë nga 90 deri në 200 euro për MWh. Në Serbi, çmimi është rritur me gati 80% që nga fillimi i vitit.

Kompanitë në rajon ndjenë goditjen e parë në qershor, por rritja e çmimit të energjisë vazhdoi. Në Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi, furnizuesit kryesorë janë ndërmarrjet shtetërore Elektroprivreda BiH (EPBiH) dhe Elektroprivreda Srbije (EPS).

Në një intervistë për Balkan Green Energy News, në gusht, kur rritja vjetore e çmimeve ishte rreth 60%, Dejan Stojčevski, shefi operativ i kompanisë serbe të energjisë SEEPEX, paralajmëroi se bizneset që blejnë energji elektrike në tregun e lirë kanë arsye për t’u shqetësuar.

“Konsumatorët që kanë marrëveshje afatgjata për këtë vit dhe vitin e ardhshëm nuk do të preken nga rritja e çmimit, por ata që blejnë energji elektrike përmes kontratave afatshkurtra, dhe në gjysmën e dytë të vitit për vitin pasardhës, do të përballen me probleme. Ata konsumatorë që lidhën marrëveshje për vitin e ardhshëm në mars ose në prill të këtij viti, nuk preken sepse çmimi në atë kohë ishte rreth 60 euro,” tha Stojčevski.

Pyetja tani është se si ose nëse qeveritë do të reagojnë. Në Spanjë është vendosur tashmë një taksë për të siguruar fonde për të ndihmuar konsumatorët. Bullgaria ka propozuar masa për kompanitë, ndërsa një plan i ngjashëm është në proces në Rumani.

Situata është e ngjashme në Serbi. Sipas faqes së internetit të lajmeve N1, përfaqësuesit e kompanive në qytetin Kragujevac dërguan një letër të hapur duke paralajmëruar se ndërmarrja e energjisë Elektroprivreda Srbije (EPS) i informoi ata se që nga 1 tetori, çmimet e tyre do të ishin 135% më të larta. Nëse kjo bëhet realitet, kompanitë duhet të zvogëlojnë prodhimin, të pushojnë punonjësit dhe madje të mbyllen.

Për shembull, EPS i informoi prodhuesin e grilave plastike Alfa Plast se do të rriste çmimin për kontratën e ardhshme 12-mujore nga 59 EUR për MWh në 123 EUR për MWh, për shkak të shqetësimeve në tregun e energjisë elektrike.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se një nga pronarët e një fabrike çimentoje në Serbi i tha se nëse çmimet e energjisë elektrike mbeten kaq të larta, ata do të duhet të rrisin çmimin e çimentos me 25%, raportoi televizioni Pink.

Vučić tha se ai bisedoi mbi këtë çështje me ministrin e energjisë Zoran Mihajlovi dhe kryeministren Ana Brnabić.

“Ne do të formojmë një grup të madh pune në nivel shtetëror për të zgjidhur këtë problem,” shtoi Vuçiç. /monitor

Exit mobile version