Rritja e çmimeve të karburanteve, ’rëndon’ konsumatorët europianë

Disa qeveri europiane po ndërhyjnë për të lehtësuar qytetarët e tyre

Çmimet e karburanteve po shqetësojnë gjithnjë e më shumë qytetarët europianë.

Pavarësisht uljes së akcizës, çmimi i benzinës në Itali ka kapërcyer kufirin e çmimit prej 2 Eurosh për litër. Konsumatorët kanë filluar të humbasin shpresat se autoritetet do të vendosin një çmim tavan të paktën për verën.

Në Bosnje –Hercegovinë çmimi i naftës ka shkuar në 3.36 Marka boshnjake, e barabartë me një Dollar e 80 cent për litër.

Në Gjermani, çmimet aktuale të karburantit po zemërojnë shumë shoferë. Ndërkohë politikanët po përpiqen pothuajse në mënyrë të dëshpëruar të pengojnë korporatat që të fitojnë në mënyrë drastike nga rritjet e çmimeve.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) parashikon që kërkesa globale për naftë do të tejkalojë për herë të parë nivelet para pandemisë së Covid-it.

Kostot e energjisë janë një faktor kyç në shfaqjen e shifrave të larta të inflacionit në shumë vende europiane pasi çmimet për të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur.

Shumë analistë kanë fajësuar luftën në Ukrainë si shkaktarin më të fundit në rritjen e çmimeve, por çmimet ishin në rritje edhe përpara luftës. /klannews