Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka javë që ka paralajmëruar se çmimi i bukës dhe miellit në Kosovë do të ngritet. Kjo sipas tyre ndodhë për shkak të rritjes së çmimit të miellit në tregjet botërore e ndikuar nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë.
E për qytetarët e Kosovës kjo rritje e çmimeve po është vështirë e përballueshme.
Qytetarja Sevdije Mehaj thotë për Telegrafin se rritja e çmimit të miellit dhe produkteve të tjera është një goditje ekonomike për familjen e saj.
“Kjo rritje e çmimeve të artikujve të domosdoshëm jetësorë besoni është një goditje e rëndë sidomos për shtresat e varfra por edhe për ato shtresa të cilat nuk jetojnë në varfëri të skajshme por normalisht që i godet edhe shtresat e mesme të shoqërisë.
Kjo sepse nëse e marrim parasysh pagën mesatare e mos të flasim për atë minimale, është një goditje për familjet kosovare.
Xhepi im ose buxheti im familjarë thënë më mirë do ta përballojë jo edhe me aq lehtësi sepse nuk bëhet fjalë vetëm për shtrenjtimin e këtyre dy artikujve të miellit dhe të bukës, por ka rritje të çmimeve në çdo lloj artikulli”, tha Mehaj.
E qytetari Salih Canolli vlerëson se është Qeveria ajo që duhet të kujdeset për qytetarin dhe po ashtu tha se pas shtrenjtimit të çmimeve ai e ka zvogëluar konsumin dhe nuk bënë shpenzime në ushqime si më herët.
“E kemi Qeverinë e cila duhet të kujdeset për ne. Sigurisht që do të jetë e vështirë sepse paga nuk ka, para nuk ka. Normal që e kemi zvogëluar konsumin sepse gjërat që i kemi blerë më herët tani nuk po i blejmë më”, tregoi Canolli.
Sipas Driton Ajetit rritja e çmimit të miellit në Kosovë do të thotë rritje e shpenzimeve për qytetarët.
“Rritja e çmimit të bukës dhe të miellit në Kosovë do të thotë rritje e shpenzimeve, më shumë pengesa për qytetarët e thjeshtë. Personalisht për mua do të jetë ndoshta e papërballueshme por e di që për shumë qytetarë të tjerë do të jetë shumë problem”, vlerëson Ajeti.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci në konferencën e mbajtur për medie gjatë ditës së mërkurë ka deklaruar se do t’i subvencionojnë bujqit me 500 euro për një hektarë të mbjellë me grurë, duke përfshirë këtu edhe subvencionimin e naftës për ta.
“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq karshi rritjeve të çmimit të produkteve. Përkrahja do të jetë për drithëra, patate, fasule e të tjera. Kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro. Do të subvencionojmë bujqit dhe fermerët”, ka deklaruar Peci.