Rritet shqetësimi për mbyllje të shkollave pas rezultimit me COVID-19 të mësuesve e nxënësve

Dy javë pasi ka filluar viti shkollor, në disa shkolla të Kosovës janë shfaqur raste me Covid-19.

Nxënësit e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë nga sot për dy javë me radhë mësimin do ta vazhdojnë nga distanca për shkak se në këtë shkollë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 4 mësimdhënës.

Edhe në shkollën “Hasan Prishtina” një nxënës ka dalë pozitiv, me ç’rast i gjithë grupi i tij për dy javë mësimin do ta vazhdojë nga distanca, kurse klasat e tjera do ta vijojnë mësimin në shkollë, raporton KOHA.

Raste pozitive kanë dalë edhe në shkollat “Mitrush Kuteli”, në lagjen “Mati”, në kryeqytet, dhe “Nexhmi Mustafa” në fshatin Besi, por shkollat nuk janë mbyllur veçse janë izoluar rastet.

Mësimdhënës, prindër e nxënës shprehen të shqetësuar se hapja e shkollave ka shtuar rrezikun e infektimit me virus dhe bartjen nëpër familjet e tyre.

“Ne po mundohemi me u ruajt me mbajt distancë, maska. Shpresoj t’ia dalim. E kemi dizenfektuesin, por nganjëherë nuk i dihet”, ka thënë Zeqavete Veliu, mësimdhënëse në shkollën “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Të shqetësuar janë edhe prindërit.

“I kam tre fëmijë, normal që frikësohemi, por shpresoj të kalojmë mirë”, ka thënë Fitore Mjekiqi, prind.

Të shqetësuar janë shprehur edhe nxënësit. Ata druajnë se në rast të shpeshtimit të rasteve me koronavirus, do të mbyllen shkollat.

KOHA ka kërkuar informacione nga Ministria e Arsimit se sa raste me Covid janë paraqitur në shkollat e Kosovës që nga fillimi i vitit shkollor, por nuk ka marrë përgjigje. Për shkak se disa nxënës dhe mësimdhënës dolën pozitivë, javën e kaluar është mbyllur edhe një shkollë në Vushtrri, derisa mësimin po e zhvillojnë nga distanca.

Në Kosovë viti shkollor ka nisur më 14 shtator, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar, duke mbajtur maska, duke dezinfektuar duart e ruajtur distancën.