Nga viti në vit vërehet rritje e rasteve të prekura nga kanceri. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i rasteve të reja me kancer është rritur në vitin 2023, krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2023 janë regjistruar mbi 1 mijë raste të reja me kancer, më shumë se sa një vit më parë.
Sipas të dhënave të ASK-së gjatë vitit 2022 ishin gjithsej 3110 raste të reja të prekura nga kanceri. Ndërkaq në vitin 2023 janë gjithsej 4 mijë e 165 raste të reja me kancer. Nga këto raste 2 085 të rasteve janë femra dhe 2 080 meshkuj.
“Nëse shikohet në përgjithësi niveli i vizitave në Institucionet shëndetësore, e kryesisht atyre parandaluese është rritur, nëse shikojmë numrin e të gjitha vizitave në të gjitha nivelet e vizitave qofshin ato në shëndetin primar, sekundar apo edhe në atë terciar. Tek të prekurit me kancer vërehet një rritje e ndjeshme nga viti 2022 ku kishte 3110 raste të reja të prekura nga kanceri derisa në vitin 2023 kemi 4165 raste të reja”, thuhet në raportin e ASK-së.