Numri i vizitave në Qendrën e Mjekësisë Familjare po rritet.
Shërbime mjekësore po kërkojnë për shkak të gripit sezonal.
“Kohëve të fundit kemi pasur një numër të shtuar të pacientëve të cilët kanë pasur simptoma të përafërta – kollitje, temperaturë, shkuarje hundësh, dhimbje fyti, lodhje, plogështi, lodhje muskujsh që kanë të bëjnë me virozat, me atë që e quajmë grip dhe infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore”, ka thënë Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare në QKMF e Prishtinës
Megjithatë Ismajli ka një thirrje për pacientët.
“Të mos kërkojnë infuzione, të mos kërkojnë injeksione. Është një situatë e cila kalon shpejt edhe një terapi e zakonshme i bën që të ndjehen fare mirë. Me çaj, ujë, supë, me fruta të pastruara mirë i ndihmon që të krijoni imunitetin e vet që ta mundin këtë virus”, thotë ai.
E për parandalimin e virozëve gjatë sezonit të dimrit, mijëra njerëz janë vaksinuar.
“Janë diku rreth 65 mijë qytetarë të cilët e kanë marrë vaksinën kundër gripit sezonal, ka ende vaksina për zgjedhje dhe ajo që qytetarët duhet ta kenë parasysh se vaksina merret si mjet parandalues, jo për ta mjekuar gripin”, ka thënë Faik Hoti nga IKSHPK.
IKSHPK, poashtu rekomandon qytetarët të reduktojnë daljet në vendet me ajër të ndotur, sidomos personat me sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore, fëmijët dhe shtatzënat.