Ballina Lajmet Kosovë Rritet numri i lindjeve të parakohshme

Rritet numri i lindjeve të parakohshme

Ka shënuar rritje numri i foshnjave që kanë lindur para kohe dhe që kanë pasur nevojë për trajtim pas lindjes në Klinikën e Neonatologjisë, ka njoftuar të mërkurën Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Nga 1 janari deri më tani, sipas njoftimit, në këtë klinikë janë trajtuar 430 foshnje, numër në rritje krahasuar me vitet e tjera.

“Këto foshnja janë trajtuar për Asfiksioni Perinatal,( mungesë e oksigjenit para dhe pas lindjes), prematuritet( lindje para kohe), me komplikime, anomali të ndryshme kirurgjik, neonatale, anomali neurokirurgjike, e që trajtohen para dhe pas operimit të tyre, dhe infeksionet e ndryshme. Stafi i klinikës, me sukses po trajton edhe rastet e prematurëve (foshnjet e lindura para javës së 36, të shtatëzanisë ) deri tek prematurët me peshë ekstreme të lindjes, 500-999 gramë. Raste të tilla janë të predispozuar ndaj shumë komplikimeve për shkak të papjekurisë së gjithë sistemeve”, thuhet në njoftim.

Trajtimi po bëhet sipas protokolleve bashkëkohore, “duke filluar qe nga dhënia e kortikoideve nga ana e gjinekologë-obstetërve, deri te mbështetja respiratorë jo-invazive dhe invazive”.

“Një nga manifestimet e prematuritetit (lindjes para kohe), është edhe kriza e apnesë (ndërprerja e frymëmarrjes). Këto foshnje trajtohen me CPAP. Në të tilla raste ndihmon ampula caffeine citrate, por jo të gjithë rastet kane nevojë për këtë lloj trajtimi. Ne disa raste përveç caffeine citrate, përdoret ampula aminophylinë, si terapi alternative”, vijon njoftimi i tyre.

Foshnjat e lindura para kohe, prej javës 28 deri 33, që kanë manifestuar kriza të apnesë, kanë qenë 175.

Ndërsa foshnje të lindura prej javës 34 deri ne 36 kanë qenë 255, ku 50 prej tyre janë trajtuar me caffeine citrate ose ampula aminophylinë, sipas SHSKUK-së.

SHSKUK-ja ka thënë se ka siguruar të dy ampulat, “por për shkak të shpenzimit përtej planifikimit, caffeine citrate ka munguar disa ditë e që është zëvëndësuar si alternativë me ampulën aminophylinë”.

#shskuk
#lindje e parakohshme

Exit mobile version