Rritet në të paktën 93 numri i të vdekurve nga sulmi në sallën e koncerteve në Moskë

Komiteti Hetues i Rusisë ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga sulmi në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës është rritur në 93, transmeton Anadolu.

Organi hetimor tha se shifra me gjasë do të rritet pasi ekspertët vazhdojnë të mbledhin trupa, ndërkohë u njoftua se deri më tani rreth 145 janë plagosur.

Sipas komitetit, plagët me armë zjarri dhe helmimi nga produktet e djegies ishin shkaku më i zakonshëm i të vdekurve.

Mbrëmë vonë, persona të armatosur hapën zjarr derisa rock grupi Picnic përgatitej të performojë në sallën e koncerteve Crocus City në perëndim të Moskës.

Sipas agjencisë, terroristët përdorën lëng të djegshëm për t’i vënë zjarrin sallës, e cila u përhap shpejt në një sipërfaqe të madhe prej pothuajse 13 mijë metra katrorë. Sulmuesit kishin armë automatike.