Është rritur në 96 numri i të vdekurve nga tërmeti prej 8,1 ballësh i cili të premten goditi brigjet jugore të Meksikës, raporton Anadolu Agency (AA).
Guvernatori i shtetit Oaxaca, Alejandro Murat, ka theksuar se vetëm në shtetin e tij bilanci i të vdekurve është rritur në 76.
Ndërkaq, në shtetin Tabasco kanë humbur jetën katër persona, njoftuan zyrtarët.
Ndërkohë, Luis Manuel Garcia Moreno, drejtor i mbrojtjes civile në Chiapas, bëri të ditur se numri i viktimave në këtë shtet nga 15 është rritur në 16.
Po ashtu, Murat theksoi se 11 mijë shtëpi në Oaxaca janë dëmtuar ose janë rrënuar nga tërmeti, ndërsa njoftohet se kjo shifër ka arritur në pesë mijë në Chiapas.
Në qytetin më të prekur nga tërmeti, Jichitan, ushtria dhe policia federale kanë ndihmuar në rrënimin e ndërtesave të dëmtuara. Vullnetarë nga rajonet përreth ndihmuan në shpërndarjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti.
Ndryshe, një lëkundje pasuese sizmike prej 5,2 ballësh dje në orët e hershme goditi Juchitanin. Zyrtarët lokalë theksuan se rreth 800 lëkundje pasuese me intensitet të ndryshëm kanë ndodhur në bregdetin jugor të vendit pas tërmetit shkatërrues të së premtes.
Qendra Amerikane për Studime Gjeologjike tha se tërmeti prej 8,1 ballësh është regjistruar në thellësi prej 69,7 kilometrash me epiqendër 87 kilometra në jugperëmdnim të qytetit Pijijiapan, ndërkohë që presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto theksoi që intensiteti i tërmetit kishte qenë 8,2 ballë.