Zjarri në lokacionin turistik dimëror në provincën Bolu të Türkiyes ka lënë të paktën 76 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të lënduar, tha ministri i Brendshëm i vendit Ali Yerlikaya, duke njoftuar rritje të numrit të viktimave, raporton Anadolu.
Nga të lënduarit, 17 janë liruar nga spitali, ndërsa një mbetet në kujdes intensiv, tha po ashtu ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu.
Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale në zonën e restorantit të hotelit në lokacionin turistik Kartalkaya, duke përfshirë shpejt ndërtesën, sipas guvernatorit të provincës Bolu, Abdulaziz Aydın.
Ai u vu nën kontroll pas dhjetë orësh punë nga zjarrfikësit, thanë autoritetet për Anadolu, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të freskuar zonat e prekura.
Ekipet e emergjencës nga qytetet fqinje, duke përfshirë zjarrfikës, njësitë e reagimit ndaj fatkeqësive dhe ekipet mjekësore të mbështetura nga helikopterë, u dërguan në vendngjarje.
Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç tha se një hetim mbi incidentin është nisur nga një ekip prej gjashtë prokurorësh, së bashku me një komitet ekspertësh prej pesë anëtarësh.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se gjithsej nëntë persona janë arrestuar si pjesë e hetimit në vazhdim.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha në X se ai po vëzhgon me vëmendje zhvillimet, duke shtuar: “Uroj mëshirën e Allahut për qytetarët tanë që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të lënduarit”.
Më vonë, duke folur në një takim të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Erdoğan tha: “Të gjithë hapat e nevojshëm po ndërmerren për të sqaruar të gjitha aspektet e incidentit ”.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, në një mesazh në X, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e atyre që humbën jetën dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.