Autoritetet në Rripin e Gazës kanë njoftuar se është rritur në të paktën 46.788 numri i palestinezëve të vrarë dhe në 110.453 numri i të plagosurve si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza kujtoi se sulmet izraelite vazhdojnë tashmë 468 ditë në Rripin e Gazës
Në “tetë masakra”, që ushtria izraelite ka kryer kundër familjeve palestineze në 24 orët e fundit në Rripin Gazës, janë vrarë 81 palestinezë dhe janë plagosur 188 palestinezë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në të paktën 46.788, ndërsa i të plagosurve në 110.453.
Gjithashtu nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të palestinezëve të vrarë, teksa ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak të pengesave nga forcat izraelite.
– Marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit
Katari, një nga vendet ndërmjetësuese, dje njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga 3 faza, do të lirohen 33 pengje izraelite.
Marrëveshja krahas mbërritjes së ndihmës humanitare për Rripin e Gazës në mënyrë gjithëpërfshirëse, përfshin edhe rikthimin në territoret e tyre për palestinezët e zhvendosur.
Detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të shpallen sapo të përfundojë faza e parë.