Të paktën 28 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve që nga tetori i vitit 2023 në 46.565, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha po ashtu 109.660 persona janë plagosur në sulmet izraelite në vazhdim.
“Forcat izraelite vranë 28 persona dhe plagosën 89 të tjerë në dy masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata”, shtoi ajo.
Izraeli ka vazhduar luftën gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit 2023.
Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr reagime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.