Rritet në 33.091 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Rritet në 33.091 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka ndërmarrë nga 7 tetori 2023 në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministria palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qudra, informoi lidhur me sulmet që Izraeli vazhdon prej 182 ditësh ndaj Rripit të Gazës.

Al-Qudra bëri të ditur se në 24 orët e fundit në sulmet e forcave izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë humbur jetën 54 palestinezë, ndërsa 82 të tjerë janë plagosur.

Numri i atyre që kanë humbur jetën në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, ka arritur në 33.091, tha Al-Qudra, i cili shtoi se numri i të plagosurve ka arritur në 75.750.

Al-Qudra vuri në dukje se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve dhe se ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak se pengohen nga forcat izraelite.