Rritet në 30.717 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Një sondazh i zhvilluar në Gjermani tregon se shumica e gjermanëve nuk janë të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin e tyre në rast të ndonjë sulmi ushtarak, transmeton Anadolu.

Në sondazhin e realizuar nga kompania kërkimore “Forsa” për kanalet televizive RTL/NTV, 59 për qind e pjesëmarrësve u përgjigjën “ndoshta jo” ose “padyshim jo” pyetjes nëse do të ishin të gatshëm të mbronin Gjermaninë me armë në rast të një sulm ushtarak”.

Sipas rezultateve, 38 për qind e të anketuarve iu përgjigjën kësaj pyetjeje duke thënë se ishin “padyshim” ose “ndoshta” të gatshëm.

Ndërsa 51 për qind e pjesëmarrësve të moshës nga 18 deri në 29-vjeç deklaruan me “ndoshta” ose “padyshim” se nuk ishin të gatshëm të merrnin armën për të mbrojtur vendin. Kjo normë ishte 60 për qind për ata midis moshës 30-44 vjeç, 54 për qind nga mosha 45-59 vjeç dhe 62 për qind të moshës mbi 54-60 vjeç.

Sondazhi zbulon se 61 për qind e mbështetësve të Partisë së Gjelbër, 59 për qind e mbështetësve të Partisë Socialdemokrate (SPD), 55 për qind e mbështetësve të Partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), 50 për qind e mbështetësve të partive të Unionit të Krishterë (CDU/CSU) dhe 47 për qind e mbështetësve nga Partia Demokratike e Lirë (FDP) deklaruan me “ndoshta” ose “padyshim” se nuk janë të gatshëm të merrnin armën për të mbrojtur vendin.

Shumica e gjermanëve janë kundër dërgimit të trupave në Ukrainë

Sipas sondazhit të zhvilluar nga kompania YouGov për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, 72 për qind e gjermanëve kundërshtojnë dërgimin e trupave në Ukrainë dhe mbështesin kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Vetëm 2 për qind e të anketuarve ishin në favor të dërgimit të trupave nga Gjermania në Ukrainë ndërsa 16 për qind donin që Gjermania “të linte të hapur” mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se Gjermania duhet të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen ndërsa forcat e armatosura duhet të modernizohen dhe të bëhen të afta për t’u marrë me problemet e reja të sigurisë.

“Ne duhet të mësohemi me idenë se mund të ketë një kërcënim lufte në Evropë dhe kjo do të thotë se ne duhet të jemi gati për luftë”, tha ai. Ushtria gjermane për këtë nuk ka nevojë vetëm për armë, por edhe për personel.

Në Gjermani ku shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq në vitin 2011 janë 181 mijë ushtarë. Qeveria gjermane synon ta rrisë këtë numër në 203 mijë deri në vitin 2031. Për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në vend, ka vështirësi në gjetjen e personelit për të kryer shërbimin ushtarak dhe thuhet se numri i synuar për vitin 2031 nuk do të arrihet.