Rritet në 119 numri i palestinezëve të martirizuar nga sulmet izraelite në Gaza

Dhjetë palestinezë të tjerë humbën jetën nga sulmet e Izraelit në Rripin e rrethuar të Gazës, duke e çuar numrin e dëshmorëve në 119, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria izraelite vazhdon të granatojë Rripin e Gazës edhe gjatë Fitër Bajramit.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, thuhet se dhjetë persona të tjerë u martirizuan nga sulmet e Izraelit, me çka numri i përgjithshëm i dëshmorëve në Rripin e Gazës që nga 10 maji u rrit në 119.

Ministria tha se 31 nga të vrarë gjatë sulmeve ishin fëmijë dhe 19 gra, dhe se numri i të plagosurve ka arritur në 830.

Ndryshe, tensionet në rajon kanë qenë të larta pasi policia izraelite më 7 maj sulmoi me plumba plastikë dhe granata zhurmuese palestinezët në Mesxhid Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe lagjen Sheikh Jarrah të këtij qyteti, nga ku autoritetet izraelite kërkojnë largimin e familjeve palestineze.

Tensionet më pas u transferuan edhe në Rripin e Gazës, pasi grupet palestineze të rezistencës i dërguan ultimatum Izraelit për t’u tërhequr nga Mesxhid Al-Aksa dhe lagjja Sheikh Jarrah.

Grupet palestineze kanë lëshuar një numër të madh raketash në drejtim të Izraelit, pasi sulmet ndaj palestinezëve nuk u ndaluan, ndërsa ushtria izraelite nisi operacionin ushtarak “Mbrojtësit e Mureve” kundër Rripit të Gazës. /aa