Rritet në 1.644 numri i të vdekurve nga tërmeti në Mianmar, mbi 3.400 të lënduar

Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Mianmar është rritur në 1.644, ndërsa mbi 3.408 janë lënduar, njoftoi media shtetërore, transmeton Anadolu.

Sipas MRTV-së, 68 persona rezultojnë të zhdukur në gjithë vendin.

Ndihma ndërkombëtare dhe përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë të rriten ndërsa Mianmari dhe Tajlanda u goditën nga tërmete shkatërruese të premten.

Autoritetet në Tajlandën fqinje thanë se 11 provinca janë prekur, me tetë të vdekur dhe 101 të zhdukur, ndërsa një rrokaqiell në Bangkok u shemb.

Të paktën 50 xhami në gjithë Mianmarin u shembën gjatë namazit të xhumasë, duke vrarë afro 300, sipas Khit Thit News.

Gjenerali Min Aung Hlaing, sundimtari i juntës së Mianmarit, vizitoi zonat e prekura në rajonin Mandalay dhe inspektoi masat e marra për të shpëtuar njerëzit, tha MRTV-ja shtetërore përmes Telegramit.

Junta, në një hap të rrallë, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë humanitare.

Një tërmet i fortë me magnitudë 7,7 ndodhi të premten me epiqendër në rajonin Sagaing të Mianmarit.

Goditja e parë u pasua nga një tërmet me magnitudë 6,4 ballë 12 minuta më vonë, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.