Franca tha sot se po dëbon 12 zyrtarë algjerianë, ndërsa tensionet mes Parisit dhe Algjerit po përshkallëzohen pas dëbimit të 12 zyrtarëve francezë, transmeton Anadolu.
“Në përgjigje të vendimit të tyre të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm, ne po dëbojmë 12 agjentë algjerianë dhe po tërheqim ambasadorin tonë për konsultime”, shkroi ministri i Jashtëm Jean Noel-Barrot në X.
Ai tha se po përgjigjen “siç ishte paralajmëruar”, pasi Algjeria zgjodhi “përshkallëzimin”.
“Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, por jo i njëanshëm”, shtoi ai.
Algjeria urdhëroi të hënën 12 zyrtarë të ambasadës franceze që të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, pas aktakuzës ndaj tre personave në Paris, njëri prej të cilëve punonte për një konsullatë algjeriane në Francë, me akuza të lidhura me terrorizmin.
Zyra e prokurorisë kombëtare franceze kundër terrorizmit konfirmoi se të dyshuarit u akuzuan për arrestim, rrëmbim, ndalim të paligjshëm dhe lidhje me një ndërmarrje terroriste.
Barrot e kishte quajtur më herët masën algjeriane “të padëshiruar” dhe kishte paralajmëruar se “nuk do të mbetej pa pasoja”.