Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rriten rastet e diskriminimit racist në Zvicër

Rriten rastet e diskriminimit racist në Zvicër

Rritja konstatohet veçanërisht në mesin e të rinjve, siç tregon raporti i monitorimit 2019/2020 i Zyrës për Luftimin e Racizmit

Në dy vitet e fundit, rastet e raportuara të diskriminimit racist janë rritur sërish. Të nxitura edhe nga pandemia Covid-19, shumë teori konspirative antisemitike po qarkullojnë në internet.

Rritja konstatohet veçanërisht në mesin e të rinjve, siç tregon raporti i monitorimit 2019/2020 i Zyrës për Luftimin e Racizmit, i botuar të martën, shkruan sda.ch.

40 për qind e 15 deri në 24 vjeçarëve kanë përjetuar tashmë raste diskriminimi në pesë vitet e fundit. Kjo është për dy pikë përqindjeje më shumë se në sondazhin e fundit, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, midis moshave 25 deri 39 vjeç është 39 për qind (+4 pikë përqindje) dhe në mesin e 40 deri 54 vjeçarëve përqindja e të prekurve rritet në 30 për qind (+6 pikë përqindje).

Racizmi dhe gjuha e urrejtjes tani po përhapen veçanërisht shumë përmes internetit dhe mediave sociale. Është e dukshme se gjatë krizës së koronës, është rritur përhapja e teorive të konspiracionit antisemitik, thuhet tutje në raport.

Ministri i Brendshëm Alain Berset shkruan në parathënien e tij për raportin më të ri se pandemia Covid 19 dhe lëvizja Black Lives Matter kanë “bërë të dukshme pabarazitë dhe tendencat e gabimeve sociale” edhe për ne.

Sipas sondazhit të fundit, pothuajse dy të tretat e popullsisë në Zvicër e konsiderojnë racizmin një problem serioz social, përcjell albinfo.ch. Një e treta i konsideron masat e mëparshme kundër racizmit si të papërshtatshme dhe sheh përgjegjësinë kryesisht te qeveria federale, kantonet dhe komunat.

Exit mobile version