Ende pa u shpallur e përfunduar lufta me Covid-19, Kosova po i nënshtrohet një krize tjetër ekonomike.
Pushtimi rus i Ukrainës ka tronditur tregjet globale, duke goditur edhe ekonominë e brishtë të Kosovës.
Rritja e çmimit të naftës dhe të drithërave ka ndikuar në mënyrë zinxhirore edhe te produktet e tjera.
Ato janë shtrenjtuar shkaku i varësisë nga importi dhe mungesës së prodhimit vendor.
Niveli i rritjes së naftës në 130 dollarë për fuqi, sipas Emanuel Bajra, ish-bankier në Londër dhe njohës i tregjeve financiare, ka krijuar një valë të re të krizës financiare dhe në tregjet e mallrave.
“130 dollarë për fuqi është gati e papërballueshme për ekonomitë, sidomos për ekonomitë të cilat importojnë inflacion, importojnë shtrenjtim, siç është ekonomia e Kosovës. Pritet rritje në drithëra, ushqime bazike. Nëse deri dje një litër vaj ka kushtuar 1 euro e 70 cent, sot ka arritur masën në 2 euro e 10 centë, gjasat janë që të tejkalojë atë deri në 2 e 50. Nëse mielli ka qenë 69 centë gjasat janë që të kapë 1 euro, njëjtë me sheqerin, do të kemi tejkalimi”, tha Bajra.
Çmimi i naftës në Kosovë është rritur për 20 për qind brenda javës. Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, çmimi nga 1 euro e 63 centë, sa është aktualisht, pritet të shkojë deri në 2 euro.
Vendimi i Qeverisë për caktim të marzhës tregtare nuk e ka frenuar rritjen e çmimeve, ndërkohë Ministria e Tregtisë ka heshtur lidhur me këtë çështje.
Përveç çmimit, bizneset po kanë vështirësi edhe në furnizim.
Sektorët më të cenuar nga kjo rritje, sipas Pëllumb Çollakut, bashkëpunëtor i lartë për hulumtime në Riinvest, është transporti, industritë prodhuese dhe ngrohja.
“Rusia dhe Ukraina janë dy vende që janë eksportuese më të mëdha të drithërave, kështu që presioni në ekonominë e Kosovës pritet që të jetë i dyfishtë. një mënyrë e tillë e rritjes së dy produkteve bazë të ekonomisë pritet që të ketë një rritje të inflacionit, jo vetëm në Kosovë po në gjitha vendet e prekura që kanë partnerë këto vende”, tha Çollaku.
Sipas tij, Kosova duhet të shfrytëzojë momentumin për përmirësim të bilancit tregtar, duke eksportuar thëngjill në vendet që furnizoheshin nga Rusia me këtë produkt.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, ka paralajmëruar shtrenjtim të mielli deri në 60 euro për 100 kilogram. Aktualisht çmimi është 52 euro.
“Dot me importu grurë kishte me dalë çmimi 600 euro një tonë miell. Kurse, miellin që jemi duke shitur tash është me çmim të rezervave tona, përndryshe çmimi i importit të grurit është ngritur shumë. Sot, aktualisht është 400 euro çmimi i grurit për një tonë të importuar, që i bie se me këtë ‘prodhohet’ një çmim 600 euro për një ton miell, minimum… Jemi duke u munduar me mbajt një stabilitet me mjete vetanake, por përndryshe importi është shtrenjtuar shumë, që nënkupton se mundet të ketë ngritje të mëdha edhe në Kosovë”, deklaroi Zejnullahu.
Ndërkohë nëpër dyqane në kryeqytetet çmimi për një kilogram miell ka arritur në 79 centë, ndërsa 5 kilogramë tani tregtohen me 4 euro. Një litër vaj ushqimor ka arritur në 1 euro e 85 centë, ndërsa një kilogram sheqer kushton 89 centë.
Lufta në Ukrainë ka rritur edhe çmimin e importit të energjisë nga 250 euro, sa ishte para sulmeve të para, në 700 euro për megavat.