Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rriten aksionet farmaceutike si pasojë e shpërthimit të virusit ‘mpox’

Rriten aksionet farmaceutike si pasojë e shpërthimit të virusit ‘mpox’

Që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) muajin e kaluar e klasifikoi situatën globale të virusit ‘mpox’ (lija e majmunit) si një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, aksionet farmaceutike, si dhe teknologjia mjekësore dhe bio-farmaceutike janë rritur derisa aksionet e linjave ajrore kanë shënuar rënie, transmeton Anadolu.

Analistët thanë se aksionet e linjave ajrore ranë muajin e kaluar për shkak të shqetësimeve në rritje se virusi do të përhapej në nivel global po aq shpejt sa COVID-19, që vrau milionë njerëz në mbarë botën dhe shkatërroi shumë biznese në sektorë të tillë si udhëtimi, turizmi dhe transporti.

Që nga deklarata e 14 gushtit nga OBSH-ja, aksionet e furnizuesit japonez të mjeteve mjekësore ‘Precision System Science’ u rritën me 67,1 për qind, ndërsa të zhvilluesit danez të vaksinave ‘Bavarian Nordic’ u rrit me 43,3 për qind.

Sipas Komisionit të BE-së, ‘MVA-BN’ e kompanisë ‘Bavarian Nordic’ është e vetmja vaksinë kundër virusit ‘mpox’ e miratuar nga BE-ja, Zona Ekonomike Evropiane dhe Mbretëria e Bashkuar.

Vaksina ‘MVA-BN’ është sugjeruar për përdorim për popullatën e përgjithshme të rritur, 18 vjeç e lart, respektivisht në individë të konsideruar në rrezik të lisë apo virusit ‘mpox’.

Furnizuesi i mjeteve mjekësore ‘Presicion System Science Co.’ u rrit me 39 për qind në Japoni, ndërsa prodhuesi i kompleteve të zbulimit të viruseve ‘Shanghai Zj Bio-Tech Co.’ fitoi deri në 8,4 për qind në Kinë.

Aksionet e kompanisë farmaceutike britanike ‘GlaxoSmithKline’ fituan 9,6 për qind, kompania farmaceutike me bazë zvicerane ‘Novartis’ fitoi 8,4 për qind, ‘Sanofi’ me bazë franceze 7,3 për qind, ‘Johnson & Johnson’ me bazë në SHBA 4,7 për qind, ‘Shanghai ZJ Bio-Tech Co.’ me bazë në Kinë 4,5 për qind, ‘Gilead Sciences’ me bazë në SHBA 3,9 për qind, ‘Bayer’ me bazë në Gjermani 1,3 për qind, si dhe kompania ‘Roche’ me bazë në Zvicër fitoi 0,5 për qind.

Nga ana tjetër, aksionet e grupit kinez ‘Sinopharm’ humbën 1 për qind, ndërsa kompania farmaceutike me bazë në SHBA ‘Pfizer’ humbi 5 për qind dhe ajo ‘Emergent Biosolutions’ humbi 34,6 për qind.

Mbi 22 mijë raste të virusit ‘mpox’ u raportuan në mbi dhjetë vende afrikane, ndërsa vende të tjera si Filipinet, Tajvani, Tajlanda, Suedia, Australia dhe Pakistani gjithashtu konfirmuan raste virusit.

Sipas OBSH-së, ‘mpox’ është një sëmundje virale që përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe materialeve të kontaminuara si çarçafët, veshjet dhe gjilpërat.

Exit mobile version