Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock citon situatën në Ukrainë si një “faktor” për vonesën e hapjes së gazsjellësit
Kontratat e ardhshme të gazit në Europë u rritën me 10 për qind të hënën disa orë pasi ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se gazsjellësi Nord Stream 2 nuk mund të lejohej të fillonte punën në formën e tij aktuale, sepse nuk përputhej me ligjin e BE-së.
Duke folur në ZDF TV të dielën vonë në mbrëmje, Baerbock tha se tre partitë që përbëjnë qeverinë e re gjermane – Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë – kishin rënë dakord që të gjitha projektet energjetike, duke përfshirë Nord Stream 2, duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e BE-së për energjinë.
“Dhe kjo do të thotë se, siç janë gjërat për momentin, ky gazsjellës nuk mund të miratohet sepse nuk përmbush kërkesat e ligjit europian për energjinë,” tha ajo.
Situata në kufirin ukrainas, ku Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa, ishte gjithashtu “një faktor”, tha Baerbock. “Qeveria e mëparshme diskutoi me amerikanët se nëse ka përshkallëzime të mëtejshme, nuk mund të vijohet me këtë gazsjellës,” shtoi ajo.
Gazsjellësi ishte në krye të listës së sanksioneve të mundshme që zyrtarët amerikanë konsideronin se vendet perëndimore mund ta përdornin për të kërcënuar Rusinë.
Sipas komenteve të Baerbock, pozicioni i Gjermanisë për Nord Stream 2 mund të ashpërsohet tani që të Gjelbërit, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projekt prej kohësh, janë në krye të ministrisë së jashtme. Megjithatë, Social Demokratët, partia e kancelarit Olaf Scholz, tradicionalisht e kanë mbështetur gazsjellësin.
Nord Stream 2, i cili ka përfunduar por nuk ka marrë ende lejen të fillojë operimin, do të dyfishojë kapacitetin e rrugëve nënujore nga Rusia në Europë. Kritikët amerikanë dhe europianë të projektit thonë se ai do të rrisë varësinë e BE-së nga eksportet ruse të energjisë dhe do t’i japë mundësi Kremlinit të ushtrojë presion mbi Ukrainën, të cilës do t’i mohohen tarifat fitimprurëse të tranzitit të gazit nëse projekti i këtij gazsjellësi ecën përpara.
Kontratat e ardhshme të gazit natyror në Europë u rritën në nivelet më të larta që nga fillimi i tetorit. Në muajin dhjetor, ҫmimi referencë europian i gazit për furnizim u rrit me plot 10% të hënën në mëngjes, duke arritur një nivel maksimal prej 115,70 € për megavat orë, nga 105,35 € të premten dhe vetëm pak nën nivelin rekord prej 117,50 €/MWh në tetor.
Moti i ftohtë dhe furnizimi nga Rusia për në Europën Perëndimore i cili është i qëndrueshëm, por i ulët, kanë rezultuar në një rënie të përshpejtuar të rezervave të gazit. Në të gjithë Europën, objektet e depozitimit të gazit janë tashmë të mbushura vetëm 62.8%, më shumë se 10% nën normat e sezonit. Nëse rënia vazhdon me përmasat aktuale, nivelet e depozitave do të arrijnë nivele shumë të ulëta deri në mars/prill të vitit të ardhshëm. Analistët thonë se nuk ka ndonjë lehtësim të dukshëm për tregun europian të gazit, përveҫ shpresës për një dimër të butë.
Nord Stream 2 mund të fillojë punën vetëm pasi të jetë miratuar nga rregullatori gjerman, Bundesnetzagentur, ose Agjencia Federale e Rrjetit, si dhe nga Komisioni Europian.
Por në mes të muajit nëntor, Bundesnetzagentur e pezulloi procesin e certifikimit, duke vënë në dukje mospërputhjet me direktivën e BE-së për gazin. Kjo direktivë ka rregulla të rrepta për “ndarjen e shërbimeve”, të cilat diktojnë që kompanitë që prodhojnë, transportojnë dhe shpërndajnë gaz brenda BE-së duhet të jenë entitete të veçanta.
Bundesnetzagentur tha se mund ta miratonte gazsjellësin vetëm nëse operatori “ishte i organizuar në përputhje me ligjin gjerman”. Nord Stream 2 do t’i duhet ta përmbushë këtë kërkesë duke hapur një filial në Gjermani, i cili do të zotërojë dhe do të operojë pjesën e gazsjellësit që kalon nëpër territorin gjerman.
E pyetur të hënën në mëngjes për arsyet pse Nord Stream 2 nuk ishte në përputhje me ligjin e BE-së në formën e tij aktuale, Baerbock vuri në dukje vendimin e Bundesnetzagentur për të pezulluar procesin e certifikimit, “sepse ka kërkesa të qarta sipas ligjit të BE-së për energjinë në lidhje me ndarjen e shërbimeve”.
Nord Stream 2 AG, operatori i gazsjellësit, së bashku me Gazprom, i cili furnizon gazin që do të rrjedhë përmes tij, nuk pranuan të japin komente mbi këtë ҫështje.
Kur u pyet për përgjigjen e tij ndaj komenteve të Baerbock, Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se kompania e gazsjellësit “po punon me rregullatorin dhe po përmbush të gjitha kërkesat e tij. Thjesht duhet të jemi pak më të duruar.”
“Kjo është punë teknike, burokratike dhe ligjore. Pra, po vazhdon ende, le të mos nxitohemi për të dalë në konkluzione”, tha ai, sipas Interfax. /monitor