Ballina Artikuj Rreziqet e varësisë nga lojrat elektronike dhe kompjuterike

Rreziqet e varësisë nga lojrat elektronike dhe kompjuterike

Varësia nga lojërat elektronike është një nga problemet më të mëdha me të cilat bota po përballet në këtë epokë. Ajo është përhapur në mesin e të rinjve sikurse zjarri në kashtë dhe është bërë një pandemi globale, nga e cila është e vështirë të shpëtohet. Kjo varësi ka ndikuar në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në ato akademike, profesionale dhe shëndetësore. Sot, shumica e të rinjve i luajnë këto lojëra rregullisht, çdo ditë, dhe padyshim kushdo që analizon gjendjen e tyre do të ndiejë rrezikun e këtyre lojërave dhe dëmet e mëdha që ato sjellin.

Dëmi më i madh i varësisë nga lojërat elektronike dhe kompjuterike është humbja e kohës. Kushdo që fillon të luajë këto lojëra e gjen veten të tërhequr nga ato deri në atë pikë sa varësia ndaj tyre është e ngjashme me varësinë ndaj drogës. Lehtësisht ti mund të shohësh një adoleshent që luan për katër ose pesë orë pa pushim. E gjitha kjo ndodh në kurriz të fesë, arsimit dhe shëndetit të tij. Ai tregohet neglizhent ndaj namazit, mësimeve, madje arrin deri aty sa ai harron të hajë dhe të pijë. Si pasojë, rezultatet e tij në shkollë bien për shkak se nuk ka studiuar dhe nuk ka bërë detyrat e ngarkuara. Në fillim, ai dembeloset për të shkuar në xhami, pastaj gradualisht neglizhon në faljen e namazit dhe në fund ai e braktis namazin. Vitet më të bukura të jetës së tij humbasin përpara ekraneve, ditë e natë, derisa i dobësohet shikimi dhe i kërruset shpina nga qëndrimi i gjatë në lojëra.

Përveç kësaj, këto lojëra janë të mbushura me pamje të pahijshme dhe mesazhe negative që depërtojnë dhe ruhen në memorie. Ato përfshijnë skena dhune, zhveshjeje, padrejtësie, imoraliteti dhe sjellje të tjera të dënueshme. Ndoshta ky është një nga faktorët që ka çuar në rritjen e shkallës së krimit dhe dhunës mes adoleshentëve dhe të rinjve në dekadat e fundit, pikërisht kur këto lojëra filluan të shfaqeshin dhe të përhapeshin.

Një fenomen tepër shqetësues është shtimi i rasteve të krimit nëpër shkolla nga adoleshentët, ku padyshim edhe këto lojëra kanë pasë efektin e tyre negativ.

Një fenomen tjetër negativ është se vajzat dhe gratë janë bërë më të prirura ndaj zhveshjes dhe sjelljeve të pahijshme dhe të shfrenuara për të bërë gjëra të ndaluara. Fenomeni i adoleshenteve shtatzëna është bërë gjithashtu i zakonshëm, ku vajza të reja, madje në moshën trembëdhjetë vjeç, mbeten shtatzëna nga marrëdhënie të paligjshme dhe nuk gjejnë mbështetje as për veten dhe as për fëmijët e tyre.

Nuk ka dyshim se lojërat elektronike (kompjuterike) luajnë një rol në promovimin e marrëdhënieve të ndaluara midis adoleshentëve, duke paraqitur imazhe provokuese dhe duke glorifikuar vajzat që kanë marrëdhënie jashtë martese. Në lojëra, këto sjellje portretizohen si triumf, duke i bërë personazhet të ndihen sikur kanë fituar botën. Po ashtu, në shumë lojëra, “hero” konsiderohet ai që vret numrin më të madh të luftëtarëve, duke e konsideruar gjakderdhjen një akt krenarie. Si pasojë, vrasja është bërë një çështje e zakonshme në mesin e njerëzve, të mëdhenj e të vegjël, dhe si rrjedhojë është shtuar numri i vrasjeve dhe krimit krejt pa arsye, si shkak i ndikimit të këtyre lojërave në memorien e adoleshentëve.

Rreziku i këtyre lojërave qëndron në lehtësinë me të cilën ato shkaktojnë varësi, pavarësisht nga trysnia psikologjike që ato përfshijnë. Kjo ndodh sepse ato janë shumë argëtuese. Problemi është se kjo nuk është thjesht një lloj dëfrimi si sportet e ndryshme, futbolli apo ushtrimi i hobive të dobishme; përkundrazi rreziku i këtyre lojrave është prej hapave të shejtanit dhe fton drejt mëkateve, hap pas hapi. Për këtë arsye, fëmijët bien lehtësisht pre e varësisë ndaj tyre për shkak asaj që ato ofrojnë. Brenda një kohe të shkurtër, ata bëhen të varur prej tyre, ashtu siç bëhen disa nga alkooli apo droga.

Ajo që është edhe më e rrezikshme është mungesa e ndërgjegjësimit të njerëzve në lidhje me efektet negative të këtyre lojërave. Shumë prindër nuk i shohin këto lojëra si diçka të keqe; madje, disa i inkurajojnë fëmijët e tyre duke menduar – gabimisht –  se ato zhvillojnë  inteligjencën dhe aftësitë e tyre prej heroi. Në realitet, ato mund të zhvillojnë aftësi, por jo të një heroi, por të një krimineli. Fëmija kalon orë të tëra duke u përpjekur të mposhtë kundërshtarin, duke parë skena të papërshtatshme dhe duke vazhduar të luajë si të ishin gjëra të padëmshme. Kështu, për të, e mira dhe e keqja bëhen të barasvlershme, ndërsa dhuna, vrasja dhe imoraliteti bëhen diçka e zakonshme dhe e pranueshme.

Ditët kalojnë, dhe këto mesazhe regjistrohen në memorien e fëmijës duke u përsëritur çdo ditë, derisa ato bëhen pjesë e moralit dhe sjelljes së tij qysh në vegjëli. Kur rritet, ai del në jetë si një kriminel dhe përdhunues i trajnuar plotësisht dhe i gatshëm për të kryer akte kriminale, i etur për to, sepse është edukuar duke i parë ato si akte heroike dhe si sukses. Dhe për këtë gjë, shpeshherë janë prindërit përgjegjësit kryesorë, sepse ata i blejnë fëmijës telefonin, PlayStation-in dhe kompjuterin, pa e ditur ose duke nënvlerësuar të keqen dhe rreziqet që përmbajnë këto lojëra. Kështu, përmbushet plani dinak që masonët dhe përkrahësit e tyre kanë projektuar për shkatërrimin e brezit të ri.

Gjithashtu, është vënë re se këto lojëra e izolojnë fëmijën nga mjedisi i tij shoqëror. Fëmija bëhet i mbyllur në vetvete, i larguar nga ata që e rrethojnë, pa miq dhe pa ndonjë angazhim social. Të vetmit individë me të cilët ndërvepron janë emrat në ekran, që luajnë lojën ashtu sikurse ai. Kështu, ai fillon të sillet në mënyrë të çuditshme, shpeshherë pa mirësjellje dhe pa përvojë  se si duhet të sillet me mysafirët dhe të panjohurit. Në disa raste sjellja e tij i ngjan një njeriu me sindromën “Down”ose sindromën “Asperger”. Ai nuk di si të sillet me mirësjellje dhe të respektojë zakonet dhe traditat e shoqërisë.

Shpeshherë, fëmija bëhet i ashpër dhe i papërshtatshëm në komunikim me njerëzit. Nuk di si të tregohet i sjellshëm dhe i ndjeshëm në marrëdhënie, gjë që çon në probleme shoqërore, kulturore dhe etike. Ndërsa me familjen, sjellja e tij karakterizohet nga mungesa e respektit dhe arroganca. Disa prej tyre bëhen egoistë dhe abuzivë, duke shtypur vëllezërit dhe motrat dhe duke mos respektuar prindërit ose të afërmit. Ai kthehet në një fëmijë të paedukuar, të cilit këshillat dhe përpjekjet e prindërve për ta përmirësuar nuk i bëjnë dobi.

Përveç këtyre, lojërat kompjuterike sjellin edhe dëme të shumta shëndetësore për ata që i luajnë në mënyrë të tepruar. Shumica e tyre përfundojnë duke përdorur syze për shkak të dobësimit të shikimit, si pasojë e ekspozimit të zgjatur ndaj ekraneve. Kjo shkakton atë që njihet si “Sindroma e Shikimit nga Kompjuteri (CVS)”, e cila prek nga 40% deri në 90% të atyre që përdorin kompjuterin. Shkak është ekspozimi i syrit ndaj dritës blu për periudha të gjata kohore. Studimet kanë vërtetuar se “ekspozimi i zgjatur ndaj dritës blu mund të shkaktojë dëmtime graduale të qelizave retinale të syrit, gjë që mund të çojë deri në verbëri.”Përveç kësaj, dëmet e tjera të mundshme përfshijnë: tumorët malinje në sy, tharjen e syve, turbullimin e shikimit, lotimin e syve, si dhe dhimbje në kokë, qafë dhe shpatulla.

Qëndrimi për periudha të gjata para kompjuterit gjithashtu shkakton dhimbje në qafë dhe deformime në shtyllën kurrizore, duke e bërë shpinën të harkuar. Si pasojë, adoleshenti fillon të duket si një person i moshuar dhe tregon më i madh se ç’është në realitet. Kjo gjendje çon në lodhje dhe mungesë përqendrimi, duke i penguar ata të kryejnë detyrat e tyre të shkollës apo të ndjekin aktivitetet fetare. Shumë prej tyre nuk ngrihen as për të falur namazin, harrojnë Kuranin dhe nuk kanë njohuri për fenë e tyre, përveç ndonjë gjëje të vogël.

Kjo situatë nuk është për t’u habitur, pasi si mund të mësojnë kur shumicën e kohës së tyre e kalojnë duke luajtur dhe duke u argëtuar para ekraneve të kompjuterit? Ndërkohë, mësimi i Kuranit dhe dijeve fetare kërkon përpjekje dhe kohë të gjatë. Kështu, rritet një brez që di shumë pak për fenë e tij, ku përqëndrimi kryesor janë vetëm lojërat.

Po ashtu, niveli akademik i tyre bie ndjeshëm, pasi ata e harxhojnë kohën e tyre duke luajtur dhe si rrjedhojë niveli i tyre i përqendrimit është shumë i ulët. Kalimi i shumë orëve para kompjuterit i bën të ndihen të lodhur fizikisht dhe mendërisht nga këto lojëra. Ata humbin interesin për mësimet e tyre dhe madje për çdo gjë tjetër në jetë përveç lojërave dhe dëshirës për të fituar në to dhe për të luajtur më shumë. Si rezultat, dështojnë në provime vit pas viti. Edhe nëse arrijnë të kalojnë provimet, zakonisht kjo ndodh përmes mashtrimit, duke përdorur inteligjencën artificiale, kërkimin në Google dhe të tjera mjete të ngjashme. Nga kjo, lind një brez i paditur që ka shumë pak njohuri rreth gjërave më elementare të jetës.

Përfundimisht, performanca e tyre bie aq shumë saqë shumica nuk arrin të hyjë në universitete dhe të marrë diploma akademike. Kjo u zvogëlon ndjeshëm mundësitë për punësim dhe karrierë, duke i çuar shumë prej tyre drejt papunësisë dhe varfërisë.

Përveç kësaj, pajisjet e nevojshme për të luajtur lojëra janë shumë të shtrenjta, pasi zakonisht kërkojnë kompjuterë me shpejtësi të lartë, kartë grafike të fuqishme dhe procesor të avancuar. Po ashtu, edhe pajisjet mobile të përshtatshme për këto lojëra janë të kushtueshme. Kjo përfshin një shpenzim të kotë dhe shpërdorim të parave për diçka që nuk sjell dobi. Mjafton që një student të ketë një fletore dhe një stilolaps ose një pajisje të thjeshtë me shpejtësi mesatare për të kryer detyrat e tij. Mirëpo, për lojërat harxhohen me mijëra dollarë, ndërkohë që muslimanët në shumë vende vuajnë nga uria pa ndonjë mbështetje financiare.

Gjithçka përmendëm më lart padyshim kanë efekte negative për adoleshentët. Po ashtu në këtë kontekst nuk mund të rrimë pa përmendur edhe se fëmijët tanë për çdo ditë bien në mëkate si pasojë e neglizhencës dhe shpërqendrimit nga falja e namazit, shikimit të ndaluar dhe dëgjimit të muzikës që shoqëron këto lojëra. Po ashtu, këto lojëra ngulisin në mendjet e lojtarëve skena të pahijshme dhe i mësojnë ata të shohin të ndaluarën dhe ta pranojnë atë si diçka normale, si për shembull: vjedhjen, plaçkitjen, vrasjen dhe imoralitetin. Kështu, lojtari largohet pak nga pak nga Zoti, duke u zhytur në mëkate; zemra e tij mbulohet me mëkate që dita – ditës akumulohen.

Këto lojëra e bëjnë lojtarin të jetojë në një ëndërr larg realitetit, një ëndërr plot argëtim, ngjyra, muzikë dhe një lumturi të rreme. Ato e mashtrojnë atë, duke e bërë të mendojë se ka arritur sukses të madh në jetë, ndërkohë që në të vërtetë ai është në kulmin e humbjes, jo vetëm në aspektin fetar por dhe në atë të jetës. Ai mbetet pas shokëve të tij – të dalluar – në shkollë, me përqendrim dhe kuptim të ulët dhe me rezultate të dobëta akademike.

E përsa i përket pornografisë në lojërat kompjuterike dhe ato të PlayStation-it, situata është edhe më shqetësuese. Shumë prej këtyre lojërave përmbajnë skena të turpshme dhe pamje të zhveshura pa ndonjë arsye. Për shembull, në lojëra si GTA 5MichiganPlayboy: The Mansion, dhe Leisure Suit Larry, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të pahijshme e tejkalon çdo kufi. Këto lojëra shënjestrojnë kryesisht adoleshentët, grupin më të ndjeshëm dhe më të lehtë për t’u manipuluar, me qëllim që t’i korruptojnë dhe t’i shkatërrojnë ata, duke ndezur tek ata zjarrin e epshit që para se të arrijnë moshën e pjekurisë.

Si rezultat i gjithë kësaj situate kaotike, krijohet një brez i zhytur në imoralitet, me fëmijë të lindur jashtë martese, që jetojnë në rrugë, pa punë, pa arsim dhe pa të ardhme – një realitet i mbushur me varfëri dhe injorancë. Ata harxhojnë vitet më të rëndësishme të jetës së tyre duke luajtur, në vend që të mësojnë, të studiojnë, të mësojnë Kuranin dhe të mbushin xhamitë me jetë. Në këtë mënyrë, humbasin fenë dhe jetën e tyre. Vajzat humbasin nderin e tyre dhe bëhen nëna para se të dalin nga mosha e fëmijërisë. Familjet shkatërrohen dhe myslimanët përballen me zhdukjen e pasurisë dhe dinjitetit të tyre, me tokat e vjedhura, paratë e grabitura dhe vajzat e dhunuara, duke mbetur nën peshën e poshtërimit dhe humbjes.

Këto lojëra janë krijuar për grupmoshën e adoleshentëve, por megjithatë, ne shohim edhe të rinj muslimanë në të njëzetat dhe tridhjetat të cilët edhe ata janë varur prej tyre duke humbur kohën e tyre të çmuar. E gjithë kjo është një plan i mire studiuar nga armiqtë e Islamit dhe njerëzimit, dhe ata tashmë kanë arritur t’i realizojnë qëllimet e tyre. Në këtë mënyrë, ata kanë arritur t’i dobësojnë muslimanët, kanë pushtuar tokat e tyre dhe kanë vjedhur pasuritë e tyre, si nafta, ari, burimet natyrore dhe tokat pjellore. Këtë e shohim qartë duke iu referuar shumicës së vendeve muslimane në ditët e sotme.

Fëmija ose adoleshenti, qysh në  momentin kur fillon të luajë ndikohet shumë nga ato, dhe familja përpiqet ta ndalojë ose ta largojë nga këto lojëra, por zakonisht pa rezultat. Sjellja e fëmijës përkeqësohet; ai nuk dëgjon më as nënën dhe as babain, nuk i kushton rëndësi mësimeve, namazit, shokëve, shëndetit të tij, apo edhe vetë jetës. Kjo është pikërisht ajo që armiqtë e Islamit dëshirojnë të arrijnë përmes këtyre lojrave: të shkatërrojnë brezin e ri.

Si muslimanë, ne na takon të përballemi me këtë rrezik që i kanoset fëmijëve dhe vajzave tona dhe, më pas shoqërive tona, dhe të kërkojmë për mënyrat dhe metodat e mundshme për t’i ndaluar ato. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit tek prindërit që ata të kuptojnë rrezikun që paraqesin këto lojëra dhe ndikimin negative që ato kanë mbi fëmijët e tyre. Duhet të shpërndahen artikuj, mësime, karta këshilluese dhe sugjerime në platformat e mediave sociale, si dhe në programe radio dhe televizive, si dhe kanale YouTube mbi këtë temë. Ndoshta shpërndarja e informacionit përmes mënyrave të thjeshta, si postera të shtypura, mund të arrijë një audiencë më të madhe, sidomos në fshatra dhe në lagjet më të largëta.

Programuesit mund të krijojnë lojëra edukative dhe argëtuese për fëmijët, të cilat janë të pastra nga çdo e keqe dhe që mund të shërbejnë si alternativa për adoleshentët dhe fëmijët, duke i ndihmuar ata të mësojnë dhe të argëtohen në të njëjtën kohë, duke kaluar kohën e lirë në mënyrë të shëndetshme. Po ashtu, është e rëndësishme që koha e lojës të jetë e kufizuar dhe të shmanget dhënia e telefonave celularë fëmijëve.

Nëse prindërit i japin adoleshentëve dhe studentëve telefona vetëm për të komunikuar me ta, mund të mjaftohen me telefona të thjeshtë dhe të shmangin përdorimin e telefonave, të cilët mund të përdoren për këto lojëra. Të gjithë telefonat e thjeshtë janë mëse të mjaftueshme për të komunikuar apo për të dërguar mesazhe. Një zgjidhje e mirë është edhe angazhimi i fëmijëve dhe adoleshentëve me praktika të shëndetshme dhe të dobishme, siç janë sported si futbolli, volejbolli, tenisi, karateja, gimnastika, noti, kalërimi dhe të tjera. Vajzat mund të merren me mësimin e disa arteve të lejuara, si piktura e peisazheve, piktura në xham, skulptura dhe të tjera. Gjithashtu mund të mësojnë artin e gatimit, qepjen, gatimin e ëmbëlsirave dhe menaxhimin e shtëpisë. Kështu vajzat e kalojnë kohën në produktivitet dhe ushtrimi i këtyre hobeve i ndihmonë ato në të ardhmen.

Në këtë kontekst nuk duhet të harrojmë faktin se fëmijët tanë duhet të marrin pjesë në ato qendra, xhami e shkolla islame ku mësohet Kurani, Hadithet dhe dijet e ndryshme fetare. Prindërit duhet të jenë të afërt me fëmijët e tyre dhe të flasin me ta. Këtu dua të veçoj nënën, pasi ajo është ajo që ka më shumë kohë për të kaluar me fëmijët e saj, për t’i biseduar me dashuri dhe për t’u afruar me ta që ata të mos ndjehen të mërzitur apo të vetmuar. Po ashtu, babai duhet të jetë i afërt me fëmijët e tij, dhe veçanërisht me vajzat, sepse ato kanë shumë nevojë për dashurinë e babait dhe lidhjen me të. Shumë vajza krijojnë marrëdhënie me djem, për shkak të mungesës së afërsisë me baballarët e tyre. Ajo që u nevojitet është të ndjehen të dashuruara dhe të vlerësuara nga baballarët, dhe nëse nuk e gjejnë këtë nga familja, shpesh e kërkojnë jashtë saj. Prandaj, babai duhet të afrohet me vajzat e tij për t’i mbrojtur ato dhe për t’i shpëtuar nga mashtrimet e djemve dhe humbja e kohës në këto lojëra. Kjo nuk nënkupton se duhet të neglizhohen djemtë, pasi edhe ata gjithashtu kanë nevojë për këtë kujdes dhe vëmendje nga prindërit.

Në përfundim, i lutem Allahut që t’i mbrojë muslimanët dhe fëmijët dhe vajzat e tyre nga të këqijat e këtyre lojërave dhe t’i mbrojë ata nga çdo mashtrim që mund t’u bëhet. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Autor: Menal Muhamed

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version