Në mbarë botën, më shumë se 175 000 fëmijë hyjnë çdo ditë për herë të parë në internet, një fëmijë i ri në sekondë, deklaron UNICEF-i. Krahas përfitimeve, aksesi dixhital i ekspozon këta fëmijë ndaj një sërë rreziqesh, duke përfshirë përmbajtjet e dëmshme, shfrytëzimin dhe abuzimin seksual, bullizmin kibernetik, dhe keqpërdorimin e të dhënave të tyre personale. Edhe Shqipëria, nuk bën përjashtim nga vendet e tjera.
Mirgit Vataj: “Profili më i madh ka qenë i bullizmit, pra i ngacmimeve të vetë fëmijëve me njëri-tjetrin, talljet online, publikimi i videove me mbishkrime të ndryshme, por kemi pasur edhe raste që kanë të bëjnë kryesisht me ekspozim të materialeve të papërshtatshme, materialeve pornografike, dhomat e chatit me persona të cilët futen dhe tentojnë të krijojnë marrëdhënie me fëmijët dhe kryesisht me fëmijët të cilët janë të pambrojtur dhe me një moshë 14-16 vjeç”
Ekspertë të fushës thonë se prindërit janë të painformuar për çfarë lundrojnë fëmijët në internet apo marrëdhëniet që krijojnë edhe me persona të panjohur.
Vataj: “Prindërit nuk janë shumë të informuar për aktivitetin e fëmijëve online. Në të njëjtën kohë edhe vetë fëmijët dhe adoleshentët kanë një konkurrencë në rrjetet sociale përsa i takon audiencës që kanë, që i shtyn ata të pranojnë në rrethin e tyre miqësor edhe persona të cilët nuk i njohin, nuk kanë asnjë kontakt me ata, kështu që domosdo rrisin edhe nivelin e ekspozimit të tyre ndaj rreziqeve të mundshme”
Në Shqipëri mungon kuadri ligjor që ti mbrojë fëmijët nga rreziqet e internetit, të cilat nuk janë të parashikuara në Kodin Penal dhe as në Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, gjë e cila ka sjellë ekspozim të fëmijëve përkundrejt pedofilëve, të cilët gjithnjë e më shumë po përdorin internetin për të identifikuar fëmijët viktima të dhunës dhe shfrytëzimit për qëllime seksuale.
Vataj: “Janë disa nga format, abuzimet dhe rreziqet që mund të ndeshen online të cilat nuk janë të parashikuara në kuadrin ligjor si bullizmi, është i mangët në trajtimin e rasteve të pedofilisë online, siç dihet interneti është një formë e sofistikuar ku pedofilët mund të rekrutojnë viktimat e tyre. Kemi patur rreth 20 raste gjatë këtyre viteve përsa i përket ekspozimit të fëmijëve me materiale pornografike . Në të njëjtën kohë kemi pasur edhe disa raportime përsa i përket fëmijëve të cilët janë ngacmuar edhe seksualisht në dhomat e chatit”
Sipas të dhënave nga UNICEF, në mbarë botën, 1 në 3 përdorues të internetit është fëmijë. UNICEF evidenton se detyrimi për mbrojtjen e fëmijëve në botën dixhitale iu takon të gjithëve, duke përfshirë qeveritë, familjet, shkollat dhe institucione të tjera, veçanërisht sektorin privat që ofron shërbimet e internietit dhe telekomunikacionit.
Rreziqet nga interneti, Abuzimi psikologjik, Abuzimi seksual, Bullizmi, Pornografia, Pedofilia, Dhomat e chat-it, Lojrat online, Njohjet në rrjetet sociale. /MESAZHI/