Ballina Arritje Rreziku për gazetarët që i kundërvihen pushtetit

Rreziku për gazetarët që i kundërvihen pushtetit

Atossa Araxia Abrahamian-Autobomba që vrau gazetaren investigative Daphne Caruana Galizia, të hënën, nuk shpërtheu në Honduras, Afganistan apo në ndonjë vend tjetër, ku mund të prisnim të dëgjonim për dhunën brutale ndaj gazetarëve.

Pajisja shpërtheu pasdite herët, në fund të rrugës ku ndodhet shtëpia e saj në vendin e vogël evropian të Maltës, ku, për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, 53-vjeçarja kishte bërë disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, përgjegjës për korrupsionin politik, ujdi financiare offshore dhe shpërdorim të pushtetit.

Është ende e paqartë se kush ishte pas vdekjes së saj, të cilën politikanët maltezë nga të gjitha partitë e denoncuan gjerësisht si vrasje.

Është gjithashtu e habitshme, se pse policia vendase nuk po e ruante më nga afër atë, duke pasur parasysh se kishte raportuar për kërcënime vetëm dy javë më parë.

Ajo që është e sigurt, është se përveç eliminimit të një jete, një gruaje, një nëne të tre fëmijëve dhe një nga blogeret më popullore të një vendi të vogël, bomba hodhi poshtë përshtypjen se gazetarët që punojnë në demokracitë e zhvilluara evropiane janë të imunizuar – ose të mbrojtur nga – pasoja fatale për punën e tyre.

Muajin e kaluar, koka e prerë, gjymtyrët dhe trupi i Kim Uallit, një shkrimtare suedeze që profilizonte entuziast nëndetësesh në Danimarkë, u gjetën në brigjet e Kopenhagës.

Gjatë vitit të kaluar, Turqia, e cila dikur ishte të paktën nominalisht demokratike, ka burgosur më shumë se 100 gazetarë pa gjyq. Partia qeverisëse e Polonisë ka marrë kontrollin e programeve të radios dhe televizionit publik, duke i dhënë fund pavarësisë së tyre editoriale.

Edhe gazetarët e televizionit në Finlandë – një vend që vazhdimisht renditet në krye të listave globale të lirisë së shtypit – kanë ndjerë presion nga kryeministri i tyre që të mos publikojnë raporte për konfliktet e tij të interesit në biznes.

Nuk është thjesht anektodike. Në një raport të kohëve të fundit, Reporterët pa Kufij vunë në dukje se vendet demokratike “filluan të bien në Indeks” – Indeksi i Lirisë së Shtypit në Botë – “në vitet e fundit dhe sot, më shumë se kurrë, asgjë nuk duket të jetë duke e ndalur këtë rënie”.

Sigurisht, kërcënimet fizike dhe vrasjet mbeten të rralla: Shumica e dëmeve ndaj gazetarëve vijnë në formën e censurës, presionit financiar dhe padive.

Por, vrasja e znj. Caruana Galizia, në një vend të zhvilluar evropian, ilustron se sa shumë rrezikojnë gazetarët që bëjnë presion kundër pushtetit, veçanërisht për gazetarët e pavarur, pa mbështetje institucionale.

Galizia nuk punoi në një redaksi tradicionale. Ajo më parë kishte punuar si redaktore për botimet lokale dhe ka shkruar rregullisht artikuj për “The Malta Independent”, por ajo nisi të shkruajë në blogun e saj, me sa duket sepse kishte shumë më tepër për të thënë, se sa i lejonte një gazetë e përdyjavshme.

Kam shkëmbyer emaile dhe telefonata me të në vitin 2014, ndërkohë që po raportoja për planet kontradiktore të Maltës, për të shitur nënshtetësinë për të huajt e pasur. Faqja e saj në internet ishte një burim informacioni i çmuar, dhe ajo ishte shumë e dobishme.

Mateu Karuana Galizia, djali i saj dhe gazetar e programues për Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigues, zbuloi mbetjet e nënës së tij brenda dhe përreth automjetit të djegur.

Më vonë, të hënën, ai postoi në Facebook: “Nëna ime u vra sepse qëndroi midis sundimit të ligjit dhe atyre që kërkonin ta shkelnin atë, ashtu si shumë gazetarë të fortë.

Por ajo gjithashtu ishte në shënjestër, sepse ishte personi i vetëm që e bënte këtë. Kjo ndodh kur institucionet e shtetit janë të paafta: Personi i fundit që mbetet në këmbë është shpesh gazetar. Kjo e bën atë njeriun e parë që vdes”.

Që nga fillimi i blogut të saj rreth një dekadë më parë, Galizia ishte e pamëshirshme në ekspozimin e asaj që ajo e shihte si korrupsion endemik, brenda këtyre institucioneve.

Ajo dokumentoi korruptimin e zyrtarëve, lidhjet e qeverisë me Azerbajxhanin, madje një kopsht zoologjik ekzotik i menaxhuar nga një shok i kryeministrit.

Ajo shpesh akuzoi kryeministrin Joseph Muscat; shefin e kabinetit të tij, Keith Schembri; dhe ministrin e Energjisë të Maltës, Konrad Mizzi, për nepotizëm, shantazh dhe shkelje të tjera.

Gjatë dy viteve të fundit, emri i saj doli më shpesh në kontekstin e Panama Papers, një rrjedhje e madhe e të dhënave të llogarive bankare offshore, të marra nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues.

Znj. Caruana Galizia nuk ishte pjesë e ekipit raportues dhe nuk kishte qasje në vetë dokumentat.

Ajo megjithatë nuhati skandalin, shumë kohë përpara se një bilbilfryrës ta konfirmonte – dhe kur rrjedhjet treguan se disa prej bashkëpunëtorëve të z. Muscat kishin krijuar llogari bankare në Panama, ajo u mbështet në njohuritë, burimet dhe intuitën e saj për të marrë informacionin, që e çoi të shkruante në blogun e saj, se gruaja e zotit Muscat, Michelle, zotëronte një nga këto kompani. (Zyrtarët maltezë ende e mohojnë këtë).

“Daphne po merrej me çështjen e ministrave dhe kompanive të tyre offshore, para se të dilnin rrjedhjet”, kujton Marina Ualker, zëvendësdrejtore e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investues. “Ajo parapriu dhe pasuroi letrat e Panamasë – dhe ajo punoi vetëm, gjë që është më e vështirë për t’u bërë”.

Zbulimet e znj. Caruana Galizia ishin të rëndësishme, për ta shtyrë z. Muscat që të thërriste zgjedhje të parakohshme në qershor, të cilat ai i fitoi, pavarësisht akuzave për korrupsion. Megjithatë, ajo nuk u tërhoq; vazhdoi të kritikonte Muscatin, por edhe rivalët e tij politik.

“Ajo ishte e patrembur dhe e kishin frikë,” më tha Jason Azzopardi, një anëtar i spikatur i partisë opozitare, në një telefonatë. “Qëllimi i njerëzve që kryen “vrasjen” nuk ishte “thjesht” që ta eliminonte fizikisht, por për të frikësuar dhe tronditur”./bota.al/

Ndikimi i bombës që vrau znj. Caruana Galizia nuk po ndihet vetëm në vendin e saj. Gazetarët në mbarë botën po pyesin: Nëse mund të ndodhë në Maltë, a mund të ndodhë kudo? /Mesazhi/

Exit mobile version