“Qasja pesimiste” ndaj migrimit përqendrohet tek efektet e padëshirueshme që migrimi sjell në vendet e origjinës dhe interpretohet kryesisht përmes teorive të varësisë dhe qasjeve strukturaliste. Sipas kësaj perspektive, migrimi është një proces që i thellon pabarazitë globale, i dobëson vendet më të varfra dhe i bën ato të varura nga vendet e zhvilluara.
Jyxhel SPAHI, Prizren
Migrimi paraqet një proces të lëvizjes së individëve dhe shoqërive nga një vend në një tjetër, kryesisht me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe për arritjen e një niveli më të lartë të mirëqenies. Ky fenomen shpesh karakterizohet me zhvendosje të përhershme, nga një gamë e gjerë faktorësh, duke përfshirë ata të natyrës klimatike, ekonomike, sociale, kulturore, politike dhe edukative. Shkaqe të ndryshme nxisin njerëzit ta ndryshojnë vendin e banimit, duke synuar të gjejnë një ambient më stabil dhe më të përshtatshëm për jetën dhe mirëqenien e tyre.
Migrimi, i cili përgjithësisht përkufizohet si lëvizja e komuniteteve njerëzore nga një vend në tjetrin për shkaqe të tilla të lartpërmendura, ka qenë një problem shoqëror i shumë vendeve ndër vite dhe vazhdon të jetë një problem global me dimensionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Me globalizimin, lëvizjet e migracionit kanë marrë përmasa më të gjera dhe më intensive sesa ndonjëherë më parë në historinë njerëzore. Sidomos përparimet në transport, teknologji, komunikim, media dhe internet kanë bërë që lëvizja e njerëzve të ndodhë më shpejt dhe në shkallë më të gjerë (Giddens, 2008). Castles dhe Miller (2008) e kanë cilësuar shekullin e kaluar si “epoka e migrimit”, megjithëse kjo epokë nuk ka përfunduar, përkundrazi, ndikimi i saj është rritur edhe në shekullin pasues. Në shekullin tonë, migrimi jo vetëm që ka pasur një rritje në sasi, por edhe në shpejtësi, duke shënuar fillimin e një epoke të re të lëvizjeve njerëzore (De Haas, 2010). Migrimi nuk është thjesht një akt individual, por një proces i gjerë që përfshin ndarjen nga vendlindja, shkëputjen nga rrënjët kulturore dhe sfidën e integrimit në një shoqëri të re. Ky fenomen ndikon jo vetëm tek individët, por edhe tek shoqëritë e vendeve pritëse dhe atyre të origjinës, duke u bërë një forcë e fuqishme që e transformon shoqërinë (Castles & Miller, 2008).
Antropologu Michael Kearney e përkufizon migrimin si një proces të zhvendosjes gjeografike. Individët që migrojnë sot i lënë pas vendlindjet e tyre dhe zhvendosen drejt vendeve ku mund të përfitojnë të ardhura më të larta nga puna e tyre. Ndryshimet në mundësitë e punësimit në vende të ndryshme pasqyrojnë një zhvillim ekonomik të pabarabartë, duke theksuar kontrastin midis vendeve (shteteve) të avancuara dhe atyre më pak të zhvilluara (Kearney, 1986). Bazuar në literaturën e shqyrtuar, mund të përfundohet se motivi kryesor që i shtyn njerëzit të migrojnë nga një vend në tjetrin është ai ekonomik. Kushtet e pafavorshme ekonomike në vendin e origjinës janë një faktor shtytës, mundësitë e punësimit dhe mundësia për një jetë më të pasur ekonomikisht në vendin e destinacionit janë disa faktorë tërheqës kritik, por pa dyshim që migrimi nuk ka vetëm një motiv të vetëm. Pra, përveç faktorëve ekonomikë, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që lidhen me gjendjen ose kushtet e përgjithshme në një vend si dhe aspekte të tjera, si gjendja politike, kultura, siguria, përfshirë dhe luftërat, etj. Historikisht, shqiptarët kanë migruar në periudha të ndryshme, duke i braktisur vendet e tyre për shkak të shtypjes, dhunës, luftërave etj. Megjithatë, migrimi i kosovarëve pas luftës së fundit kryesisht shoqërohet me kërkimin e kushteve më të mira të jetesës.
Migrimi, si një dukuri komplekse, sjell me vete si përfitime, ashtu edhe sfida. Qasja optimiste e sheh atë si një mundësi për zhvillim, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Banka Botërore (2009) kanë vënë në dukje se migrimi ofron avantazhe të konsiderueshme për zhvillim, si për individët, ashtu edhe për shoqëritë, duke nënvizuar rolin e tij në rritjen ekonomike, transferimin e fondeve, rritjen e fleksibilitetit të fuqisë punëtore etj. (Özmete & Arslan, 2018). Përkrahësit e qasjes optimiste argumentojnë se shumë emigrantë, të cilët fillimisht largohen për të punuar si punëtorë të thjeshtë, me kohë bëhen sipërmarrës dhe investojnë në vendin pritës ose në vendin e tyre të origjinës (Aktaş, 2014). Kjo mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes hapjes së bizneseve të reja, investimeve dhe transferimit të teknologjisë dhe njohurive. Megjithatë, një sfidë kryesore është se jo të gjithë emigrantët kthehen në vendin e tyre të origjinës. Nëse ata zgjedhin të qëndrojnë përgjithmonë në vendin e destinacionit, atëherë përfitimet e akumuluara të migrimit do të shkojnë për këtë vend dhe jo për vendin e origjinës. Një ilustrim i kësaj është bashkësia shqiptare në Europë, e cila, në vend të kthimit në vendet e tyre të origjinës (Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut etj.), ka vendosur të investojë dhe të zhvillojë aktivitete ekonomike në vendet pritëse.
Nga ana tjetër, “qasja pesimiste” ndaj migrimit përqendrohet tek efektet e padëshirueshme që migrimi sjell në vendet e origjinës dhe interpretohet kryesisht përmes teorive të varësisë dhe qasjeve strukturaliste. Sipas kësaj perspektive, migrimi është një proces që i thellon pabarazitë globale, i dobëson vendet më të varfra dhe i bën ato të varura nga vendet e zhvilluara. Në këtë kontekst, migrimi shpjegohet si një mekanizëm që e favorizon kapitalin dhe fuqitë ekonomike të mëdha, duke siguruar fuqi punëtore të lirë për tregjet e vendeve të zhvilluara (Aktaş, 2014). Veçanërisht, “ikja e trurit” (brain drain) konsiderohet si një element kritik që e përkeqëson gjendjen e vendeve më pak të zhvilluara. Kur profesionistët dhe punëtorët me kualifikim të lartë largohen nga vendlindja për të kërkuar një jetë më të mirë në vende të tjera, vendi i tyre i origjinës pëson humbjen e një burimi të çmuar njerëzor dhe intelektual. Kjo gjendje reflektohet edhe në raportin e vitit 2023 të “Balkans Policy Research Group”, i cili tregon se 40 për qind e mjekëve të regjistruar në Kosovë kanë emigruar gjatë viteve të fundit, ndërsa 70 për qind e infermierëve kanë shprehur dëshirë për të braktisur vendin. Gjithashtu, raporti zbulon se 50 për qind e mjekëve të rinj që i përfundojnë studimet e tyre nuk fillojnë të punojnë në Kosovë, duke preferuar të shkojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Shumë studime mbi migrimin fokusohen kryesisht në efektet ekonomike dhe zhvillimore, por nuk u kushtojnë vëmendje të duhur pasojave negative që ai mund të ketë, siç janë shkatërrimet në strukturën sociale, problemet shoqërore dhe ndikimet mbi vendet e braktisura, vendet pritëse, vetë emigrantët dhe komunitetet vendase që i presin ata. Gjithashtu, nuk është analizuar mjaftueshëm se si këto ndikime pasqyrohen në procesin e zhvillimit ekonomik dhe social. Një nga vështirësitë kryesore të këtij procesi është përshtatja kulturore dhe sfidat e komunikimit midis kulturave të ndryshme, të cilat ndikojnë në jetën e emigrantëve dhe në marrëdhëniet shoqërore në vendet pritëse. Në të njëjtën kohë, migrimi përfshin bashkimin e kulturave të ndryshme, gjë që shpesh shkakton vështirësi në përshtatjen e emigrantëve dhe në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Përplasjet kulturore, keqkuptimet dhe barrierat gjuhësore janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë proces.
Mund të konstatojmë se migrimet kanë qenë një fenomen i gjallë dhe i vazhdueshëm gjatë historisë, duke ndikuar në shoqëri në mënyra të ndryshme dhe duke lënë pasoja të dëmshme në procesin e zhvillimit socio-ekonomik të vendeve. Në këtë shkrim, duke marrë si shembull edhe situatën e Kosovës, theksohet nevoja për uljen e shkallës së migrimeve për të zvogëluar efektet e tyre negative në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo çështje, së bashku me sfidat dhe mundësitë që sjell migrimi, do të diskutohet në mënyrë më të thelluar në vazhdimin e këtij shkrimi.
Dukuria e migrimit tek shqiptarët kosovarë
Pas Luftës së Dytë Botërore, mungesa e fuqisë punëtore në Europë i nxiti disa shtete, si Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika dhe Austria, të rekrutonin emigrantë për ta mbështetur zhvillimin ekonomik (Kanbir, 2016). Punëtorët e huaj u panë si plotësues të tregut të punës dhe kontribuuan në mirëqenien ekonomike dhe sociale (Seyidoğlu, 2015). Gjatë kësaj periudhe, shumë shqiptarë nga ish-Jugosllavia e panë emigrimin si një rrugë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të familjeve të tyre, që qëndronin në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, duke përfituar nga nevoja e madhe për fuqi punëtore në vendet e Europës Perëndimore.
Statistikat zyrtare tregojnë se, nga viti 1948 deri në 2022, afërsisht 1 milion kosovarë të lindur në Kosovë janë vendosur jashtë territorit të vendit. Migrimi nga Kosova ka filluar që në vitet ’60-të, por shpërngulja më e madhe u shënua gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pas luftës, sfidat socio-ekonomike e përshpejtuan edhe më tej këtë dukuri. Kosova ka përjetuar disa valë migrimi, kryesisht drejt vendeve të Europës, ku nga viti 1969 deri më 2011 numri i kosovarëve që kanë emigruar dhe atyre me rrënjë kosovare vlerësohej në afërsisht 703,978, ndërsa në fund të vitit 2020 kjo shifër u rrit në 885,862. Shumica e emigrantëve kosovarë janë vendosur në Gjermani (39 për qind), Zvicër (23 për qind), Itali (7 për qind), Austri (7 për qind) dhe Suedi (7 për qind), ndërsa 17 për qind gjenden në vende të tjera.
Rënia e popullsisë në Kosovë është një fenomen kompleks, që ndërlidhet me disa faktorë, duke përfshirë migrimin, rritjen e mortalitetit dhe uljen e lindshmërisë, siç raporton ASK. Kur këtyre faktorëve u shtohen migrimet e vazhdueshme dhe liberalizimi i vizave, kjo çështje nuk mbetet vetëm socio-ekonomike, por fiton edhe një dimension politik.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), popullsia e vendit ka rënë ndjeshëm, duke shkuar në 1,586,659 banorë, krahasuar me 1,739,825 banorë në vitin 2011. Kjo përfaqëson një zvogëlim prej rreth 8.8 për qind të popullsisë në këtë periudhë. Vetëm gjatë vitit 2022, afërsisht 41,500 qytetarë e kanë braktisur vendin, kryesisht të rinj në moshë pune, me një përqendrim të veçantë në grupmoshat 15-29 vjeç.
Një nga destinacionet kryesore të këtyre emigrantëve është Gjermania. Sipas Institutit GAP, atje jetojnë rreth 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, prej të cilëve 300 mijë kanë lindur në Kosovë. Mbështetur në të dhënat e 12 viteve të fundit, si arsyet kryesore të migrimit raporti i identifikon kushtet e vështira ekonomike, mungesën e punësimit dhe kërkimin e një jete më të mirë, duke konfirmuar vazhdimësinë e këtij trendi. Sipas Bankës Botërore, faktori shtytës i emigrimit të tyre është papunësia e lartë dhe pamundësia për të përparuar ekonomikisht.
Liberalizimi i vizave për zonën Schengen në vitin 2024 ka ndikuar gjithashtu në këtë trend. Siç raporton Riinvest, emigrimi i punëtorëve po bëhet një sfidë serioze për bizneset në Kosovë, me rreth 17.59 për qind të punonjësve që planifikojnë të emigrojnë vitin e ardhshëm dhe ky numër mund të arrijë deri në 32.72 për qind. Për ta frenuar këtë eksod, 79 për qind e bizneseve i kanë rritur pagat mesatarisht me 22.23 për qind, ndërsa të tjerët po planifikojnë përmirësimin e kushteve të punës, punësimin e grave dhe investimin në automatizimin e proceseve.
Vitet e fundit ndër çështjet e diskutuara në Kosovë ka qenë ikja e trurit, si një nga lëvizjet e migrimit. Në këtë migrim kryesisht ishin nga sektori i shëndetësisë, si mjekët, infermierët etj, por po ashtu kishte migrim edhe nga sfera të tjera, siç janë inxhinierët, në veçanti programerët dhe njerëz nga fusha të ngjashme. Migrimi i trurit pa dyshim që sjell një humbje të madhe në aspektin social, kulturor dhe ekonomik për vendin. Kjo humbje e potencialit njerëzor është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur Kosova po përballet me një rritje të migrimit në përgjithësi, e cila është intensifikuar nga liberalizimi i vizave me shtetet europiane. Pas liberalizimit të vizave, Banka Botërore tha se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore, ashtu si edhe në të kaluarën. “Migrimi mund të ushtrojë presione për paga më të larta dhe kjo mund të nxjerrë më shumë qytetarë nga mospjesëmarrja në tregun e punës”, thanë nga Banka Botërore. Kjo situatë nuk paraqet vetëm një sfidë ekonomike, por gjithashtu një rrezik për stabilitetin afatgjatë të vendit, duke e bërë të domosdoshme një ndërhyrje të shpejtë dhe të qëndrueshme.
Rënia e numrit të banorëve dhe migrimi masiv janë probleme të rëndësishme për Kosovën, duke ndikuar jo vetëm në strukturën e popullsisë, por edhe në ekonominë dhe shoqërinë e saj. Përballja e këtyre sfidave kërkon qasje të integruara, duke përfshirë politikat për përmirësimin e kushteve ekonomike, krijimin e mundësive të reja të punësimit dhe ruajtjen e talentit lokal. Pa ndërhyrje efektive, migrimi do të vazhdojë të jetë një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Prandaj, është jetike që qeveria dhe institucionet përkatëse të marrin masa të qarta për ta përmbysur këtë trend dhe për të krijuar një mjedis ku qytetarët të mos ndihen të detyruar të emigrojnë për të gjetur një të ardhme më të mirë jashtë vendit.
Pasojat e migrimit dhe zgjidhjet e mundshme
Sipas teorisë së ndërsjelljes dhe polarizimit të Myrdal, zhvillimi kapitalist i intensifikon pabarazitë, duke e ndarë botën në vendet e zhvilluara dhe ato të pazhvilluara. Vendet e zhvilluara e tërheqin fuqinë punëtore më të aftë, ndërsa vendet e varfra e humbasin kapitalin njerëzor, duke përjetuar një rrjedhje të vazhdueshme të burimeve. (De Haas, 2010). Ky fenomen jo vetëm që i thellon pabarazitë e vendeve, por gjithashtu ndikon në zhvillimin ekonomik dhe strukturën sociale të vendeve që përjetojnë humbje të popullsisë. Largimi i fuqisë punëtore aktive e ngadalëson rritjen ekonomike dhe i dobëson tregjet e vendeve më pak të zhvilluara, pasi këto vende që humbasin popullsi, i humbasin edhe avantazhet ekonomike, duke e bërë më të vështirë rimëkëmbjen dhe zhvillimin e tyre (Öztürk & Altuntepe, 2008). Ata që largohen lënë pas vetes një popullsi që përballet me sfida të mëdha zhvillimi, ndërsa vendet (shtetet) që përfitojnë nga migrimi fuqizohen ekonomikisht dhe fitojnë burime të reja (Tekeli, 2008). Kjo e bën ndikimin e migrimit në zhvillim një çështje të debatit. Edhe pse disa e shohin atë si një mjet zhvillimi, pasi ndihmon në ekuilibrimin e tregjeve të punës dhe sjell rritje ekonomike për vendet pritëse, shumë të tjerë argumentojnë se ai i përkeqëson pabarazitë midis vendeve që humbasin popullsi dhe atyre që fitojnë.
Përtej arsyeve ekonomike, migrimi ndikohet edhe nga faktorë kulturorë dhe socialë. Vendosja në një kulturë të re shpesh sjell sfida integrimi, pasi emigrantët mund të përballen me përjashtim dhe vështirësi në përshtatje. Megjithatë, disa emigrantë ndjehen më rehat në vendet ku kanë komunitete me të njëjtën kulturë, ndërsa të tjerë mund të kenë përkatësi sociale të ndryshme nga kultura e vendit ku jetojnë, duke krijuar sfida të tjera në procesin e integrimit. Prandaj migrimi mbetet një fenomen kompleks, me ndikime të shumanshme në zhvillimin ekonomik, strukturën shoqërore dhe dinamikat kulturore të vendeve të përfshira.
Migrimi, siç u pa më lart, është një faktor i rëndësishëm për Kosovën, që ndikon jo vetëm në përbërjen e popullsisë, por edhe në progresin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në të kaluarën, ai ishte kryesisht një mjet mbijetese për shumë familje që përfituan nga remitencat e diasporës. Megjithatë rrethanat kanë ndryshuar dhe sot migrimi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sfidë për të ardhmen e vendit. Liberalizimi i vizave dhe mundësitë e reja për punësim në vendet perëndimore e kanë lehtësuar këtë proces, duke hapur mundësi për një depopullim dhe një efekt zinxhir të largimit të popullsisë, veçanërisht të të rinjve dhe fuqisë punëtore të kualifikuar.
Përpos këtyre, edhe faktorë të tjerë, si pritshmëria për arsim dhe shërbime shëndetësore më cilësore, siguria dhe kushtet e përgjithshme të jetesës, luajnë një rol të rëndësishëm në vendimin për të migruar. Përmirësimi i këtyre faktorëve dhe hartimi i politikave të qëndrueshme mund të ndihmojnë në zvogëlimin e migrimit dhe në krijimin e një zhvillimi më të balancuar të vendit.
Duke pasur parasysh këto sfida dhe ndikimet e migrimit në vend, është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë për ta menaxhuar këtë fenomen. Për t’i adresuar sfidat e migrimit dhe për ta ndalur eksodin e popullsisë, është e nevojshme të përmirësohen kushtet ekonomike përmes krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së pagave për të siguruar një standard jetese më të lartë. Njëkohësisht, duhet investuar në arsim dhe aftësim profesional, për t’u ofruar të rinjve mundësi për të gjetur punë në vend. Zhvillimi i infrastrukturës, duke përfshirë transportin, shërbimet shëndetësore dhe strehimin, është thelbësor për të rritur cilësinë e jetës dhe për të krijuar një ambient më tërheqës. Për më tepër, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe nxitja e sipërmarrjes, janë hapa të rëndësishëm për të stimuluar zhvillimin ekonomik. Së fundi, politikat që inkurajojnë kthimin dhe riintegrimin e diasporës, duke ofruar stimuj për ata që dëshirojnë të rikthehen dhe të investojnë në Kosovë, janë të domosdoshme për ta kthyer këtë trend negativ dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme.
Nëse këto masa zbatohen me seriozitet dhe përkushtim, ato mund të ndihmojnë në uljen e shkallës së migrimit dhe të krijojnë më shumë mundësi për qytetarët që të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt në vendin e tyre.
Me fjalë të tjera, parandalimi i migrimit nuk mund të arrihet përmes masave të izoluara, por kërkon një strategji të koordinuar midis qeverisë, sektorit privat, sistemit arsimor dhe diasporës. Duke krijuar një mjedis ekonomik dhe social të qëndrueshëm, Kosova mund ta ulë presionin e emigrimit dhe ta kthejë migrimin në një proces të menaxhuar, i cili jo vetëm që do ta stabilizojë tregun e punës, por edhe do të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe prosperitetin kombëtar.
Burimet:
• Aktaş, Y. (2014). Göç ve kalkınma ilişkisi: Teorik ve ampirik bir bakış. Nobel Yayın Dağıtım.
• Castles, S., & Miller, M. J. (2008). The age of migration: International population movements in the modern world (4th ed.). Palgrave Macmillan.
• De Haas, H. (2010). Migration and development: A theoretical perspective. International Migration Review, 44(1), 227-264.
• Giddens, A. (2008). Sociology (6th ed.). Polity Press.
• Kanbir, Ö. (2016). Göç ve toplumsal değişim: Avrupa’da iş gücü göçü ve sosyal dönüşüm. Beta Yayınları.
• Kearney, M. (1986). From the invisible hand to visible feet: Anthropological studies of migration and development. Annual Review of Anthropology, 15(1), 331-361.
• Özmete, E., & Arslan, E. (2018). Göç ve kalkınma ilişkisi üzerine teorik bir değerlendirme. Göç Araştırmaları Dergisi, 4(2), 179-198.
• Öztürk, M., & Altuntepe, K. (2008). Türkiye’de göç hareketleri ve toplumsal etkileri. Hacettepe Üniversitesi Yayınları.
• Seyidoğlu, H. (2015). Uluslararası iktisat: Teori, politika ve uygulama (21st ed.). Güzem Can Yayınları.
• Tekeli, İ. (2008). Göç ve kentleşme süreçleri: Teorik bir çerçeve. İstanbul Üniversitesi Sosyoloji Dergisi, 18(1), 165-185.
Burimet online:
https://www.dw.com/sq/kosovar për qindC3 për qindABt-tani-emigrojn për qindC3 për qindAB-n për qindC3 për qindAB-m për qindC3 për qindABnyr për qindC3 për qindAB-t për qindC3 për qindAB-rregullt/a-50303471
https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/-mbi-1-milion për qindC3 për qindAB-qytetar për qindC3 për qindAB-t për qindC3 për qindAB-lindur-n për qindC3 për qindAB-kosov për qindC3 për qindAB-jetojn për qindC3 për qindAB-n për qindC3 për qindAB-vende-t për qindC3 për qindAB-huaja-/2929490
https://www.undp.org/sites/g/files/zskgke326/files/migration/ks/hdr_alb_dec24.pdf
/revistashenja