Prishja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në nivelin qendror po ndikon edhe në rrezikimin e koalicioneve mes këtyre dy subjekteve politike në nivel lokal.
Së fundmi ka pasur një prishje të koalicionit në Prizren, ku kryetari i kësaj komune Mytaher Haskuka, i ka shkarkuar drejtorët e Lidhjes Demokratike.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Vushtrri ku partnerë në pushtetin lokal janë këto dy forca politike.
Kjo pasi që nënkryetari i Vushtrrisë Besim Muzaqi, që vjen nga partia e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, nuk po shihet përkrah kryetarit Xhafer Tahiri, në aktivitetet e komunës.
Ai nuk u pa as në konferencën që e mbajti në këtë qytet, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
E kreu i Vushtrrisë tha për Kosova Press se një vendim i tillë i takon Lëvizjes Vetëvendosje, nëse dëshiron të vazhdojë apo jo të jetë në koalicion.
“Unë kam ndërtuar një koalicion me qëllim që t’i shërbejmë qytetarëve të Vushtrrisë deri në fund të mandatit. Nuk do të kisha dashur që të ndikohemi nga bindjet partiake dhe të ndodhë ajo që ndodhi në Prizren, që për shkak të bindjeve partiake të dëmtohet qeverisja në funksion të qytetarëve të Prizrenit. Vendimi i takon LVV-së, nuk është vendim i yni… Ne kemi pasur deri tash bashkëpunim të mirë në qytetin e Vushtrrisë në funksion të arritjes së objektivave që i kemi dhënë si qeverisje komunale por çka do të ndodh tutje nuk varet nga ne por nga ata”.
Tahiri u shpreh se deri më tani ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer mes parterëve të koalicionit, por se ka bashkëpunim të mirë edhe me Qeverinë Hoti.
“Qeveria e Republikës së Kosovës funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Kosovës, në çdo kohë duhet të kemi një qeveri që ka legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Si komunë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me qeverisjen e kaluar kemi bashkëpunim edhe me këtë qeveri, sepse për mua si kryetar i Komunës më e rëndësishmja është qytetari i Vushtrrisë që t’i ofrojmë shërbime efikase dhe ta mbrojmë nga koronavirusi. Kemi përkrahje të kësaj qeverie të plotë”.
Numri një i Vushtrrisë foli edhe për situatën e krijuar me Covid-19.
Tahiri tha se pandemia i ka shkaktuar ekonomisë së qytetit dëme të mëdha.
“Dëmet nga Covid-19 në ekonominë e Vushtrrisë janë të pa llogaritshme, ne po bëjmë një studim tani për ndikimin e Covid-19 në ekonominë e Vushtrrisë, në mënyrë që të identifikojmë masat që do të marrim për t’i adresuar këto dëme. Këtë studim do ta paraqesim qeveris së Kosovës, kuvendit dhe donatorëve për të ndihmuar Vushtrrinë për rimëkëmbje ekonomike…Ajo që mund të ju them deri në këtë moment është që vetëm pako ekonomike e komunës e aprovuar me qëllim të lehtësimit të ngarkesës për biznese dhe për ekonomitë familjare i ka kushtuar komunës 300 mijë euro në të hyra, që nuk do të mund t’i mbledhim….Pra ndikimi është zingjirorë”.
Komuna e Vushtrrisë është një nga komunat me numrin më të madh të rasteve të prekur me Covid-19.