Në botë ekzistojnë pesë lloje rinocerontësh: i bardhë, i zi, indian, xhavan dhe sumatran. Të gjithë kërcënohen nga gjuetia e fildishit dhe disa janë shumë të rrezikuar.
Arsyeja? Brirët e tyre. tipari dallues i rinocerontëve është shumë i kërkuar në mjekësinë aziatike sepse grihet dhe përdoret për të trajtuar gjithçka, deri edhe kancerin pavarësisht se nuk ka asnjë fakt shkencor që të vërtetojë nëse funksionon.
Gjuetia e fildishit si dhe shkatërrimi i habitatit ka sjellë uljen e popullatave të rinocerontëve në Afrikë, Indi dhe Azinë juglindore.
Shkencëtarët e Afrikës së Jugut duket se kanë gjetur një zgjidhje, rinocerontët radioaktivë.
Një ekip nga Universiteti i Witwatersrand ka nisur implementimin e çipave të vegjël radioaktivë në brirët e rinocerontëve.
Prof. Nithaya Chetty, dekani i shkencave tha se materiali radioaktiv e bën bririn të padobishëm dhe madje helmues për njerëzit. Megjithatë, doza nuk përbën rrezik për rinocerontët apo mjedisin rreth tyre. Gjithashtu këta gjitarë të mëdhenj nuk ndiejnë as dhimbje nga implementimi i çipit.
20 rinocerontë do të jenë pjesë e projektit pilot “Rhisotope” gjatë të cilit do të injektohet një dozë mjaftueshëm e fortë për të ndezur detektorët e instaluar në pikat kufitare ndërkombëtare.
Projekti ka nisur në Jetimoren e Rinocerontëve në Limpopo, provincën më veriore të Afrikës së Jugut. Veç Zimbabveve dhe Namibisë, në këtë vend jeton popullata më e madhe e rinocerontëve.