Përdorimi i siluetës së Qabes si një dekorim i thjeshtë skenik blasfemues në një festival argëtues në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, është një akt i cili bie në kundërshtim me vlerat e Islamit dhe përsëritja e këtij akti për të disatën herë lëndoi thellë të gjithë besimtarët.
Përdorimi i një nga simboleve më të rëndësishme të muslimanëve për aktivitete të tilla të paligjshme dhe imorale është fjalë për fjalë një shkelje e shenjtërive në Islam.
Qabeja nuk është pronë e asnjë fisi, populli, kombi apo shteti. Është gjëja më e shenjtë për dy miliardë muslimanë në tokë. Qabja Madhështore, që nga Ademi deri tek më i fundit i profetëve, i dashuri ynë Muhamedi paqja qoftë mbi të, është tempulli më i lartë i të gjithë profetëve. Është kibla dhe vendi i pelegrinazhit të Umetit, simbolika më e madhe e Islamit, simboli më i shenjtë dhe shenja unike e monoteizmit dhe unitetit. Është Mesxhid el-Haram, që domethënë një vend i respektuar dhe i pacenueshëm.
Deklaratat e bëra nga disa zyrtarë mbi kundërshtimet që linden nga bota islame ndaj këtij mosrespekti janë njësoj si me thënë “një kërkesë falje me e madhe se vetë faji”. Këto thënie të paqëndrueshme zbulojnë se ose këta funksionarë nuk e dinë vlerën e Qabes sa duhet, ose se e bëjnë këtë me vetëdije të plotë, që në të dyja rastet janë situata fatale në vetvete. Heshtja e dijetarëve sauditë, të cilët prej vitesh nuk e kanë konsideruar të lejuar përdorimin e modelit të Qabes qoftë edhe për t’ua mësuar fëmijëve Haxhin dhe Umren, është një fatkeqësi më vete.
Fakti që kjo paturpësi ndodhi pikërisht gjatë këtyre ditëve të një fatkeqësie që vazhdon ende në Gaza, në ditët më të vështira të historisë së koheve të fundit për muslimanët, në kohën kur po ndodhnin vrasjet dhe masakrat më mizore, la një dhimbje të pashlyeshme në zemrat tona.
Mbrojtja e madhështisë së Qabes, e cila është simboli më i madh dhe më i shenjtë i muslimanëve, është e drejtë e natyrshme e çdo besimtari që beson në Zotin e Qabes me mendje, zemër dhe shpirt.
Nga Mehmet Gormez