Një djalë i ri erdhi të më pyeste për një mesele, në një çështje që i interesonte dhe më tha: A është e vërtetë, se ti, kur ke qenë drejtor për xhamitë, i ke këshilluar imamët, ndërkohë që po mbajnë hytben, të mos urdhërojnë askënd që është ulur ndejë të xhami, të mos çohet për të falur dy rekatë namaz, tehijetul-mesxhid (përshëndetja e xhamisë), e të mos urdhërojnë për tu ulur, ata që dëshirojnë t’i falin këto dy rekatë?
I thashë: Po, kush hyn dhe imami po mban hytben, ulet e ne nuk e urdhërojmë për asnjë gjë dhe kush fillon të falë dy rekatë namaz, e lëmë dhe nuk e ndalojmë për të. Nuk dua të nxis përçarje dhe as të ndez fitne!
Tha: Sikur ti, e miraton lënien e sunetit?
I thashë: Sikur të ishte konfirmuar se ato dy rekatë janë sunet, askush nuk do ta kishte lënë. Imam Maliku dhe Ebu Hanife janë të mendimit se është sunet dëgjimi me vëmendje i hatibit, ndërsa Imam Shafiu dhe Ahmedi mendojnë se është sunet, së pari të falen dy rekatë tehijetul-mesxhid (përshëndetja e xhamisë). Kështu që, njerëzit të zgjedhin çfarë të duan!!
Tha: Përse i barazove të dy mendimet?
I thashë: 99 % e hytbeve të Pejgamberit (a.s) kanë qenë Kur’an, që lexohej për namazlitë dhe dëgjimi me vëmendje i tij ëshë vaxhib (detyrë). Imagjino, që i Dërguari i Allahut e urdhëroi atë njeri të falë namaz, pastaj vazhdoi në hytben e tij.. është e palogjikshme, sepse ne kur mbajmë hytbe besojmë se të gjithë duhet të na dëgjojnë, e jo të na dëgjojnë një pjesë dhe të tjerët të falen!! Kush e ka pranuar hadithin e transmetuar për këtë çështje, ka thënë që, ai është sipas shprehjes së juristëve (fukahave) situatë e rastit, apo çështje e veçantë. Ai njeri ishte në një gjendje të dhimbshme dhe Pejgamberi (a.s) kishte dëshirë të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, në mënyrë që t’i jepnin sadaka (lëmoshë), përndryshe urdhri i përgjithshëm është që të pranishmit të dëgjojnë hytben..!
Djaloshi tha: Këto fjalë janë të papranueshme. Nuk i takon Imam Malikut dhe Ebu Hanifes të refuzojnë një sunet të konfirmuar!
I thashë: Nuk ka asnjë mysliman, që refuzon një sunet të konfirmuar. Kundërshtimi a është sunet? I kam lënë të dy mendimet e përhapura ndër njerëz, kush dëshiron falet dhe nuk e urdhëroj të ulet, e kush dëshiron ulet ndenjur dhe nuk e urdhëroj të ngrihet e të falet!! Nuk lejoj potere në xhami! Nëse i Dërguari ynë na ka mësuar se muxhtehidi (interpretuesi) është i shpërblyer, gaboi apo ia qëlloi, atëherë përse t’i them atij që mendoj se është i gabuar: Qofsh i mallkuar dhe nuk do të lë ta shikosh mendimin tënd! Unë zbatoj fjalën e Tij (xh.sh): “Dhe, mos u bëni si ata, të cilët u përçanë e u konfliktuan, pasi që u erdhën sqarimet”.
Mbeta i befasuar prej djaloshit, që më thoshte: Ju talleni me sunetin!
I thashë: Bashkoju xhematit, në atë që mbledh çështjen e myslimanëve dhe lufto nën flamurin e tyre! Ndërsa, kur mendimet ndryshojnë, mos përhap fitne dhe të fanatizohesh ndaj një medhhebi të veçantë, sepse të tërë myslimanët janë vëllezër!
***
Një djalë tjerë më tha: Përse i mbani hytbet nëpër xhamia në minbere, që ndoshta ndonjë prej tyre arrin nëntë shkallë, duke ditur se minberi i hytbes në kohën e Pejgamberit (a.s), nuk ka qenë më i lartë se tre dhëmbë shkallë?
E shikova për pak çaste, pastaj i thashë: E, përse faleni në xhaminë e shtruar me tapet, apo me diçka tjetër, ndërkohë që në kohën e Pejgamberit (a.s) ka qenë e shtruar me rrogoza, apo me dhè??
Transmeton Buhariu se Pejgamberi (a.s) duke kërkuar Natën e Kadrit, ka bërë sexhde në ujë dhe baltë, sepse ra shi dhe xhamia nuk kishte çati, siç ka sot!
Çatia e saj ishte prej degëve të hurmave (palmave), dhe a është sunet t’i heqim tapetat prej xhamive, e t’ia kthejmë degët e hurmave dhe trungjet e tyre?
O ti djalë, e shembuj të tjerë si ti, ju nuk arrini ta kuptoni fenë, e as dynjanë. Mendimet tuaja fëminore për Islamin dhe jetën, nuk i shërbejnë, përveçse armiqve të Islamit. Më ka gëzuar pa masë zgjerimi i fundit i dy Haremeve të Shenjta dhe dëshiroja që mermeri i shtrenjtë t’i kishte shtruar të gjitha Shtëpitë e Allahut, e minberet të lartësoheshin si kulla, duke pushtuar horizontet me tekbire dhe teuhid.
Mirëqenia, madhështia dhe bukuria janë të kërkuara në arkitekturën e objekteve të kultit, shkollat e dijes dhe dispozitat e vërteta. Kur mbaja hytbe në Universitetin e Ez’herit, ndjeja kënaqësi, sepse unë shikoja safat (rreshtat) përpara meje dhe e shikoja gjendjen e dëgjuesve..
E megjithatë, kryesorja është sundimi i rrymës së besimit, dëgjimi i të pranishmëve, bashkimi i rreshtave në unitet dhe vëllazëri dhe gatishmëria e tyre për sakrificë e vetëmohim. Asgjë prej saj nuk mund të arrihet, vetëm se me gumëzhitjen e Kur’anit në zemra, lidhjen e ymetit me historinë dhe trashëgiminë e vet dhe rendjen e tij në fushat e punës me seriozitet..
Unë shpresoj që myslimanët ta kenë të qartë se çfarë kanë përpara tyre. Ndoshta dikur kemi mbyllur sytë ndaj disa ndasive medhhebore, ndërsa nxënia e myslimanëve tashi, me këto ndasi, ato nuk kryhen, vetëm se, për llogari të sionizmit dhe kolonizimit.
Shejkh Muhamed El-Gazali
Nga: Hoxhë Lavdrim Hamja