Ballina Artikuj Rreth Kadasë dhe Kaderit: Dallimi midis vullnetit dhe pajtimit hyjnor

Rreth Kadasë dhe Kaderit: Dallimi midis vullnetit dhe pajtimit hyjnor

Gjatë shqyrtimit të kadasë dhe kaderit duhet patjetër të bëjmë dallimin midis vullnetit dhe pajtimit. Allahu i Madhëruar – me vullnetin e Tij – dëshiron gjithçka ndodh dhe do të ndodhë në këtë gjithësi; asnjë lëvizje nuk ndodh përveçse me lejen Vullnetin dhe Dëshirën e Tij. Nëse Allahu i Madhëruar dëshiron diçka, ajo bëhet, e nëse nuk dëshiron të bëhet, ajo nuk bëhet. E gjithë kjo ndodh me urtësinë e Allahut të Madhëruar, i Cili është i Urti dhe i Dijshmi. Allahu i Madhëruar thotë: “Por ju nuk mundeni vetëm nëse dëshiron Allahu, Zoti botëve.”[1]

Allahu i Madhëruar – me vullnetin e Tij – dëshiron që të ekzistojnë besimi, e Vërteta, e mira, vlerat e mira dhe është i pajtuar e i kënaqur me to. Ai – me vullnetin e Tij – dëshiron që të ekzistojnë mosbesimi, e keqja dhe e kota, mirëpo nuk është i kënaqur dhe i pajtuar me to. I dëshiron këto, sepse Ai i ka dhënë njeriut të drejtën për të vendosur midis të mirës dhe të keqes, pa detyruar askënd që të zgjedhë. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull, por deshi t’ju sprovojë në atë që ju dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi është te Allahu, e Ai do t’jua bëjë të njohur atë për të cilën kundërshtoheshit.”[2] Domethënë, sikur Allahu të donte t’ua impononte njerëzve diçka, do t’i kishte bërë të gjithë ata një popull, në një fe. Mirëpo Ai ju la të lirë që të zgjidhni, sepse Ai ju krijoi që t’ju sprovojë juve. Allahu i Madhëruar thotë: “Për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.”[3]

Kështu që nëse dëshironi të fitoni në garën e përjetësisë për të qenë pranë Krijuesit Madhështor në Xhenet dhe të largoheni nga dënimi i Tij, garoni për të bërë vepra të mira, sepse tek Ai është kthimi, atje është shpërblimi i madh ose dënimi i ashpër. Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm te Ne kthimin e kanë. E llogaria e tyre është detyrë vetëm e jona.”[4] Po kështu këtë e sqarojnë edhe ajetet kuranore në suren En’am: “Po të kishte dashur Allahu do t’i kishte tubuar në rrugë të drejtë; po ti mos u bëj nga të padijshmit.”[5] “Sikur të donte Allahu, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të kemi bërë rojtarë të tyre e as që je përgjegjës për ta.”[6] “Po, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të ishin kështu, prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre.”[7]“Thuaj: Allahu ka argumentin më të plotë dhe sikur të donte Ai, do t’ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve.”[8]

Nga ajeti i fundit kuptojmë se: sikur Allahu i Madhëruar të donte t’i detyronte njerëzit për të bërë diçka, do t’i detyronte ata të udhëzoheshin në rrugë të drejtë, mirëpo Ai i ka lënë njerëzit të lirë të vetëvendosin për veprat e tyre, me qëllim që edhe sprova dhe testimi të zhvillohet. Nuk ka dyshim se liria që Allahu i ka dhënë njeriut për të zgjedhur është tregues i respektit dhe lumturisë për ju.

Ajetet e lartpërmendura në suren En’am si dhe ajete të tjera të ngjashme, tregojnë qartë se Allahu i Madhëruar i dhuroi njeriut lirinë e veprimit gjatë testimit (provimit) që të fitojë e të jetë i lumtur. Allahu i Madhëruar e obligoi atë të kryejë ato vepra që do ta shpëtojnë dhe ia ndaloi veprat që janë shkak që ai të dënohet e të ndëshkohet. Nëse njeriu i përgjigjet thirrjes së Zotit, kjo është ajo ç’ka Allahu – me vullnetin e Tij – dëshiron dhe është i kënaqur me të, e nëse vepron keq, kjo ndodh me lejen e Allahut, por Ai nuk është i kënaqur me atë veprim. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ju nuk besoni, Allahu nuk ka nevojë për ju, megjithatë Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju. Sakaq, asnjë mëkatar nuk do të bartë barrën e tjetrit. Pastaj e ardhmja e juaj është vetëm te Zoti i juaj, e Ai do t’ju njoftojë atë që e keni vepruar. Vërtet, Ai di shumë mirë se çfarë mbartin zemrat.”[9]

I dashur lexues! Le të japim një shembull që të kuptoni më mirë dallimin midis vullnetit të Allahut dhe pajtimit, apo kënaqësisë së Tij. Çdo prind e do fëmijën e vet, atij i dëshiron sukses dhe lumturi në jetë. Por nëse fëmija është i padëgjueshëm dhe kryeneç, prindi e këshillon atë dhe bën durim ndaj mosbindjes së tij. Mirëpo, nëse fëmija i kalon kufijtë e mosrespektimit dhe mosbindjes, prindi do ta nxjerrë atë nga shtëpia me dëshirën e tij. Megjithatë, kur fëmija largohet nga shtëpia, prindi fillon të qajë dhe të ndjehet keq për të, për arsye se edhe pse e nxori me dëshirën e tij dhe vullnetin e tij të lirë, ai nuk është i kënaqur dhe nuk pajtohet me veprimet e fëmijës.

I njëjti rast është edhe rasti i mësuesit i cili dëshiron që nxënësi i tij të jetë i suksesshëm dhe i shkëlqyer, mirëpo nëse nxënësi i tij nuk do të mësojë, ai – me vullnet të plotë – do t’i japë atij notë të ulët dhe do ta lërë të përsërisë vitin shkollor, sepse e tillë është drejtësia dhe korrektësia që kërkohet prej çdo individi dhe shoqërisë. Megjithatë, mësuesi është i pikëlluar dhe ndjen dhimbje të madhe për shkak se nxënësi ka ngelur, sepse ai nuk dëshiron që nxënësi të ngelë dhe nuk është i kënaqur me këtë.

Duke u nisur nga ky fakt dhe kjo logjikë e shëndoshë, themi se Allahu – me vullnetin e Tij – e ka lejuar vetëvrasjen dhe zilinë që të ndodhin, por nuk pajtohet dhe nuk është i kënaqur me këto veprime, sepse si vetëvrasësi dhe ziliqari janë të lirë në veprimet e tyre dhe janë përgjegjës për veprimet e tyre. Ndërkohë, nga ana tjetër, asgjë nuk ndodh në gjithësi pa dëshirën dhe vullnetin e Allahut të Madhëruar, i Cili thotë: “Vërtet, Zoti yt punon ç’ka dëshiron.”[10]

Pastaj vetëvrasja e zilia konsiderohen ndër mëkatet e mëdha për të cilat Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij kanë ndaluar në mënyrë kategorike. Në suren Nisa, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos e mbytni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm ndaj jush.”[11] Kurse në suren Taha, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj bote me të cilën i kemi bërë të kënaqen disa prej tyre dhe për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.”[12] E në suren Felek, Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe prej dëmit të smirëkeqit kur sipas smirës vepron.”[13]

Në një hadith, transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e hedh veten nga lartësia e kodrës me qëllim që të vrasë veten, ai do të jetë në Zjarrin e përjetshëm të Xhehenemit dhe nuk do të dalë kurrë.”[14] Me këtë aludohet për çdo përpjekje dhe mjet vetëvrasjeje. Në një hadith tjetër transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Mos kini zili njëri-tjetrin!”[15] Kjo do të thotë se vetëvrasja dhe smira janë rreptësisht të ndaluara.

Megjithatë nëse vetëvrasësi këmbëngul në vetëvrasjen e tij dhe vdes, dhe po ashtu edhe ziliqari vazhdon të ketë zili njerëzit për mirësitë që Allahu u ka dhënë dhe përpiqet me të gjitha mjetet – fizikisht apo shpirtërisht – që të dëmtojë të tjerët në të mirat që posedojnë, dhe si rezultat i kësaj e godet ndonjë dëm atë që është lakmuar, atëherë, vdekja e vetëvrasësit dhe dëmi ndaj atij që është pasë zili ndodhin me dëshirën dhe vullnetin e Allahut të Madhëruar që i ka lejuar të ndodhin. Gjithçka ç’ka ndodhur ka ndodhur me kaderin e Allahut që është përcaktuar të ndodhë në një kohë dhe në një vend të caktuar. Mirëpo vetëvrasësi dhe ziliqari do të ndëshkohen për veprimet e tyre, megjithëse vdekja apo dëmi janë të përcaktuar nga Allahu që të ndodhin.

Pra, vdekja nuk është rezultat i fatkeqësive, sepse mund të ndodhin fatkeqësi më të mëdha e mos të përfundojnë me vdekje. Shkaku i vdekjes është një i vetëm dhe jo më tepër, ai është mbarimi i exhelit të njeriut në këtë jetë, i cili ndodh me dëshirën, vullnetin, kadanë dhe kaderin e Allahut të Madhëruar. Sa e sa njerëz janë përpjekur që të vetëvriten me mjetet më të shpejta, por nuk kanë vdekur, janë shpëtuar, shëruar dhe kanë jetuar shumë gjatë. Sa e sa njerëz janë prekur nga zilia e atyre njerëzve të cilët sa nuk kanë pëllcitur nga mllefit që kanë patur, por ata nuk janë dëmtuar apo lënduar nga ajo. Në suren A’araf, Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo popull (që ka përgënjeshtruar profetët) ka afatin e vet, e kur t’ju vijë atyre afati i tyre, ai s’do të mund të shtyhet për asnjë moment, e as të shpejtohet më herët.”[16] Në suren Junus, Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo popull ka afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, ata nuk do të mund ta vonojnë as për një moment e as ta shpejtojnë.”[17] Në suren Nahl, Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar; e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk do të munden ta vonojnë e as ta shpejtojnë.”[18]

Janë të shumta poezitë që tregojnë se shkaku i vdekjes është një dhe të ndryshme, mirëpo kjo është e gabuar, sepse ndonjëherë, ndodh që frikacaku nga lufta të vritet edhe nëse është në fund të frontit, ose trimi që është në ballë të frontit të shpëtojë. Halid ibn Uelidi (r.a), i cili mori pjesë në shumë beteja para dhe pasi e pranoi Islamin, kishte shumë dëshirë të binte dëshmor, por caktimi i Allahut të Madhëruar ishte që ai të vdiste në shtrat.

Sido që të ndodhë, njeriu është i urdhëruar të ndjekë rrugët e hajrit, të dijes, shëndetit duke kërkuar ndihmën e Allahut, suksesin dhe udhëzimin prej Tij. Në suren Jusuf, Allahu i Madhëruar thotë: “Po Allahu është Mbrojtësi më i mirë dhe Ai është Mëshirues i Mëshiruesve.”[19]

Nëse njeriu shpëton, kjo ndodh me kaderin dhe vullnetin e Allahut, por edhe nëse devijon kjo ndodh përsëri me kaderin dhe vullnetin e Tij që e ka lejuar të ndodhë. Pas gjithë kësaj fshihet urtësia e vullnetit të Allahut, sepse Ai është i Urti dhe i Gjithdijshmi.

Historia na tregon se kur Ubejde ibn Xherrah (r.a) synoi të vazhdonte çlirimin e tokave jomuslimane në zonën e Shamit, u përhap një sëmundje e rëndë ngjitëse. Në këtë rast, Omer ibn Hatabi (r.a) e urdhëroi Ebu Ubejden (r.a) që ta ruante ushtrinë muslimane nga epidemia, që në gjuhën e sotme njihet me emrin karantinë, Ebu Ubejde (r.a) i tha: A të ikim nga caktimi i Allahut dhe vendimi i Tij?! Omeri (r.a) u përgjigj: Po do të largohemi nga caktimi i Allahut dhe vendimi i Tij për të shkuar në caktimin dhe vendimin e Tij.

O Ebu Ubejde! Nëse ti do të ishe bari dhensh dhe para teje ke dy alternativa: një tokë pjellore dhe tjetra djerrë, kë do të zgjidhje për të kullotur dhentë? Ai tha: Të parën, atë pjelloren. Omeri (r.a) tha: Kështu pra ruaje ushtrinë nga epidemia, sëmundja dhe ndiq rrugën e shpëtimit dhe shëndetit.

Omeri (r.a) duke u betuar i tha Ebu Ubejdes se kishte dëgjuar profetin (a.s) se ka thënë: “Nëse dëgjoni se në ndonjë vend ka rënë epidemia, mos hyni në të. E nëse jeni në atë vend, atëherë mos dilni prej tij!”[20] Kështu pra, Omeri (r.a) e argumentoi mendimin e tij me argument logjik dhe tekst sheriatik. E Allahu i Madhëruar në suren Bekare thotë: “E mos e hidhni veten në rrezik!”[21] E në suren Nisa, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, rrini të përgatitur”[22]

Autor: Hisham El Himsi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Tek’uir: 29.

[2] – Sure Maide: 48.

[3] – Sure Mulk: 2.

[4] – Sure Gashije: 25-26.

[5] – Sure En’am: 35.

[6] – Sure En’am: 107.

[7] – Sure En’am: 112.

[8] – Sure En’am: 149.

[9] – Sure Zumer: 7.

[10] – Sure Hud: 107.

[11] – Sure Nisa: 29.

[12] – Sure Taha: 131.

[13] – Sure Felek: 5.

[14] – Ahmedi, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesai.

[15] – Buhariu dhe Muslimi.

[16] – Sure A’araf; 34.

[17] – Sure Junus: 49.

[18] – Sure Nahl:61.

[19] – Sure Jusuf: 64.

[20] – Buhariu dhe Muslimi.

[21] – Sure Bekare: 195.

[22] – Sure Nisa: 71.

Exit mobile version