“Rreth 75 për qind e pacientëve ndiejnë efektet e virusit COVID-19 muaj më vonë”

Sipas një studimi të ri në Mbretërinë e Bashkuar, pothuajse tre të katërtat e pacientëve kanë raportuar simptoma të koronavirusit të ri (COVID-19) tre muaj pas shërimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studimi i 110 pacientëve u krye nga shërbimi shëndetësor kombëtar “North Bristol NHS Trust”, në kuadër të projektit të saj Discover (Zbulo), që synon të identifikojë efektet afatgjata të virusit COVID-19.

Studimi zbuloi se gjithsej 81 pacientë nga 110 pacientë të anketuar pas 12 javësh përjetuan simptoma, përfshirë vështirësi në frymëmarrje, lodhje të tepërt dhe dhimbje të muskujve.

Edhe pse shumica ishin shëruar nga simptomat e para, të tilla si ethe, kollitje dhe humbje të nuhatjes, ata ende luftonin për të kryer detyrat themelore, si larjen dhe veshjen vetvetiu, e lëre më të kthehen në punë.

“Ende ka shumë gjëra që nuk dimë për efektet afatgjata të koronavirusit, por ky studim na ka dhënë një pasqyrë të re se me çfarë sfidash mund të jenë përballur pacientët gjatë shërimit të tyre dhe do të na ndihmojë të përgatitemi për ato nevoja”, tha Dr. Rebecca Smith nga North Bristol NHS Trust.

Projekti Discover angazhoi 163 pacientë për studimin, 19 prej të cilëve vdiqën. Pjesa tjetër u thirr për kontroll pas tre muajve dhe 110 prej tyre morën pjesë.

Dr. David Arnold, i cili drejton projektin Discover, tha se studimi përshkroi “ato që na kanë thënë shumë pacientë të prekur nga koronavirusi, ata ende kanë vështirësi në frymëmarrje, ndjehen të lodhur dhe nuk flen mirë muaj pas pranimit të virusit”.

“Megjithatë, me siguri, anomalitë në rrezet X dhe testet e frymëmarrjes janë të rralla në këtë grup. Puna e mëtejshme në projektin Discover do të na ndihmojë të kuptojmë pse ndodh kjo dhe si mund t’i ndihmojmë të sëmurit me koronavirus”, tha Arnold.