Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit, ka bërë që 64 nxënës dhe 70 mësimdhënës (personel aktiv) të preken nga ky virus si dhe 15 shkolla të kalojnë në skenarin C, të mësimit online.
Diellza Kukaj, zëdhënëse në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh), njëherësh edhe këshilltare e ministrit Ramë Likaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deri më tani shkollat janë duke i respektuar udhëzimet e MASh-it, të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK).
Sipas saj, komuna më e prekur sa i përket rasteve me COVID-19, në institucionet arsimore është Prishtina.
“Nga raporti i fundit i gjeneruar nga moduli për regjistrimin e rasteve me COVID-19 në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë raportuar gjithsej 64 nxënës dhe 70 mësimdhënës/personel aktiv me COVID-19. Komuna me më së shumti raste të të infektuarve është Prishtina. Deri më tani shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokolin e reagimit ndaj pandemisë COVID-19”, ka thënë ajo.
Kukaj po ashtu theksoi se shkollat nuk do të mbyllen, por mësimi është duke u organizuar konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tri skenarëve.
“Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe ai nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, sqaroi ajo.
Kukaj po ashtu tregoi se në cilat komuna është duke vazhduar mësimi online dhe në sa shkolla.
“Shkollat të cilat janë duke organizuar mësimin sipas skenarit C janë gjithsejt 15: Ferizaj 1 shkollë, Shtime 1, Prishtinë 6, Podujevë 1, Skenderaj 1, dhe Vushtrri 5 shkolla”, tha ndër të tjera, Diellza Kukaj.
Lexo po ashtu:
Ministria e Shëndetësisë vendos sot për masat e reja anti-COVID-19
Ministria e Shëndetësisë vendos sot për masat e reja anti-COVID-19
Ndryshe, rritja e numrit të rasteve do të mbledh sot Komitetin për Vlerësim dhe Koordinim të Situatës Epidemiologjike rreth COVID-19, për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.
Siç është bërë e ditur, të premten nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) nga 1608 mostrat e testuara janë regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2 (infeksionit COVID-19), prandaj me qëllim që të evitohet marrja e masave ekstreme kufizuese nga qytetarët, bizneset, dhe veprimtaritë e tjera kërkohet që të zbatojnë me përpikëri masat anti COVID-19 në fuqi.