Rreth 40% e amerikanëve do ta kenë të pamundur të dalin në pension

Amerikanët po dalin në pension më herët se kurdo tjetër gjatë historisë së Shteteve të Bashkuara por në të njëjtën kohë, shumë prej tyre nuk janë aspak të përgatitur financiarisht për fazën e tretë të jetës.

Në fakt, 36% e amerikanëve nuk kanë kursime për të mbajtur veten dhe hequr shpenzimet e një viti të vetëm, sipas një studimi të Universitetit të Bostonit.

Pabarazitë në shoqëri sidoqoftë janë të dukshme. Sipas një sondazhi të bërë në korrik nga Banka e Rezervave Federale në Nju Jork, rreth 50% e amerikanëve tregonin një probabilitet të lartë për të dalë në pension para moshës 62 vjeç.
Por nga ana tjetër, 36% prej tyre nga mosha 65-69 vjeç nuk e përballonin dot që të mbulonin shpenzimet e tyre as për një vit të vetëm. Vetëm 21% e amerikanëve mund ta përballonin një vit me shpenzime që përfshijnë trajtimin për sëmundjet e ndryshme që prekin këtë moshë.

Një tjetër shifër alarmante, është fakti se plot 26% e amerikanëve që nuk kanë dalë ende në pension nuk kanë kursyer as një qindarkë të vetme, sipas një studimi të vitit 2019 nga U.S. Federal Reserve. Kjo do të thotë se një numër i konsiderueshëm amerikanësh nuk janë të përgatitur të dalin në pension.

Mundësia për të përballuar shpenzimet e moshës së tretë ndryshonte gjerësisht edhe në varësi të statusit martesor, nivelit të shkollimit, ngjyrës së lëkurës apo edhe etnisë, sipas studimit.

Nëse 31% e çifteve të martuara nuk i mbulonin dot shpenzimet e një viti, kjo shifër shkonte në 33% për burrat e pamartuar dhe deri në 56% për gratë e pamartuara.

Ata që kishin mbaruar shkollën e lartë ishin gjithashtu më të përgatitur për të mbuluar shpenzimet e tyre në krahasim me amerikanët me shkollim më të ulët. Vetëm 14% e atyre që kishin mbaruar shkollën e lartë e kishin të pamundur të mbulonin shpenzimet minimale të një viti pas pensionit, në krahasim me 65% të atyre që nuk e kishin kryer shkollën e mesme.

Amerikanët e bardhë janë gjithashtu më të përgatitur për pension – vetëm 32% e tyre nuk ishin të përgatitur për moshën e tretë ndërsa, tek Afrikano-Amerikanët kjo shifër shkonte në 49% dhe plot 64% për hispanikët.

Ky studim tregon për një realitet të zymtë, sidomos në një kohë kur miliona amerikanë nuk janë kthyer ende në tregun e punës si pasojë e pandemisë.

Sipas agjencisë mediatike, Business Insider, tashmë që pandemia po hynë në muajin e saj të 21, dhe tregu i punës nuk po e merr veten me ritmin e parashikuar, vetë Amerika mund të jetë duke u rimëkëmbur por miliona amerikanë në moshë të mesme po hyjnë në një fazë të re ‘trazirash ekonomike’. /euronews