Rreth 39 mijë njerëz janë vrarë në Siri vetëm sivjet…

Një grup monitorues tha se rreth 39,000 njerëz, përfshirë 10,507 civilë, janë vrarë në luftën e Sirisë në vitin 2017.

Viktimat përfshijnë 2,109 fëmijë dhe 1,492 gra, tha Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut. Grupi i lidhur me opozitën, i cili monitoron viktimat në të gjitha anët e konfliktit, tha se në mesin e të vrarëve janë edhe 2,923 ushtarë të Qeverisë siriane, si dhe 7,494 luftëtarë militantë.

Këtë vit, shifra e viktimave është më e vogël, krahasuar me vitin 2016, kur Vëzhguesi ka dokumentuar 49,742 të vrarë nga dhuna në Siri, shkruan Rel.

Lufta civile në Siri ka nisur në mars të vitit 2011 me protesta antiqeveritare. Në total, mbi 400 000 njerëz janë vrarë në luftime. Konflikti po ashtu ka zhvendosur miliona njerëz.