Rreth 150 hebrenj fanatikë, të shoqëruar nga policia izraelite, kanë hyrë në oborrin e Mesxhid al-Aksës në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit thuhet se rreth 150 hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite bastisën Xhaminë e Shenjtë duke hyrë përmes portës Al-Magaribe që ndodhet në jugperëndim të Mesxhidi al-Aksës.
Gjithashtu thuhet se grupet hebraike nën mbrojtjen e policisë izraelite u larguan nga Mesxhid al-Aksa pasi shëtitën nëpër oborret e xhamisë dhe se një grup i dytë pritet të bëjë bastisje pasdite.
Sipas kalendarit hebre, pritet që të ketë një rritje të bastisjeve të hebrenjve fanatikë në Mesxhidi al-Aksa deri të dielën, kur festohet Festa e Hanukës.
Një numër i madh hebrenjsh fanatikë bastisën Xhaminë e Shenjtë dje dhe një ditë më parë.
Bastisje të tilla në Xhaminë e Shenjtë nga hebrenjtë fanatikë shkaktojnë përshkallëzim të tensioneve në rajon.
– Shkelet sovraniteti i Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit
Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 26 tetor 1994 mes Izraelit dhe Jordanisë, Xhamia Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Por, që nga viti 2003 e deri më sot, hebrenjtë nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta me vendimin e njëanshëm të Izraelit pa lejen e administratës.
Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila këto vizita i konsideron si “bastisje”, thekson se shkelet sovraniteti i muslimanëve.
Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar është kibleja e parë e muslimanëve.
Hebrenjtë po kryejnë gërmime nën Mesxhidi al-Aksa, e cila përfshin Xhaminë Kibla dhe Xhaminë Kubbetu Sahra, si dhe një muze, medrese dhe një oborr të madh, duke pretenduar se janë gjetur rrënojat e të ashtuquajturit Tempulli i Sulejmanit dhe se ata gjithashtu kanë të drejtë të kryejnë adhurime në Xhaminë Aksa. /aa