Organizata e Kombeve të Bashkuara tha më 8 qershor se rreth 100.000 njerëz janë zhvendosur në Mianmar, shtet i njohur edhe si Birmani.
OKB-ja tha se ka pasur edhe “sulme pa kriter nga forcat e sigurisë” kundër zonave civile.
“Kombet e Bashkuara në Mianmar janë të shqetësuara për përkeqësimin e shpejtë të situatës së sigurisë dhe asaj humanitare”, thuhet në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara në Mianmar.
Mianmari është përfshirë në kaos prej kur ushtria ka marrë pushtetin, meqë aty është raportuar në baza ditore për protesta, marshe, dhe greva kombëtare kundër ushtrisë, e cila është përgjigjur me forcë vdekjeprurëse.
Ushtria ka marrë pushtetin pas pretendimeve se në zgjedhjet e muajit nëntor 2020, të cilat i ka fituar Suu Kyi, janë kryer mashtrime zgjedhore.
Këto akuza janë hedhur poshtë nga komisioni paraprak zgjedhor. Rreth 600 civilë janë vrarë në protesta, ndërsa mijëra janë arrestuar. Ushtria ka vënë nën arrest shtëpiak udhëheqësit e zgjedhur dhe ka premtuar zgjedhje të reja pas një viti.
Por, protestuesit thonë se duan rikthimin e menjëhershëm në demokraci.
Disa vende, përveç SHBA-së, kanë vendosur ose kanë kërcënuar me sanksione ushtrinë e Mianmarit. /tch