Rrëmbehet anija greke me 8 marinarë

Cisterna “HAPPY LADY” me flamur grek e cila ndodhej e ankoruar dy milje detare nga porti “LIMBOH” në Kamerun, u sulmua mëngjesin e së martës nga një grup personash të armatosur të cilët më pas kanë rrëmbyer 8 prej 28 anëtarëve të ekuipazhit të saj.

Midis të rrëmbyerve pesë janë shtetas grekë prej të cilëve kapiteni i anijes 45 vjeç, zv/kapiteni 26-vjeç dhe mekaniku i dytë 38 vjeç. Në operacionin e rrëmbimit është plagosur edhe një marinar grek, pjestar i ekuipazhit nga një rikoshet i plumbave të piratëve.
Tre të rrëmbyerit e tjera janë nga Filipinet dhe Ukraina. Për incidentin që u raportua në Qendrën e Operacioneve të Gardës Bregdetare Greke, u njoftuan shërbimet kompetente të Ministrisë së Jashtme dhe të ministrisë Detare dhe Politikave të Ishujve, ndërsa u urdhërua të monitorohet nga afër çështja.
Tankeri që është në pronësi të kompanisë East Med me pronar Thanasis Martinou transportonte nafte dhe nuk kishte roje të armatosura.
Siç bëjnë me dije mediat greke tashmë sulmet e piratëve kryhen në Afrikën Perëndimore dhe më saktësisht në Gjirin e Guinesë ku zbatojnë të ashtuquajturin modelin e tretë të piraterisë – rrëmbimin e ekuipazheve në shkëmbim të shumave të mëdha apo vjedhja e mallrave me vlerë miliona dollarë.
Një incident i ngjashëm ndodhi në fillim të nëntorit, kur piratët sulmuan cisternën greke “Elka Aristotle” në Togo, duke rrëmbyer katër marinarë, përfshirë një 20-vjeçar Grek tëcilin e kthyen vetëm disa ditë më parë.
Siç tregojnë kapitenët me përvojë, piratët pushtojnë anije, kryesisht çisterna dhe sjellin pranë tyre barka të tjera më të vogla në të cilat transportohet një pjesë e ngarkesës ose e gjitha.
Kur rrëmbehen marinarët, ata i çojnë në xhungël deri sa të paguhet shpërblimi. Sulmet tani po ndodhin jo vetëm pranë brigjeve dhe anijeve të ankoruara, por edhe në largësi 100 milje.
Edhe sa i përket pagesës së pengjeve, zakonisht zbatohet një politikë specifike. Rrëmbyesit kontaktojnë kompaninë e transportit detar dhe në lojë hyn ndërmjetësi i cili është tashmë ose një zyrë juridike nga Londra apo Dubai, ose persona të veçantë të specializuar në këto raste./tch