Nga Redi Shehu
Askush nuk e ka vënë ndonjeherë në dyshim rolin domethënës të komunikimit në një shoqëri. Të gjithë në një farë mënyre i nënshtrohen një konsensusi përsa i përket kësaj teme, por problemi fillon të pluskojë në sipërfaqe kur bëhet fjalë për aktualizimin e këtij komunikimi në përditshmërinë tonë. Njeriu është në thelb një qënie komunikuese destinacioni i të cilit është të përcaktojë dy ekstremet e komunikimit që janë, burimi dhe destinacionin e tij si dhe përbërësin e tretë shumë të rëndësishëm i cili është vetë mesazhi komunikues i cili lidh burimin nga fillon komunikimi me destinacion në të cilin ky mesazh do të dërgohet. I dizenjuar si qënie komunikuese nga një Zot i vetëm po ashtu komunikues, njeriut i është taksur një detyrë shumë e rëndësishme në ndërtimin e arkitekturës komunikuese e cila për hir të së vërtetës shtrihet në një marrëdhënie trekëndore midis dimensionit të komunikimit të brëndshëm apo metafizikës së komunikimit, të dimensionit vertikal të marrëdhënies së tij me Zotin, dhe të dimensionit horizontal i cili ekspozohet në formën e marrëdhënies me shoqërinë apo të ndërtimit të komunikimit kolektiv.
Përsa i përket dimensionit metafizik të komunikimit, ai në thelb të vetin ka shpirtin që është një qënie intelektuale e cila intelektualiten e vet e aktualizon dhe e perfeksionon në sajë të raporteve të veta me dijen. Është pikërisht përmes këtij intelekti që shpirti i njeriut arrin nivele superiore përmes proçesit të eksplorimit të dijes e cila e përthyer në marrëdhëniet me trupin njerëzor, përbën atë njësinë qëndrore të formulimit të mesazhit komunikues që zanafillon së brëndshmi, për t’u shtrirë së jashtmi pastaj në marrëdhënien vet horizontale me shoqërinë. Komunikimi i brëndshëm i qënies njerëzore si pasojë e këtij proçesi, finalizohet me mendimin si elementi bërthamor i proçesit komunikues, cili pastaj mund të ndahet në dy pjesë në substancën e vet si bërthamë e komunikimit të brëndshëm dhe në aparencën medituese si mendim i projektuar në shoqëri. Që një individ të gëzojë një komunikim të shëndetshëm në raportet e veta horizontale, do të duhej që së pari të stabilizonte një komunikim po aq të shëndetshëm së brëndshmi me veten e tij përmes atributit të cilin e gëzon vetëm ai, atë të vetqortimit dhe vetpërmirësimit permament.
Në dimensionin vertikal të komunikimit të individit me Zotin e tij, elementi thelbësor i këtij komunikimi përqëndrohet tek zemra, tashmë jo si një organ i banalizuar në formën e një pompe gjaku, por në zemrën metaforike të meditimit dhe ndjenjave. Ky dimension pasurohet për me tepër nga atributi i Krijuesit që të ndërhyjë mes njeriut dhe zemrës së tij duke influencuar direkt në komunikimin transhendent të tij. Edhe pse shumë njerëz nuk e pohojnë ekzistecën e një dimensioni të tillë komunikues, kjo nuk i përjashtëson ata nga një kategorizim i tillë. Ata vetëm nuk janë të ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtij komunikimi. Nga ana tjetër marshimi ynë i brëndshëm drejt diturisë na afron gjithmonë e më tepër me të vërtetën e cila është një shteg i pashmangshëm drejt Zotit, ngase Zoti është vetë e vërteta dhe sa më shumë dije marrim aq më afër Tij jemi. Sa më në raporte të drejta të jetë komunikimi ynë i brëndshmë aq dhe më i stabilizuar dhe më I mirë do të jetë komunikimi ynë ndërpersonal me shoqërinë, sepse veprimi komunikues zanafillën e tij e ka pikërisht tek komunikimi i brëndshëm, tek mendimi si fillim i aktit komunikues.
Komunikimi ndërpersonal apo komunikimi horizontal, është në proçes i ndarjes së ideve përmes dy a më shumë personash në përpjekje për të thjeshtësuar proçesin e të kuptuarit të ndërsjelltë. Gjatë këtij proçesi realizohet shpërndarja e informacioneve dhe e fakteve, por ajo që është më e rëndësishme është përhapja e vlerave. Ky tip komunikimi mund të realizohet në nivele të ndryshme, në komunikim grupi, komunikim masiv, ndërkulturor, religjioz, social-ekonomik, politik etj. Ai realizohet përmes formash të ndryshme të të ndërkuptuarit dinamik ku ne kuptojmë të tjerët dhe kërkojmë që të tjerët të na kuptojnë. Ndihmon gjithashtu në reduktimin e injorancës dhe të pasigurisë mbi aktualitetin dhe në të njëjtën kohë stabilizon fuqi dhe pushtet mbi poseduesin e informacionit. Pra, dimensioni horizontal i komunikimit, të marrëdhënies sociale të individëve, e cila merr udhë duke u bazuar në një konsensus për realitetin që na rrethon, është dimensioni fundor i komunikimit i cili ka aftësinë të ndryshojë realitetin. Përmes komunkimit të përditshëm ne mund të ndryshojmë realitetin tonë të përditshmë, por jo vetëm, ne mund ta mirëmbajmë këtë realitet, ta plotësojmë ose edhe ta deformojmë atë.
Që një individ të gëzojë një marrëdhënie të mirë komunikuese, duhet që t’i ketë të harmonizuara të tre dimensionet e tija komunikuese, atë më vetvehten, me Zotin dhe me shoqërinë. Lënia e njërës nga këto dimensione jashtë veprimit komunikues të përditshëm, shkakton anomalitë komunikuese që ne i hasim shpesh në përditshmërinë tonë. Prandaj hamonizimi i këtyre dimensioneve përmes një proçesi të vazhdueshëm e të pandërprerë përmirësues, do të sillte një shoqëri e cila proçesin e vet komunikues do ta kishte të ndërtuar mbi bazat e virtytit. Një shoqëri që di si të komunikojë me veten, është e aftë të ndërtojë gjëra të mëdha dhe të ketë një aftësi shumë më të madhe vetrregulluese.