Ballina Kulturë Feja Rregullat kryesore të Kurban Bajramit

Rregullat kryesore të Kurban Bajramit

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Bajrami i kurbanit që përcaktohet sipas kalendarit hënor (hixhri), fillon në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixhe dhe vazhdon katër ditë. Quhet kështu sepse në këtë festë theret kurban. Personat, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në aspektin fetar, e kanë vaxhib (të domosdoshme) të therin kurban.

Personi obligohet me therjen e një kurbani kur është mysliman, me mendje të shëndetshme dhe adult; nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur.

Mënyra e therjes së kurbanitKafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lerë ndonjë tjetri.

Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë aspekt ka thënë: “Kur të therni një kafshë, thereni me butësi, ai që ther prej jush, le ta mprehë mirë thikën dhe mos ta mundojë kafshën”.

Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës.Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

Ndarja e mishit të kurbanit

Është sunet për personin që të hajë vetë nga mishi i kurbanit dhe t’i japë kushërinjve të tij dhe fukarenjve. Dijetarët islam kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jipet fqinjëve ose të afërmve.

Duhet theksuar se mishi dhe lëkura e kurbanit nuk lejohen të shiten. Lëkura mund t’i jepet një institucioni bamirës, mund të përdoret si sexhade në shtëpi ose të shitet vetëm nëse paratë e saj do të jepen si sadaka.

Gjithashtu në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Në lidhje me këtë Profeti (a.s.), dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë (ditët e teshrikut), pasi janë ditë, në të cilat hahet, pihet dhe gëzohet me familjen”.

Exit mobile version