Ka nisur procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për konsumim dhe shpëndarje të substancave narkotike, Ylli Duli, i cili qysh në seancën fillestare deklaroi para trupit gjykues se konsumon marihuanë qe 14 vjet.
“Përafërsisht konsumoj 1 kilogram marihuanë në muaj”, tha ai në Gjykatën e Prishtinës.
Në pyetjen e gjykatëses Shpresa Hyseni se si është e mundur që je i papunë dhe arrin të blesh kilogram të marihuanës, i akuzuari Ylli Duli u përgjigj: “Është liru shumë, një kilogram është 200-250 euro”.
I akuzuari për posedim, blerje, posedim, shpërndarje e shitje të paautorizuar të substancave psikotrope dhe analoge, për këtë akuzë tha se e pranon vetëm blerjen e posedimin, por jo shpërndarjen e shitjen e marihuanës.
“Sa i përket konsumimit dhe sa i përket sasisë së gjetur është e vërtetë se është gjetur në oborrin e shtëpisë së familjes sime dhe e njëjta është e imja dhe e kam pasur për konsumim sepse e konsumoj që 14 vite, por shpërndarjen e shitjen nuk e pranoj”, tha Duli.
Ai tha se vuan nga depresioni dhe stresi, e për këtë edhe kishte marrë trajtim në Gjermani e Kroaci, derisa aktualisht është duke u trajtuar te psikologu.
Më tej, avokati mbrojtës, Faik Hoxha, dhe në anën tjetër prokurori Ilaz Beqiri kërkuan nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i zëvendësohet masa e arrestit shtëpiak.
Prokurori Beqiri kërkoi që t’i zëvendësohet masa aktuale me atë të paraburgimit, ndërkaq avokati kërkoi që kjo masë t’i zbutet duke iu zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor.
Që të dy propozimet u refuzuan nga gjykatësja Hyseni, duke bërë që i akuzuari të mbetet nën masën e arrestit shtëpiak.
“Përderisa Gjykata e ka konstatimin nga policia se prezenca e Ylli Dulit në shtëpi çdo herë ka qenë pozitive, atëherë nuk ka bazë ligjore që kjo masë t’i zëvendësohet me masën e paraburgimit”, tha gjykatësja Shpresa Hyseni.
Po ashtu, avokati Hoxha, kërkoi nga trupi gjykues që të sigurohet ekspertiza për llojin dhe sasinë e narkotikut.
Lidhur me këtë vendim, gjykatësja Hyseni mori aktvendim që sasia dhe lloji i substancës së gjetur të konstatohet nga laboratori i forenzikës në Prishtinë, pasi që matjet e bëra nga Policia nuk mund të konstatohen si të bëra në mënyrë profesionale.
Në këtë proces gjyqësor, Ylli Duli akuzohet se më 13 prill të vitit 2017, gjatë kontrollit të Policisë së Kosovës në shtëpinë e tij në Fushë-Kosovë, i janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime në qese najloni me substancë narkotike.
Pesha e përgjithshme e barit me ngjyrë të gjelbër e llojit marihuanë ishte prej 1 kg e 849 gramë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Duli e posedonte këtë që ta konsumojë me shokët e tij.