Ballina Arritje Rrëfimi për UDB-në

Rrëfimi për UDB-në

Nga Chris Deliso, CIA, KGB-ja, Mossadi dhe MI6 janë emra shërbimesh sekrete që luajtën role të mëdha në Luftën e Ftohtë. Megjithatë, midis agjencive të spiunazhit që dolën nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, UDB-ja e ish-Jugosllavisë është më pak e njohur.

Formalisht e shkrirë pas shpërbërjes së dhunshme të vendit në vitin 1991, trashëgimia e saj jeton në formën e spiunëve të devijuar, manjatëve të biznesit, politikanëve dhe njerëzve të gjeneratës tjetër me lidhje familjare me ish regjimin komunist.

Rivalët politikë akuzojnë kundërshtarët e tyre se kanë lidhje me agjencinë e mëparshme UDB, ndërsa “komisionet e lustracionit” në ish-njësitë federative jugosllave – Slloveni, Kroaci, Bosnje Hercegovina, Serbi, Mali të Zi, Maqedoni dhe Kosovë – kanë mbledhur lista voluminoze të informatorëve të dyshuar, pseudonimet dhe misionet sekrete.

Qëllimi i këtyre komisioneve nuk ishte që të arrestonin njerëzit, por të identifikonin informatorët në mënyrë që t’u mohoheshin vendeve të punës në të ardhmen. Megjithatë, përpjekjet për të shkëputur lidhjet dhe marrëdhëniet e vjetra në ish-Jugosllavi nuk kanë pasur kurrë sukses krahasuar me përpjekjet e bëra në vendet e Traktatit të Varshavës.

Dy arsye fshihen prapa kësaj. E para është për shkak të qasjes së zgjuar të Josip Broz Titos, udhëheqës i lëvizjes partizane jugosllave gjatë Luftës së Dytë dhe themelues i Jugosllavisë komuniste në vitin 1945.

Në kërkim të një balance midis Lindjes dhe Perëndimit, Tito ndërtoi një komunizëm “më të butë” sesa ai i vendosur në shtetet e tjera të bllokut lindor. Megjithëse kritikat ndaj regjimit shkëshilloheshin, qytetarët e saj gëzonin mundësi më të mëdha punësimi dhe mund të udhëtonin kudo me pasaportën jugosllave.

E dyta, ndryshe nga proceset e pavarësimit relativisht paqësore të shteteve sovjetike, Jugosllavia ra në një luftë civile gjatë viteve ’90, në të cilat rrjetet e UDB-së bashkëpunuan me njëri-tjetrin, si edhe me agjenci të huaja në fushën e inteligjencës ushtarake.

Tani që Ballkani është paqësor, teprimet e dhunshme të UDB-së në pjesën më të madhe të tyre janë harruar, duke u lejuar elementëve klandestinë të saj që ta transformojnë veten në anëtarë të “respektuar” të shoqërisë, si profesorë, politikanë dhe biznesmenë.

Deri në vitin 1945, partizanët e Titos kishin mundur jo vetëm gjermanët dhe bullgarët pushtues, të cilët kishin pushtuar Mbretërinë Jugosllave në prill të vitit 1941, por edhe rivalët e brendshëm, si lëvizja nacionaliste çetnike dhe ustashët.

Vendi që trashëgoi Tito, duke zgjeruar kufijtë e ish-Jugosllavisë mbretërore, ishte kryesisht agrare, e varfër dhe i shkatërruar nga lufta. Përveç mundësisë së emigrimit, përparimi shoqëror ishte i varur nga bashkimi me Partinë Komuniste, ushtrinë ose UDB-në.

Ky fenomen e përshpejtoi emigracionin disident dhe krijoi dinastitë komuniste dhe UDB-ja arriti të ketë ndikim sot. Tito e kishte çimentuar autoritetin e tij deri në vitin 1946, duke arritur marrëveshje ad-hoc me liderët e huaj, një akt balancues midis Perëndimit dhe Lindjes, i cili gjithashtu do të përfshinte kontakte me botën në zhvillim.

Jugosllavia u bë anëtare themeluese e “Lëvizjes së të Paangazhuarve” – një grup kombesh të pavarura nga çdo bllok i madh i pushtetit – i themeluar në kryeqytetin e saj Beograd në vitin 1961.

Përmes kësaj marrëdhënieje, Tito do të zgjeronte ideologjinë politike, kontratat e biznesit dhe kapacitetet e inteligjencës në të gjitha aspektet. Megjithatë, kërcënimet e brendshme e të jashtme mbetën.

Si pasojë e prishjes së Titos me Stalinin në 1948, një kohë kur lufta civile po egërsohej në Greqi, Bullgaria dhe Hungaria dukeshin grabitqare. Çështja e vështirë e Maqedonisë kishte shkaktuar konflikte për pothuajse 70 vjet, gjatë tërheqjes së ngadaltë të Perandorisë Osmane nga Ballkani.

Në vitin 1934, një njeri nga VMRO-ja maqedonase, i ndihmuar nga nacionalistë kroatë, kishte vrarë Mbretin serb Aleksandër në Paris. Për Titon (i cili gjithashtu do të vihej në shënjestër për t’u vrarë nga Stalini në vitet e mëvonshme), krijimi i një shërbimi sekret të pamëshirshëm dhe efikas ishte jetik.

Diktatori jugosllav e gjeti njeriun e tij tek Aleksander Rankoviqi, një veteran partizan serb, gruaja dhe nëna e të cilit ishin vrarë nga Gestapo. Për më shumë se dy dekada, deri në rënien e tij dramatike në vitin 1966 (për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në një komplot kundër Titos), Rankoviqi ishte njeriu i tretë më i fuqishëm në Jugosllavi. Në vitin 1944 themeloi OZNA-n që në vitin 1946 u shndërrua në UDB.

Operacionet e UDB-së u formuan nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme të dyshuara. Nën Rankoviqin ajo ruante depo malore municionesh sekrete, mbronte trafikun hekurudhor, spiunonte diplomatë të huaj, përgjonte telefona, hapte letra dhe merrte në pyetje armiq të brendshëm të supozuar, nga politikanë deri tek fshatarë që i rezistonin kolektivizimit.

Trajnimi bazë në shkollat zyrtare të spiunazhit të UDB-së (me seli në Beograd) zgjaste dy vjet dhe përfshinte trajnime fizike, kurse gjuhe, inteligjencë ushtarake dhe diplomatike dhe hetime penale.

Ndërsa e konsolidonte stabilitetin e brendshëm, Tito gjithashtu udhëtonte me kujdes jashtë vendit. Rivalët e shumtë kishin emigruar ose shpëtuan pas luftës (duke përfshirë shumë anëtarë të ustashëve, të shpëtua nga priftërinjtë katolikë kroatë në Itali drejt Argjentinës). UDB-ja do të ishte e ngarkuar me spiunimin e emigrantëve të tillë jugosllavë.

Operacionet e zeza të UDB-së u prekën pasi protestat liberale në Perëndim shpërthyen të ngjashme në fund të viteve 1960 në Jugosllavi.

Deri në vitin 1974, vendi kishte një Kushtetutë të re, e paraqitur si një përpjekje për të qetësuar nacionalistët e shqetësuar duke decentralizuar pushtetin. Përgjigjja e UDB-së ndaj mospajtimit të diasporës materializohet në disa prej vrasjeve më të përgjakshme dhe më brutale – ndoshta më të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë.

Metodat e tyre ishin të thjeshta, efikase dhe të organizuara mbi baza etnike. Në mënyrë tipike, “detyra” do të delegohej në udhëheqjen republikanë të UDB-së të objektivit në fjalë, duke përdorur zyrtarë të të njëjtit nivel etnik.

Pas infiltrimit të rrethit përkatës të diasporës, agjentët e UDB-së do të inkurajonin paranojën, luftën dhe konfuzionin përmes dezinformimit dhe thashethemeve. Kjo krijonte në mënyrë të pashmangshme tensione në nivel lokal, duke i dhënë autoriteteve jugosllave “mohim të besueshëm”.

Pas vrasjes – zakonisht e kryer nga regjimi me armë të lehta apo me thikë – ngjarja mund të shpjegohej thjesht si rezultat i rivaliteteve brenda bashkësive etnike të mbyllura.

Përdorimi i agjentëve me më të kaluar kriminale ndihmoi më tej për të fshehur çdo përfshirje të qeverisë jugosllave. Kështu policia lokale shpesh shmangte hetimin e rasteve të tilla, pavarësisht nëse ato u kryen në Britani, në Gjermaninë Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi apo në Amerikën e Jugut.

Megjithatë, qasja relativisht e dobët ndaj operacioneve të UDBA-së nuk ishte vetëm një nënprodukt i injorancës, por edhe i perceptimeve të ndryshme politike perëndimore të Jugosllavisë ‘të butë komuniste’ dhe ‘Bllokut Lindor’ të Bashkimit Sovjetik.

Kështu, vrasja famëkeqe e asistuar nga KGB-ja e disidentit bullgar Georgi Markov në Londër në shtator 1978 nxiti një hetim të hollësishëm dhe mbulim të gjerë të lajmeve, pak kujtojnë vrasjen e disidentit kroat Bruno Bushiq në Paris një muaj më vonë.

Mungesa e entuziazmit për hetimet zyrtare, madje edhe kur dyshohet për UDB-në, pasqyron perceptimin e Perëndimit se Titoja ishte një aleat i dobishëm kundër sovjetikëve.

Shumë operacione të UDB-së i kaluan limitet e moralitetit, siç qe vrasje më 1972 e terroristit kroat Stjepan Shevo në Itali dhe vrasja e ekstremistit serb Dragisha Kashikoviq në Çicago.

Vrasje që lanë të vrarë kalimtarë të rastit, përfshirë edhe fëmijë. Misione të tjera qenë dukshëm më të justifikueshëm, si në rastin e vrasjes së vitit 1969 e ish-komandantit ustash Vjekoslav Luburiq në Spanjë.

Luburiqi kishte mbikëqyrur kampin e përqendrimit të Jasenovcit në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku qindra-mijëra serbë dhe hebrenj qenë vrarë. UDB-ja e konsideroi penetrimin e saj të ngadaltë e të durueshëm si një operacion tejet profesional.

Gjatë viteve’90, Jugosllavia u zhyt në një seri luftërash të përgjakshme sipas vijave etnike dhe fetare.

Personeli i shpërbërë i UDB-së i drejtoi strukturat e sigurisë të shteteve të tyre në formim e sipër, duke bashkëpunuar me kolegët e tyre të mëparshëm nëpër kufijtë e sapoformuar.

Në një kohë të luftës së parregullt dhe sanksioneve ndërkombëtare, pati kërkesa të konsiderueshme për ata që njihnin vendet e fshehura të depove të armëve të vjetra ose që mund të linin rrugë kontrabandë të naftës dhe mallrave të tjera thelbësore përmes vendkalimeve kufitare pak të njohura.

Pra, në thelb, UDB-ja u bë një subjekt kriminal i decentralizuar – një shoqëri e fshehtë e fshehur në sytë e thjeshtë.

Edhe sot në mesin e popullatave të ish-Jugosllavisë mund të gjenden ish-vrasës që mbledhin pensione, politikanë “nacionalistë” me rrënjë komuniste, biznesmenë me pasuri të dyshimtë dhe ish agjentë që veprojnë si mercenarë për fuqitë e huaja.

Me pasuri të përftuara nga dekada privilegjesh dhe, ndonjëherë, edhe aktivitetesh kriminale, familjet e zgjeruara të UDBA-së ka gjasa të vazhdojnë të përparojnë mirë edhe në të ardhmen./Armin Tirana/bota.al/

Mungesa e interesit të Perëndimit për trashëgiminë e UDB-së ishte para se gjithash për shkak të imperativit kryesor për stabilitet rajonal pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo kërkonte një tolerance të njerëzve që futeshin në establishmentin e sigurisë dhe atë politik të shteteve suksesore të Jugosllavisë.

Pavarësisht thirrjeve të rastësishme për hetime apo një historie medie lokale rreth ish informatorëve të UDB-së, ka kaluar tashmë shumë kohë. Momenti për “pastrimin” e elementëve ish komunistë ka kaluar prej shumë kohësh.

Për mire ose për keq, shërbimi sekret famëkeq i Jugosllavisë duket i destinuar të mbetet enigma, edhe pse aktivitetet e tij vazhdojnë të rezonojnë./Mesazhi/

Exit mobile version