Rrëfimi dhe perjetimi i një gruaje me mbulesë

U linda dhe u rrita në Ohër. Ky qytet është dashuria e parë e ujit, e tokës, e qiellit; është reflektimi i dashurisë së nënës!

Si fëmijë, rrija me orë të tëra përballë liqenit, sidomos në stinën e vjeshtës, ku zgjoja dashuri, i hidhja tutje në liqen për të bërë zhytjen, për t’u pastruar.

Disa më ktheheshin, disa fundoseshin. E dija gjithmonë që kam Një Zot ku të mbështetem. Por aq dija, aq bëja, asgjë më shumë! Ah po! Shikoja edhe motrën time më të vogël se unë, 13 vjeçe në atë kohë, duke lexuar Kuran në arabisht dhe duke bërë namaz të rregullt.

Ajo dhe gjyshja ime ishin namazlinjtë e shtëpisë. Vërtet, në atë kohë më vinte keq për time motër. Thoja me vete: “I iku mosha më e mirë duke ndenjur në xhami”.

Nuk vinte në plazh me mua, nuk e shijonte verën ashtu siç e shijoja unë. Nga ta dija unë se sa me fat dhe sa në paqe ishte ajo?! Studimet i fillova në Tetovë.

Aty takova një shoqe nga Kosova, me dy sy që ishin mrekullia vetë. Ajo ishte e mbuluar dhe një njeri i jashtëzakonshëm.

U bëmë shoqe, por nuk ishte tip imponues. Nuk më mërziste me telefonata, ose me takime të detyrueshme.

Respektonte jetën time, shoqërinë time, daljet e mia, “rebelimet e mia”.

Ajo dinte si ta gjente momentin për të pirë një kafe me mua pa më ngarkuar, sepse vërtet që po të më rrinte te koka në atë kohë, ashtu siç isha unë, pa dyshim që do isha larguar.

Por unë mahnitesha nga sytë e saj gjithmonë. Si ka mundësi – thoja, që janë kaq të gjallë, që shkëlqejnë kaq shumë…? Nuk i vëreja askund ata sy. Një herë më erdhi te dera.

U gëzova kur e pashë. E ftova brenda, por më tha se nisej për në Kosovë e se donte vetëm të më përshëndeste. Më la një fletë në dorë dhe më tha: “Besa, hidhi një sy kësaj.

Zoti të do, prandaj lexoje për hir të Tij.” U gëzova. Librat dhe shkrimet kurrë nuk i refuzoja. Fliste për namazin dhe si duhet të bëhet! Qava…Disa ditë e shikoja fletën sipër tavolinës dhe e dëgjoja thirrjen (ezanin).

Nuk rezistova dot e nisa të falem. Qaja dhe falesha. Ajo mrekulli shpirtërore m’u kujtua ditën kur e vura dhe mbulesën! Kur nisa namazin ishte dimër.

Semestri mbaroi në korrik. U ktheva në Ohër dhe dihej se gjëja e parë që bëja ishte plazhi. Më thirrën shoqet. U thashë se do të shkoja sapo të falja namazin.

U fala, por mendja më rrinte te rrobat e banjos. Mbarova dhe fillova të kërkoj nëpër sirtare. Duke kërkuar, ca ethe më përshkuan trupin. “Ua, çfarë po bëj kështu? Si do të zhvishem unë?!!” Më erdhi neveri nga vetja.

Në atë çast mora vendimin që të mos dilja më në plazh. Prej asaj dite ndryshova dhe garderobën, duke e pajisur atë me fustane të gjata, me funde dhe me bluza të gjata. Isha e lumtur!

Ndërsa shamia u bë pengu dhe vuajtja ime. Atë nuk e vendosja dot, thjesht më zihej fryma kur e mendoja, kisha frikë. Kaluan vite. Vazhdova jetën.

Këto dy vitet e fundit fillova ta toleroj veten. Thoja me vete: “Hë se ti nuk ke shami, mund të veshësh pantallona, madje edhe treçerekshe”.

Gati sa s’përfundova ashtu siç kisha qenë para namazit. Gati sa po filloja t’i bindesha pasqyrës së rreme.

Dhe sërish ndjeva neveri. Ishte shumë vuajtje ta shohësh veten duke u kthyer mbrapsht, të kthehesh në boshllëk, aty ku nuk takon dhe aty ku nuk ndihesh mirë, aty ku vërtet të zihet fryma.

Megjithatë, vazhdova njësoj. Çdo ditë e më shumë kthehesha pas dhe çdo ditë e më shumë i mbyllja sytë.

Shkëndija e parë që ma shpoi ndërgjegjen ishte një natë tek një shoqja e mamit. Aty u hap tema e fesë dhe filluan paragjykimet për gratë e mbuluara.

Nuk rrija dot e heshtur dhe mbrojta të drejtën e tyre për mbulesën, duke thënë se është urdhër hyjnor, e se ato nuk duheshin përgojuar e gjykuar./Koha islame./

Aty m’u dha edhe shuplaka më e madhe që më dogji deri në thellësi: “Meqë qenka ashtu, pse nuk e vendos?

Hë, pse? Pse flet për diçka që as vetë nuk e bën?!” Kurrë s’kam për ta harruar atë mbrëmje. Ishte nata ku m’u hapën sytë, nata kur unë seriozisht fillova të mendoja për ndryshimin tim!

Në gjithçka ka mëshirë! Mëshira dhe ndihma e Zotit për mua filloi që me shpërnguljen time nga Struga në Shkup. Një vit të tërë kisha luftë me veten dhe nuk gjeja paqe.

Kisha pagjumësi, më zinte gjumi vetëm kur e mendoja veten me hixhab. Zgjohesha në mëngjes, jetoja në drekë, dilja në mbrëmje si një fëmijë i prapë dhe i pabindur./Mesazhi/