Ballina Lajmet Rrëfimet e oficerit të FETO-s për mashtrimet gjatë regjistrimit në shkollat ​​ushtarake...

Rrëfimet e oficerit të FETO-s për mashtrimet gjatë regjistrimit në shkollat ​​ushtarake në Turqi

Për vite me radhë, organizata terroriste FETO, duke kurdisur provimet, emëronte anëtarët e saj brenda institucioneve turke, duke krijuar kështu struktura paralele me qëllimin përfundimtar marrjen e kontrollit të shtetit.

Nxënësit e shkollave ushtarake, të cilët ishin rekrutuar që më parë nga organizata terroriste FETO, kishin përparësi ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, pasi kishin akses paraprakisht në pyetjet për provimet pranuese si dhe për dhënien e provimeve për avancim në profesion.

Organizata terroriste fillimisht rekrutonte studentët të cilët ishin në moshën e regjistrimit në shkollat ushtarake, më së shpeshti përmes institucioneve të saj arsimore për mësime shtesë dhe përgatitje për provime pranuese në të gjithë Turqinë dhe më pas, së pari përmes “shpëlarjes së trurit”, këta studentë dëgjonin dhe shikonin ligjëratat audio dhe video të liderit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, për të krijuar një lidhje më të fortë mes tyre dhe organizatës.

Nxënësit u vendosën në banesa që ishin nën kontrollin e FETO-s, ku eprorët e tyre brenda strukturave të organizatës terroriste sillnin paraprakisht pyetjet e provimeve dhe ku i përgatitnin për pjesën e përgjigjeve gojore të provimit pranues.

Po në këtë mënyrë në vitin 2012, në Shkollën e Mesme Detare ‘Heybeliad’ në ishullin me të njëjtin emër në Detin Marmara, u regjistrua oficeri me emrin e koduar Talha, një dëshmitar i penduar i cili, pas përpjekjes së dështuar të grusht shtetit më 15 korrik 2016 dha detaje rreth funksionimit të organizatës terroriste FETO.

Ata mashtruan edhe në kontrollet mjekësore

Ai për Anadolu Agency (AA) tha se personi me emrin Ali, anëtar i organizatës terroriste FETO, e ka përgatitur atë dhe kandidatët e tjerë për provimin pranues në shkollën ushtarake në vitin 2011.

“Ai na tregoi për kapitujt specifikë që do të trajtohen në provimin pranues për shkollën ushtarake. Dy javë para provimit pranues, ai solli pyetje dhe detyra që i zgjidhnim dhe i ushtronim. Do të ndaleshim në përgjigjet e gabuara dhe do të punonim përsëri rreth këtyre pyetjeve dhe detyrave. Kur erdha në provimin pranues, pashë se shumica e pyetjeve ishin plotësisht identike me ato që na solli Aliu”, tha Talha.

Siç tha ai, Aliu dhe Esati, një tjetër pjesëtar i organizatës terroriste FETO, i ashtuquajturi “abi” (vëllai i madh) përgjegjës për nxënësit, kanë përgatitur kandidatët për pjesën me gojë të provimit pranues.

Talha po ashtu ka thënë se i kanë sjellë një tabelë me shenja për kontrollin e posaçëm mjekësor, të cilën e kishte mësuar përmendësh, duke kaluar kështu kontrollin e detajuar mjekësor pavarësisht se ka pasur probleme me shikimin.

Po ashtu edhe kadeti tjetër i së njëjtës shkollë në atë kohë, me emrin e koduar Ebubekir, tregoi se si në të vërtet u regjistrua në shkollën ushtarake.

Ai tha se me ftesë të studentëve anëtarë të organizatës terroriste FETO ka shkuar në banesën ku po qëndronin për t’u përgatitur për provimin pranues.

“Aty morën vendimin që ai të regjistrohej në shkollën ushtarake. Meqenëse unë ndiqja një institucion për mësime shtesë, që aso kohet ishte e lidhur me FETO-n, ata vendosën që ta ndryshojë për të fshehur gjurmët e lidhjes sime me organizatën”, tha si dhe shpjegoi:

“Ata sollën një broshurë me pyetje për provimin pranues, të cilën e ushtronim pa pushim. Kur shkova në provimin pranues, pashë që pyetjet ishin plotësisht të njëjta. Më vonë, një nga ata persona që punonte me ne pranoi se bëhej fjalë për pyetje të ‘siguruara’ për studentët që janë pjesë e kësaj organizate”.

Përgatitje speciale për intervistë

Ish-nxënësi i shkollës së njëjtës, me emrin e koduar Ali, ka treguar se si ishte përgatitur edhe për pjesën me gojë të provimit.

“Më thanë se një oficer gjatë provimit pranues, gjatë intervistës, do të më pyeste se çfarë do të bëja nëse nuk më pranonin në ushtri, ata e dinin edhe se ç’farë do të pyesnin, më thanë të përgjigjem se kjo është dëshira ime e vetme. Kur e thashë këtë kuptova se oficeri që më intervistoi priste një përgjigje të tillë nga kadetët. Gjithçka ishte sipas një skenari, si teatër. Menjëherë me tha se jam pranuar, ndonëse kandidatët e tjerë nuk e dinin për javë të tëra”, tha ai.

Nëpërmjet rrëfimeve të shumta, oficerët e lidhur me organizatën terroriste FETO treguan për mënyrat e hyrjes në strukturat e sistemit shtetëror, në radhë të parë në ushtri dhe polici. Më vonë, rezulton se organizata terroriste FETO u ka kërkuar atyre që të ngrihen kundër vendit dhe popullit të tyre.

Organizata terroriste FETO

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grusht shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016.

Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jeton në SHBA, ekstradimin e të cilit Republika e Türkiye-s e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.

Për vite me radhë, anëtarët e kësaj organizate terroriste u ngritën në detyrë duke kurdisur provimet, duke depërtuar në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiye-s u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të rangut të lartë përmes një procesi të montuar gjyqësor për korrupsion të dyshuar.

Disa vite më vonë, pasoi tentativa e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, pra një përpjekje për grusht shteti të kryer nga oficerët që FETO kishte infiltruar në ushtrinë turke.

Hetimet në lidhje me organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që përbën kërcënim jo vetëm për Türkiye-n, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, ranë 251 dëshmorë ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.

Exit mobile version