Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani nuk ka të ndalur. Rrahmani ka vazhduar me formën e mirë te Rapidi i Bukureshtit, pasi ka shënuar dy gola në fitoren 4:1 ndaj UTA Aradit në kuadër të kampionatit rumun.
Deri më tani, 23-vjeçari ka 11 gola e asistime në 13 paraqitje në elitën e futbollit të Rumanisë. Megjithatë, Rrahmani ka synime të mëdha deri në fund të edicionit pasi beson se do të vazhdoj me formën e lartë.
Ai ka insistuar se shpreson të shënoj 20 gola deri në fund, si dhe ta fitoj titullin e kampionit të Rumanisë me Rapidin.
“Shpresoj të shënoj më shumë gola. Dua të fitoj tituj dhe do të shohim a do t’i shënoj 20 gola. Është me rëndësi të të luftojmë deri në fund”, ka thënë Rrahmani pas fitores së fundit.
Aktualisht, Rapidi është i dyti në tabelë me 51 pikë të mbledhura dhe pjesë e këtij ekipi janë edhe Ermal Krasniqi e Florent Hasani.
Rrahmani në fillim të këtij edicioni iu bashkua Rapidit nga Ballkani i Suharekës dhe me ekipin rumun ka kontratë deri në vitin 2026.