Për Albion Rrahmanin janë thënë vetëm fjalë të mëdha në Rumani, qëkur kaloi te Rapid Bukureshti nga Ballkani, në gusht të vitit të kaluar. Ndikimi i “Lewës” në futbollin rumun ka qenë i menjëhershëm. Për paraqitjet e 23-vjeçarit kanë folur shumë trajnerë e legjenda të futbollit rumun.
Rrahmani vëmendjen do ta marr edhe në dy përballjet që Kosova do t’i ketë ndaj Rumanisë në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Kosova është pjesë e Grupit 2 të Ligës C së bashku me Rumaninë e Qipron. Në grupin e Kosovës më vonë do të bashkohet Gjibraltari ose Lituania.
“Për mua do të jetë ndeshja më e veçantë sepse të gjithë këtu në Rumani më njohin dhe kanë treguar respekt për mua. Por shpresoj që ne në fund të jemi ata të cilët do të festojmë, sepse kemi shumë kualitet”, ka thënë Rrahmani të dielën për KOHËN.
“Dardanët” e nisin rrugëtimin e ri në Ligën e Kombeve pikërisht kundër Rumanisë. Ndeshja e parë luhet më 6 shtator, ndërsa ndeshja në Rumani është më 15 nëntor.
Kosova e kishte Rumaninë në grupin kualifikues për “Euro 2024”. Barazoi pa gola më 16 qershor të vitit të kaluar, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator me rezultatin 2:0.
Kosova pati telashe në Bukuresht. Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të, kur një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.
Sulmuesi i Rapid Bukureshtit, Rrahmani, pret që mesazhe politike të mos ketë nga tifozët rumunë në ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Ato gjëra që kanë ndodhur, kanë ndodhur nga një grup i vogël që kanë dërguar edhe mesazhe që nuk duhet bërë. Besoj se nuk do të përsëriten më sepse gjërat politike nuk i kanë hije lojës së futbollit. Ne e dimë se kush jemi. Kosova është Shqipëri dhe ashtu do të mbetet gjithmonë”, ka theksuar Rrahmani.
Ai ende nuk e ka shtrirë ndikimin e plotë te Kosova. Por pritjet janë të mëdha që së shpejti të bëhet sulmues i rëndësishëm i “Dardanëve”. Për Kosovën ka luajtur dy ndeshje. Luajti tetë minuta ndaj Rumanisë dhe 66 minuta kundër Andorrës.
Ish-sulmuesi i Ballkanit shpreson që të kualifikohet me Kosovën në Kampionatin Botëror të vitit 2026.
“Unë besoj që do të kemi rezultate pozitive duke ditur kualitetin e të gjithë bashkëlojtarëve dhe formën e tyre. Por së pari shpresoj ta marr ftesën dhe ta ndihmoj kombëtaren tonë që të kualifikohemi dhe ta bëjmë ëndrrën realitet”, ka thënë Rrahmani.
Ai nuk u paraqit për Kosovën në tri ndeshjet e fundit kualifikuese për “Euro 2024”. Mungoi për shkak të lëndimit që e pësoi pikërisht me Kosovën ndaj Andorrës, më 12 tetor të vitit të kaluar.
Por u kthye fuqishëm. Ka shënuar dy gola në katër ndeshje me Rapidin këtë vit.
Në total, në kampionatin rumun ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me dy asistime.
“Jam shumë i kënaqur që kam arritur të kthehem shumë shpejtë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë i falënderohem gjithmonë Zotit për të gjitha që mi ka dhënë”.
Pjesë e Rapid Bukureshtit janë edhe Ermal Krasniqi dhe Florent Hasani. Numri i lojtarëve nga Kosova është rritur në Rumani. Dhe për këtë ndikim të madh ka pasur forma e treguar nga Rrahmani dhe më herët e Ermal Krasniqit.
“Jam i lumtur po ashtu që kam pasur ndikim në ligën e Rumanisë. Shpresoj që në të ardhmen të ketë edhe më shumë transferime nga Kosova, sepse tashmë janë duke e përcjellë shumë Superligën e Kosovës”, ka treguar Rrahmani.
Rapid Bukureshti të shtunën fitoi derbin ndaj Clujit, 1:0. Rapidi zë vendin e dytë me 45 pikë, gjashtë më pak se Steaue Bukureshti.
“Është garë shumë e nxehtë. E kemi nisur shumë mirë stinorin pranveror. Kemi shënuar katër fitore nga katër ndeshje të luajtura dhe jemi në rrugë të mirë. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ecuri të mirë”, ka thënë Albion Rrahmani.
Box ******
T: Kthehet Muriqi i vërtetë, shënon golin e fitores
Sulmuesi Vedat Muriqi ka dëshmuar edhe njëherë se pse vlerësohet lojtari kryesor i Mallorcas.
Të dielën mbrëma, Mallorca fitoi 2:1 ndaj Rayo Vallecanos në kuadër të xhiros së 24-t të La Ligas spanjolle.
Golin e fitores e shënoi pikërisht sulmuesi kosovar. Në minutën e 91-të, pas një rivënie nga këndi, Muriqi goditi saktë me kokë për tri pikët e rëndësishme të Mallorcas. Ai nuk kishte shënuar gol që nga 30 shtatori i vitit të kaluar. Edhe golin e kaluar e kishte ndaj Rayo Vallecanos.
Lideri i Mallorcas ka munguar prej 12 nëntorit deri më 20 janar për shkak të një lëndimi.
Muriqi ka pesë gola e dy asistime në 16 paraqitje këtë edicion.
Fitorja ishte shumë e rëndësishme për Mallorcan që po lufton për mbetje në La Liga. Mallorca tani i ka 23 pikë në pozitën e 15-të. Rayo Vallecano mban pozitën e 14-të me 24 pikë.