Ronaldo thyen një tjetër rekord në fitoren e Portugalisë

Ylli Cristiano Ronaldo ka thyer një tjetër rekord pas fitores së Portugalisë 2:1 ndaj Çekisë në “Euro 2024”, të martën mbrëma.

Ronaldo është bërë futbollisti i parë që është paraqitur në gjashtë Kampionate Evropian rresht, ndërsa ndaj Çekisë regjistroi paraqitjen e tij të 208-të me fanellën e Portugalisë.

39-vjeçari debutoi në “Euro 2004” kur Portugalia arriti deri në finale të këtij turneu, ndërsa në vitin 2016 e udhëhoqi vendin e tij drejt triumfit në Evropian.

Krahas këtij rekordi, Ronaldo mbanë edhe rekordin për më së shumti gola të shënuar në këtë ngjarje, gjithsejt 15 dhe më së shumti paraqitje – 26 duke llogaritur ndeshjen me Çekinë ku ishte i pazëvendësueshëm.

Po ashtu, Ronaldo mund të bëhet edhe golashënuesi më i vjetër në Evropian, nëse arrin të realizoj gol në këtë turne.

Portugalia në fazën e grupeve do të përballet edhe me Turqinë e Gjeorgjinë.