Ballina Sport Futboll Ronaldo e Portugalia synojnë fitoren e tretë

Ronaldo e Portugalia synojnë fitoren e tretë

Portugalia tashmë është kualifikuar në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian dhe mund të largohet nga Grupi F me një fitore të tretë, kur të mërkurën do të luajë kundër Gjeorgjisë.

Trajneri Roberto Martinez pritet ta mbajë Cristiano Ronaldon në formacionin bazë. Një barazim mund t’i japë Gjeorgjisë një rast për t’u kualifikuar tutje, varësisht prej rezultateve tjera. Por garanci për Gjeorgjinë do ta kishte vetëm me fitoren përballë portugezëve.

Ndeshja në mes të Gjeorgjisë dhe Portugalisë zhvillohet në Gelsenkirchen nga ora 21:00, në të njëjtën kohë kur rivalët e grupit, Çekia dhe Turqia, takohen në Hamburg.

Siguria në këtë ndeshje do të rritet, pasi jo më pak se gjashtë tifozë pushtuan fushën ose u përpoqën të fotografoheshin me Ronaldon në fitoren 3:0 të Portugalisë ndaj Turqisë. Katër prej tyre arritën te Ronaldo, ndërsa UEFA garantoi siguri më të lartë.

“Është pa dyshim një situatë e bezdisshme si për ne ashtu edhe për kundërshtarët tanë. Na shqetëson, e kemi bërë tashmë deklaratën dhe të shpresojmë që situata të përmirësohet në ndeshjet e ardhshme”, tha portieri i Portugalisë, Diogo Costa, për tifozët që pushtojnë fushat e futbollit.

Sulmuesi i Gjeorgjisë, Khvicha Kvaratskhelia u premton maksimumin tifozëve të vet.

“Tifozët gjeorgjianë duhet të presin më shumë nga unë, sepse nuk kam bërë maksimumin që mund të bëj. Dhe unë do të përpiqem ta tregoj këtë në ndeshjen kundër Portugalisë dhe shpresoj se mund të ndihmoj skuadrën për të shënuar një fitore”, ka thënë Kvaratskhelia.

Kalimin tutje e kërkojnë edhe Turqia dhe Çekia. Turqia është e dyta me 3 pikë, ndërsa Çekia e ka një pikë, sa edhe Gjeorgjia.

Çekët mund të luajnë pa sulmuesin kryesor Patrik Schick në ndeshjen e fundit dhe vendimtare, tha trajneri Ivan Hasek.

Schick, i cili ishte golashënuesi më i mirë në Euro 2020, u lëndua në ndeshjen kundër Gjeorgjisë të shtunën dhe nuk ka stërvitur që atëherë.

“Patriku ka qenë me mjekët dy ditët e fundit. Ai nuk ka stërvitur, por po përmirësohet. Do të shohim” tha Hasek në konferencë për shtyp.

Mbrojtësi i Turqisë, Kaan Ayhan, beson në fitoren e ekipit të tij.

“Ne kemi tri pikë pas dy ndeshjesh. Ndeshja me Gjeorgjinë ishte një fillim i mirë. Portugalinë mund ta kishim mposhtur në një ditë të mirë, por Portugalia ishte shumë e fortë atë ditë. Ne duam të marrim gjashtë pikë dhe të përfundojmë në vendin e dytë në grup”, ka thënë Ayhan.

Exit mobile version