Ballina Autorë Opinione Roli i trupit diplomatik shqiptar dhe i ulemave shqiptarë në ruajtjen e...

Roli i trupit diplomatik shqiptar dhe i ulemave shqiptarë në ruajtjen e identitetit kombëtar

Qerim Lita

Në rrethana kur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë, qoftë ajo qytetare ose kombëtare, arsimore, kulturore, një pjesë e ulemave të njohur shqiptarë, si Mulla Idriz Gjilani, Sherif Langu, Shaban Efendiu, Akshi Sulejmani, Rexhep Remzi Abdullahu, Atullah ef. Kurtishi, Sait Hoxha, Mulla Nura i Gjinocit, Asim ef. Luzha, Jahja ef. Daci, Sherif ef. Jahja nga Manatiri etj., në fillim të viteve tridhjeta të shekullit të kaluar ndërmorën një sërë aktivitetesh politike dhe organizative, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e shqiptarëve.

Qerim LITA, Shkup

Kosova dhe viset tjera shqiptare, nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, përkatësisht jugosllave, ishin në prag të shfarosjes. Qarqet e atëhershme pushtuese serbe-jugosllave i përdorën të gjitha metodat që “me çfarëdolloj çmimi të ndryshohet karakteri etnik në krahinat të banuara me shqiptarë”. Ndër metodat më të shumta që përdoreshin për arritjen e këtij qëllimi duhet veçuar: a) përndjekja e çfarëdolloji për t’i detyruar shqiptarët të shpërnguleshin; b) përdorimi i dhunës për asimilimin e detyrueshëm të popullatës shqiptare, e cila nuk ishte në gjendje të mbrohej; c) përndjekja dhe zhdukja e elementëve, që nuk dëshironin ta braktisin vendin e tyre ose nuk pranonin asimilimin, përkatësisht serbizimin.

Metoda e parë zbatohej përmes marrjes së tokës së bukës prej popullsisë shqiptare, për t’ua dhënë kolonëve serbë e malazezë. Një pjesë e madhe e kësaj toke të grabitur u shpërndahej pjesëtarëve të organizatës çetnike serbe (organizatë e cila përbëhej prej hajdutësh dhe komitësh serb) në “shenjë mirënjohjeje, për kontributin e dhënë gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore”.

Ndërkohë, metoda e dytë dhe e tretë zbatohej përmes vrasjeve dhe persekutimeve masive të popullsisë shqiptare në përgjithësi e të parisë së saj në veçanti, por edhe përmes mbylljeve të atyre pak shkollave shqipe që funksiononin deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore dhe hapjes së shkollave serbe në vendbanimet e pastra shqiptare. Lidhur me këtë, i deleguari i plotfuqishëm i Mbretërisë Shqiptare në Beograd, Rauf Fico, i shkruante Mbretit Zogu I se, përveç shpërnguljes masive për në Turqi, në shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë “na konkurron dhe një rezik tjatër më i madhë” e që ishte serbizimi i shqiptarëve. “Djemtë kosovarë”, shkruan Fico, “duke kënduar në shkollat Serbe, kanë filluar t’harrojnë shqipen, këtë gja e kamë konstatuarë në pjekjen e me hetimet e mija personale”.

Në rrethana kur shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë, qoftë ajo qytetare ose kombëtare, arsimore, kulturore, një pjesë e ulemave të njohur shqiptarë, si Mulla Idriz Gjilani, Sherif Langu, Shaban Efendiu, Akshi Sulejmani, Rexhep Remzi Abdullahu, Atullah ef. Kurtishi, Sait Hoxha, Mulla Nura i Gjinocit, Asim ef. Luzha, Jahja ef. Daci, Sherif ef. Jahja nga Manatiri etj., në fillim të viteve tridhjeta të shekullit të kaluar ndërmorën një sërë aktivitetesh politike dhe organizative, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e shqiptarëve.

Sipas burimeve arkivore të kohës, shohim se fushëveprimi i tyre fillimisht u përqendrua në organizatën bamirëse “Merhamet” dhe “Shefket”, ku ishin edhe anëtarë të këtyre dy organizateve, që më pas këtë politikë e shtrinë edhe brenda Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Ndër kërkesat më të rëndësishme që u shtruan në atë kohë ishin: administrata në myftinitë e BFI-së të zhvillohet në gjuhën shqipe, shqiptarëve t’u jepen më shumë të drejta kombëtare dhe qytetare, në vendbanimet shqiptare të hapen shkolla fillore në gjuhën shqipe, me organet e BFI-së të udhëheqin vendorët e jo klika ardhacakë boshnjake etj.

Po në atë kohë, përkatësisht me shpalljen e monarkisë, u vu re një rritje e vëmendjes së Mbretërisë Shqiptare për çështjen e Kosovës, në veçanti, dhe atë shqiptare, në përgjithësi, nën Jugosllavi. Kryediplomati shqiptar në Beograd, Rauf Fici, me 2 shkurt 1929 i shkruante Mbretit Zogu I se kishte ardhur koha që Shqipëria ta ngrejë zërin e saj në mbrojtjen e popullsisë shqiptare në Kosovë.

…Shpirti i mjeruemë i Kosovës, shkruante Fico, po pret të shofi agimin e (Ditës Madhe) dhe gjithë populli ka varur shpresat në veprat e Nalt Madhnis së Tij Shpëtimtarit të Kombit Mbretit Shqiptarëve. Mua më duket se nashti është koha më e volitshme për të profituar nga rasti që është çfaqur me demarshet e bëra nga ana e Komitetit Ballkanik në Lidhjen e Kombeve. Nashti është koha që të kërkohet çelja e shkollave shqiptare në Kosovë e në Maqedoninë. Një demarshë i tillë ka për të tingëlluar drejt nër zemrat e shqiptarëve të këtushmë. Krej i punës, kishte për të qenë në formimin i një shërbimit të posatshëm për Kosovë, si një Komision me qendër në Shqipërië, ose si një Shoqëri e subvacionuar nga Shqipëria dhe me qendër jashtë Shqipërisë. Në qoftë se gjinden disa njerës me të vërtetë të zotër, mundet të bëjmë shumë punëra. Kjo Organizatë sot për sot nuk ka nevojë të lëftojë me pushkë, por të miret vetëm me protestime me botime e me propaganda si po e bëjnë edhe kroatët. Si Qeveria ashtu edhe Shoqënia duhet të kenë një dieni të plotë për vendet e për personat e çquar dhe për katundet ku banojnë shqiptarët ashtu duhet të jenë në kurent të gjithë ngjarjeve…”.

Rrjedhimisht, Legata Shqiptare në Beograd, përmes Kryenkosullatës së saj në Shkup dhe Konsullatës së Manastirit, vendosën lidhje të ngushtë me parinë e atëhershme shqiptare që i printe Ferhat bej Draga, por edhe me ulematë e njohur shqiptarë të kohës, për të cilët u bë fjalë më sipër. Si hap i parë i bashkëpunimit ishte përhapja e vetëdijes kombëtare, e cila mund të arrihej vetëm përmes hapjes së shkollimit në gjuhën shqipe, për çka mejtepet e atëhershme u shndërruan në mësënjtore të para të gjuhës shqipe. Burimet diplomatike shqiptare të kohës nxjerrin në pah veprimtarinë e palodhur të ulemave shqiptarë të Kosovës e të viseve tjera shqiptare nën Mbretërinë Jugosllave gjatë viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, e cila u shqua veçmas në shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Kjo shihet nga promemoria e Kryekonsullatës Shqiptare në Shkup, dërguar MPJ në Tiranë, në të cilën veç tjerash në të thuhet:

…Kryekonsullata Mbretnore e Shkupit qysh nga data e krijimit të saj deri më sot, duke u bazuar në udhëzimet dhe urdhërat epërore ka vazhduar me prudencë dhe sistematikisht, pikë së pari në ringjalljen e forcimin e ides kombëtare dhe të përhapjes së mësimit të gjuhës amtare nër viset e ndryshme të Kosovës dhe për realizimin e këti qëllimi janë shpërndarë në shumicë libra të ndryshme, nga të cilat shohim sot me kënaqësi që një pjesë e konsideruar ka mësuar të këndojë e të shkruajë gjuhën amtare…”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë Shqiptare, me shkresën B. III. Nr. 9/27 Rez, të datës 6 mars 1937, njoftonte konsullin e Manastirit, Xhemil Frashërin, për dërgimin e një sasie të konsiderueshme të librave në gjuhën shqipe, për “nevojat e Konsullatës së Manastirit dhe të Kryerkonsullatës së Shkupit”. Më poshtë përshkruheshin titujt e librave dhe sasia e paraparë për Kryenkonsullatën e Shkupit dhe për Konsullatën e Manastirit:

“Sasia për Kryekonsullatën      sasia për Konsullatën e

e Shkupit:                            Manastirit

Udha Muhamedane                    45                                          45

Abetare                                       40                                          30

Besimet e Myslimanëvet            60                                          40

Libër leximi                                20                                          15

Psikologji                                    24                                          18

Alfabe arabisht – shqip                 8                                            6

Myslimanësia                              88                                            6

Gjylistani                                       8                                            6

Histori e shenjtë                             8                                            6

Shuma          221                                       172  = 393”.

Këto dhe shumë libra tjerë shpërndaheshin nëpër trevat shqiptare nga njerëz të besuar të trupit diplomatik shqiptar në Shkup e Manastir, në mesin e të cilëve duhet veçuar Vesel Kryeziun nga Pagarusha e Rahovecit, përndryshe babai i artistes së njohur shqiptare nga Kosova, bilbilit të këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Vesel Kryeziu lindi në vitin 1903 në Pagarushë të Rahovecit. Në vitin 1920 u vendos në Tiranë, ku me sukses i kreu mësimet në Medresenë e Naltë të Tiranës (ciklin e ulët, që zgjaste katër vjet dhe ciklin e lartë, që gjithashtu zgjaste katër vjet), duke e marrë titullin hoxhë. Pasi e kreu shkollimin, u punësua në degën e administratës pranë Drejtorisë së Vakfit të Tiranës. Në vitin 1932 u kthye në Kosovë dhe me autorizimin e trupit diplomatik shqiptar në Beograd e Shkup formoi një rrjet të gjerë të veprimtarisë kombëtare shqiptare në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi. Më 1 maj të vitit 1941 Vesel Kryeziu i shkroi një letër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, ku veç tjerash veprimtarinë e tij dhjetëvjeçare në Kosovë e përshkruante siç vijon:

“…Në vjetin 1932, jam kthye në vend-lindjen në Kosovë. Me autorizimin e Konsullatave Shqiptare të Shkupit e të Beligradit, në kohën e robnis kam formue nji direktivë nacionale në malet e nalta të Kosovës tue shërbye dhjet vjet me aktivitetin ma të madh. Në këto dhet vjet kam jetue tue pasë kryet ndër gërshanë. 3000 copë abetare të shqipes i kam shpërnda nëpër Kosovë dhe me shumicë prej Shqiptarëve kam shpëtue prej territ tanalfebetizmit. Kam ba propagandën ma të madhe në Kosovë për mos emigrimin e shqiptarve në Turqi. Kur forca barbare e gjindarmëris jugosllave u hyni derë në derë shqiptarve me bajonetë për me i përzanë nga vatra, unë gjendesha katund me katund nëpër male e proje tue hapë propagandë e kurajon në popull për mos emigrim…”.  

Për veprimtarinë atdhetare të Vesel Kryeziut flet edhe i ngarkuari me punë pranë Legatës Mbretërore Shqiptare në Beograd, Asafa Xhaxhuli, i cili më 22 mars 193, i shkruante ministrit të Jashtëm, Ekrem Libohovës, se “patritoti i provuar Z. Vesel Kryeziu, nga Podrima, që siç dihet disa kohë më parë ka pasë qenë nën shërbim të Kryekonsullatës në Shkup, ku me aktivitetin e tij të gjallë e plotë sakrifica ka pas kryer detyrën e udhëheqësit në krahinën e vet…. Gjithashtu lutem që Z. Vesel Kryeziut ti caktohet nji shpërblim i përmujshëm, sa t’i bëjë ballë jetesës dhe shpenzimeve të shpeshta, që esht duke bërë në përkrahjen e propagandës kombëtare ndaj bashkatdhetarve të vet. Ky kët shpërblim e meriton më shumë se kushdo…”.

Veprimtarinë e përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe ulematë shqiptarë e zhvillonin në bashkëpunim të ngushtë edhe me organizatën studentore “Besa” në krye të së cilës qëndronin trembëdhjetë studentë shqiptarë: Shaip Kamberi nga Tetova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Tahir Ismaili nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni, Imer Rashidi nga Struga, Ejup Abdyrrahmani nga Dibra, Nexhip Deva nga Mitrovica, Esad Doko nga Ohri, Esad Berisha nga Gjilani dhe Hasan Hakiu nga Prizreni. Të gjithë ata bashkëvepruan ngushtë me krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në krye me Ferhat bej Dragën, Mulla Idriz Gjilanin, Vesel Kryeziun, Mulla Nurë Gjinocin, Iljaz Agushin, Kadri Saliun, Ismail Goranin, Banush Hoxha Sedllarin, hfz. Sherif Langun, Shaban Efendiun, Sherif ef. Jahjën, Maliq Pelivanin, hafz. Lutfi Ahmetin, Asim ef. Luzhën e shumë të tjerë. Ky bashkëpunim, gjatë viteve 1936-1939, u shtri në disa drejtime, në radhë të parë në fushatën për ngritjen e vetëdijes kombëtare, në fushatën kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta për në Turqi dhe në fushatat për zgjedhjet e organeve drejtuese brenda Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit.

Diplomati shqiptar Seremet Xhaxhuli e njoftonte MPJ në Tiranë se organizata e fshehtë e rinisë studentore “Besa”, në mbështetje dhe inkurajimin e vazhdueshëm nga i nënshkruari, “nuk le rast pa i treguar” pjesës intelektuale të këtushme vuajtjet e kosovarëve. “Disa kohë më parë”, shkruan më tej Xhaxhuli, “kryetari i kësaj organizate në një mbledhje të studentëve n’Universitetin e Belgradit, mbajti fjalimin, me anën e të cilit i shpjegoj gjendjen gjer e gjat mjerimet, e shkaktuara prej zbatimit në një mënyrë çnjerëzore të Reformës Agrare në viset e Kosovës”. Në vazhdim ai e ngre lartë veprimtarinë e anëtarëve të kësaj organizate, që ishte me plotë sakrifica, prandaj ata meritojnë “çdo lëvdërim e përkrahje”, të cilët që tani po dëshmojnë me fakte se po bëhen prisat e vërtetë të Kosovës. “Me këtë rast”, shkruan Xhaxhuli, “mar lejen t’Ju lutem një herë që të kini mirësin dhe t’i akordoni secilit antar të kësaj Organizate nga 60 fr. ari në muej ..Këta djelmosha janë të zhveshur nga çdo interes dhe këtë ndihmë duhet që atdheu i tyre i lirë t’ia u akordoj jo si shpërblim, pse ky nuk shpërblehet, por si një përkrahje që të mos vuajnë nga urija si dhe të mos shtrëngohen të lënë për gjysmë studimet”.

Është për t’u theksuar fakti se trupi diplomatik shqiptar rëndësi të veçantë i kushtoi edhe organizimit të mirëfilltë të organizatës së atëhershme myslimane, përkatësisht Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, i cili deri atëherë udhëhiqej nga klika serbo-madhe. Nisur nga kjo, i deleguari i plotfuqishëm shqiptar në Beograd, Rauf Fico, në një takim që e pati në Beograd me Ferhat bej Dragën, i sugjeroi atij që të merrej vesh me Mehmet Spahon për riorganizimin e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, me qëllim që i njëjti të udhëhiqet nga shqiptarët e jo nga klika serbo-madhe që i printe Fejzi Haxhiamziqi. Rrjedhimisht, Ferhat Draga u takua me M. Spahon dhe u pajtuan që Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit të udhëhiqet nga ulematë shqiptarë dhe njëkohësisht të bashkëveprojë me Mexhlisin e Ulemasë së Sarajevës. Dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ky bashkëpunim midis shqiptarëve dhe boshnjakëve të shtrihet edhe në fushën politike. Lidhur me këtë, Rauf Fico, më 25 shtator 1935, i shkruante Mbretit Zog se marrëveshja e arritur midis Dragës dhe Spahos përbënte një rëndësi të veçantë për popullsinë shqiptare myslimane të Kosovës dhe se shqiptarët duhet “të lidhen me sho-shoqin në rreth të organizatës fetare dhe të sigurojnë zgjedhjen e disa deputetëve të pajisur me dijeni e me kurajo civile, që të mundin t’i mbrojnë të mjerët kosovarë, para terrorizmave e grabitjeve të tmerrshme që po iu bahen në mënyra zyrtare e private dhe të ndalojnë definitivisht shtrëngimet që po iu bëhen për emigrim…”.

Për rrjedhojë, më 25 mars të vitit 1936, organet supreme të BFI-së e hartuan kushtetutën e re, që hyri në fuqi me 5 nëntor të atij viti, pasi u publikua në gazetën zyrtare. Me Kushtetutën e re, në vend të komisarit politik, i cili deri atëherë emërohej nga ministri i Drejtësisë, u krijua organi ekzekutiv prej pesë anëtarësh dhe po aq zëvendësish, i cili zgjidhej nga Kuvendi Mearif i Vakëfit. Këshilli Ekzekutiv zgjidhte nga radhët e veta kryetarin dhe nënkryetarin e tij. Mënyra e zgjedhjeve të këtyre organeve sqarohej në nenin 115 ku thuhej: “Mexhliset e xhematit, kuvendet mearife të vakfeve të qarqeve dhe këshillat mearife të vakfeve në Sarajevë e Shkup zgjidhen përmes zgjedhjeve të përgjithshme, të barabarta, të fshehta e të drejtpërdrejta. Mandati i këtyre organeve zgjat 4 vjet. Zgjedhjet duhet të mbahen detyrimisht brenda një dite”.

Territori që mbulohej nga Mexhlisi i Ulemasë në Shkup përfshinte tetë njësi zgjedhore: njësia zgjedhore e Qarkut të Shkupit me rrethet: Shkup, Nish, Kumanovë, Preshevë, Veles dhe Kaçanik; njësia zgjedhore e qarkut të Tetovës me rrethet: Tetovë, Gostivar dhe Dibër; njësia zgjedhore e Prishtinës me rrethet: Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan; njësia zgjedhore e Prizrenit me rrethet: Prizren, Rahovec, Suharekë, Dragash, Gjakovë dhe Pejë; njësia zgjedhore e Mitrovicës me rrethet: Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Podujevë, Novi Pazar dhe Beograd; njësia zgjedhore e Manastirit me rrethet: Manastir, Kërçovë, Prilep, Resnjë, Kavadar, Vallandovë, Ohër, Strugë, Koçan, Strumicë dhe Shtip; njësia zgjedhore e Plevles me rrethet: Plevle, Bihor, Bellopole, Priboj, Prijepole, Sjenicë dhe Plavë; njësia zgjedhore e Tivarit me rrethet: Tivar, Ulqin dhe Podgoricë. Në Kuvendin Mearif të Shkupit zgjidheshin gjithsej 27 anëtarë dhe po aq zëvendës, renditja e të cilëve bëhej në përputhje me numrin e popullsisë myslimane të njësive zgjedhore, përveç njësive zgjedhore Plevle dhe Tivar, për të cilat ishte përcaktuar me statut numri i anëtarëve, pa marrë parasysh numrin e popullsisë myslimane. Kështu, njësia zgjedhore e Shkupit zgjidhte 4 anëtarë, e Tetovës – 3 anëtarë, e Prishtinës – 3 anëtarë, e Prizrenit – 5 anëtarë, e Mitrovicës – 4 anëtarë, e Manastirit – 4 anëtarë, e Plevles – 3 anëtarë dhe e Tivarit – 1 anëtar.

Sipas regjistrimit të kryer nga udhëheqja e Bashkësisë Islame, në hapësirën që shtrihej Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit, deri më 31 dhjetor 1935, jetonin gjithsej 883.616 banorë myslimanë. Me 6 mars të vitit 1937, Naib-i Fejzi Haxhiamziq, i shpalli zgjedhjet e përgjithshme në hapësirën e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup. Në garën zgjedhore u paraqitën tre lista zgjedhore: lista që i printe Ferhat bej Draga, pas së cilës qëndronin ulematë dhe atdhetarët e shquar shqiptarë, si: Mulla Idriz Gjilani, Mulla Nura, Banush Hoxha Sedllari, Vesel Kryeziu, Kadri Saliu, Shaban Efendiu, Iljaz Agushi, Zenel Strazimiri, Abdullah Veliu, Azem Latif Hoxha, Sherih ef. Jahja, Hasan Shukriu, hafëz Bedri Hamidi, hafëz Sherif Langu, Remzi efendi Abdullahu etj. Një mbështetje të fuqishme pati edhe nga udhëheqja studentore “Besa”, në krye me Ibrahim Lutfiun, Tahir Ismailin, Shaip Mustafën, Shaip Kamberin, Sokol Dobroshin, Esat Berishën etj.. Kjo listë ndryshe quhej “lista e parisë irredentiste shqiptare” ose “lista e Bojalihanit”. Listën e dytë e kryesonte Fejzi Haxhihamziqi, i cili u propozua si kandidat nga mbështetësit e regjimit të Beogradit, shumicën e të cilëve ky regjim i kishte vendosur nga Bosnja në Shkup, me detyrë speciale që të zhvillonin propagandë për turqizmin, përkatësisht serbizimin e shqiptarëve. Listën e tretë e kryesonte Ataullah efendi Kurtishi, një ulema i njohur në këto treva e më gjerë, kundërshtar i rreptë i F. Haxhiamziqit, i cili pas zgjedhjeve iu bashkëngjit grupit të Ferhat Dragës.

Siç u vu në dukje më sipër, këtyre zgjedhjeve rëndësi të madhe u kushtoi trupi diplomatik shqiptar në Beograd, Shkup e Manastir, i cili e mbështeti fuqishëm listën e Ferhat bej Dragës, si në pikëpamje politike, ashtu edhe financiare. Ministri fuqiplotë pranë Legatës Mbretërore Shqiptare në Beograd, më 6 maj 1937, i shkruante ministrit të Jashtëm, Ekrem Libohovës, për fushatën zgjedhore në Kosovë për zgjedhjen e organeve drejtuese të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, ku, ndër tjerave, në të theksonte:

“…Tani ndodhemi në fazën më të gjallë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e komunitetit mysliman në Kosovë. Simbas instruksioneve eprore që m’u dhanë në Tiranë, u pashë dy a tri herë me Z. Dragën, bëmë së bashku programin, caktuam njerëzit që do të punojnë dhe vendet e aktivitetit të tyre. Në Kosovë nër shumë Nënprefektura janë paraqitur tri lista, por nër shumë të tjera vetëm dy lista, ajo e Z. Ferhat Dragës dhe një tjetër, ajo që përkrahet prej Qeverisë, dhe për fat të keq prej shqiptarësh vegla të Qeverisë. Ndonse Guverna me mjetet e ndryshme të saja nuk le pa ndërhyrë në këto zgjedhje dhe përdorë gjithë influencën e organeve të saja, prapë se prapë shihet këtë herë në Kosovë një gjallërië që nuk është parë gjer tani dhe që duhet të na gëzoj. Elementi intelektual i shqiptarëve të Kosovës, shtrënguer rreth Z. Ferhat Dragës po punon me gjithë fuqitë e tij, natyrisht në krye të 12 studentët e ditur, të cilët me radhë po vizitojnë qendrat e ndryshme të krahinave të tyre, me qëllim që të bëjnë propagandë për listën e Z. Dragës që përmban emrat e shqiptarëve më të kulluar të Kosovës… Fushata u përgatit mjaft mirë dhe mjetet nuk na munguan dhe unë besoj që dishka do të fitojmë nër këto zgjedhje. Cilido qoftë rezultati i tyre, një gjë duhet neve të na gëzojë dhe ajo është që sot në Kosovë ka një shpirt shqiptarizmi, ka një gjallërië për shqiptarizmin, dhe elementet patriote dhe intelektuale nënë maskën fetare punojnë për shqiptarizmë. Më 30 të këtij muaji marin fund zgjedhjet për të cilat bëj fjalë…”.

Ndërkohë, edhe konsulli i Manastirit, Xhemil Frashëri, njoftonte për përpilimin e listës shqiptare në atë qark, që do të merrte pjesë në zgjedhjet e 30 majit, së cilës i printe atdhetari i shquar shqiptar i asaj ane, Sherif ef. Jahja, dhe kadiu i Manastirit, Mustafa Sadiki. “Tash Shqiptarët”, shkruan Xh. Frashëri, “të udhëhequr prej këshillave të kësaj Përfaqsije Mbretnore,… po organizohen dhe po mpërpiqen që të marin drejtimin e Hamijet-it në Manastir në dorë të tyre ashtu edhe të emnojnë Najip-in e tyre në Shkup. Autoritetet të gjindarmërisë dhe të policisë të këtushëm, si kurdoherë, tërthurazi edhe haptazi po i kërcnojnë kryetarët Shqiptar që të votojnë për listën e turqve, të cilët nuk janë veç se veglat verbonjëse tauritetevet në dëm të elementit Shqiptar. Fitimi i listës Shqiptare ka me qenë baza e politikës Kombëtare të kësaj Përfaqsije Mbrtnore në të ardhmen këtu. Prandaj po mundohemi dita ditës me premtim ndihmësh financiare dhe me premtim akordim bursash nëpër shkolla Shqiptare të djemve të kryetarve Shqiptar, besnikët t’onë, në këtë lëvizje që të vazhdojnë luftën e tyre, të mos i tremben kërcënimevet t’auatoritetevet por të votojnë listën Shqiptare…”.

Bartës të fushatës së listës së Ferhat Dragës ishin intelektualët dhe ulematë e njohur shqiptarë, si: Mulla Idriz Gjilani, Vesel Kryeziu – Pagarusha, Asim ef. Luzha, Ibrahim Lutfiu, Shaip Kamberi, Esad Berisha, Sokol Dobroshi, hafiz Sherif Langu, Bedri ef. Hamidi, Shaban Efendiu, Mulla Nura i Gjinocit, Sherih ef Jahja i Manastirit etj. Ata u bënin apel shqiptarëve që mos bien pre e dezinformatave që plasoheshin nga agjentët e listës së Haxhiamziqit, të cilët u thonin shqiptarëve se nëse nuk e votonin listën qeveritare, por atë opozitare të Ferhat Dragës, atëherë “do u heqin edhe fesat edhe ferexhetë dhe në vend të fesave, do u venë kapelat”. Përveç kësaj, këta agjentë shpërndanin edhe parullën se “në qoftë se populli nuk do i zgjedhë, atëherë ata do i zgjedhë qeveria”. Për t’iu kundërvënë këtyre dezinformatave dhe shpifjeve të listës proserbe, anëtari i organizatës së fshehtë studentore “Besa”, Ibrahim Lutfiu, në një shkrim të botuar më 16 prill 1937 në gazetën “Dogru Joll”, shkruante se të gjitha ato parulla janë të “fanatikëve të mëdhenj, prej të cilëve nuk do të sheh ndonjë të mirë as Feja Islame e as besimtarët e  tij. Këtu e ka për detyrë të ndërhyjë inteligjenca  e Kosovës dhe të paralizojë veprimin e këtyre agjitatorëve të këqij, duke i treguar popullit që njeriu nuk vlerësohet as nga fesi e as nga kapela, që njeriu nuk vlerësohet nga ajo që e mban mbi trup, por nga ajo që ka brenda në trup – në veten e tij… Kuptohet se 800 ose 900 mijë myslimanë nuk do të zemërohen për shkak të një njeriu ose nga disa prej tyre, të cilët nuk e meritojnë që për qejf të tyre të shkelet dëshira e tyre. Ne dëshirojmë që mos të punohet në dëm të Bashkimit tonë për shkak të disave….”.

Në vazhdim, I. Lutfiu shkruante se në politikë është bërë zakon përdorimi i tëra mjeteve, mirëpo. Sipas tij, kjo nuk ishte politikë, por fe, prandaj në këtë rast duhet të merren parasysh elementet morale, sepse pa ato elemente nuk mund të ekzistojë asnjë bashkim fetar.“Në qoftë se ne bajmë detyrat fetare, i bajmë se ashtu jemi të bindur. Asnjëri nuk mund të detyrohet të shkojë me pahirë në xhami ose në kishë. Gjithashtu do të qe gjë për të qeshur sikur të detyroheshin njerëzit të votonin ata të cilët populli nuk ka besim që ata do të jenë të dejshëm të udhëheqin bashkimin e tyre fetar”.

Ashtu siç ishte parashikuar, më 30 maj 1937 u mbajtën votimet në mbarë hapësirën e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Organizimi i tyre u bë nëpër objektet e mexhliseve të xhematit, si xhamitë, mejtepet etj., ndërsa në ato mexhlise ku mungonin objekte të tilla dhe nuk i plotësonin kushtet për mirëvajtjen e votimit, me kërkesë të Naibi-it, administrata e atëhershme e Banit mundësoi që votimet të organizoheshin nëpër shkolla e objekte të tjera shtetërore. Nga procesverbalet e komisioneve të rretheve rezulton se gara ishte tepër e ngushtë dhe e ashpër, madje po të mos kishin ndërhyrë organet e pushtetit, me siguri se lista e Ferhat bej Dragës do të dilte fituese.

Këshilli Qendror Zgjedhor shpalli fituese listën qeveritare të Fejzi Haxhiamziqit, me gjithsej 15 anëtarë të fituar, kundrejt listës shqiptare, e cila kishte fituar gjithsej 11 anëtarë dhe 1 anëtar fitoi lista e Ataullah Hoxhës. Konsulli shqiptar në Shkup, Seremet Xhaxhuli, i shkruante MPJ-së se në “Qarkun e Prizrenit, mbas shumë paudhësive dhe legaliteteve që bënë të tmerrohet popullsia, zgjedhjet përfunduan me fitimin e tre kandidatëve të listës që kryesonte personalisht Naib Fevziu, deputeti shqiptar, Mustafa Dërguti dhe senatori shqiptar Sejfedin beu. Në listën Draga-Qemal Osmani, fituan kandidatët Z. Abdullah (myderrizi i njohur nga Prizreni – v. j.) dhe Z. Xhevat Begolli”. Kjo dëshmohej edhe në raportin e organizatës studentore “Besa”, dërguar Legatës Mbretërore Shqiptare në Beograd, në të cilin veç tjerash thuhej:

 “…Bani kriminal i Banovinës së Vardarit, Svetisllav Paunoviq, vetë ay, shëtiti të gjithë vendet në Kosovë, u jepte urdhëra n/prefektëve, që të përdornin të gjitha mjetet për t’i siguruar sukses njerëzve të qeverisë. Me 25 shkoj në Prizren dhe thirri të tre n/prefektët e qarkut të Preizrenit, u dha dijeni si këtyre ashtu edhe kryetarve të bashkivet, se do i gjente e zeza në qoftë se nuk do të fitonin njerëzit e qeveris. Kjo gja nuk mbeti pa efekt. Policija iu kanos shqiptarëve se, në qoftë se nuk votonin kandidatët e qeveris aherë nuk do të kishin më vent në Jugosllavi…U akuzuan shqiptarët se gjoja banin propagandë anti-jugosllave. Kundra tyre u ngritën padijë. Shumë u kualifikuan si anëtarë të ‘Komitetit të Kosovës’. Për nji kohë të shkurtër e trembën të gjithë popullin… Por prap se prapi ideja kombëtare arbnore ka qenë ma e fortë se ç’do gja tjetër… Shumë qytete dhe fshatra dhanë prova të gjalla se sa thellë është rrënjosur në zemrën dhe gjakun e popullit të Kosovës ideja ‘Shqiptarëzëm’. Në Prizren kandidati i qeveris Naibi mori vetëm 240 vota, kurse kandidati i popullit Hoxha Abdullahu 1040. Nuk duhet harruar se njej numrit të math prej zgjedhasvet iu ndalua votimi me pretekst se nuk kanë qenë të shënuar në regjistrat. Në Gjakovë, Asim Luzha, kandidati kundërshtar i bejlervet dysh i gjysmoj votat… Në Pejë gjithashtu, Xhevat Beu, kandidati kundërshtar i xhaxhait të tij trathtor Sejfedin Beut, gjysmoj votat, megjithë se kundra ka pasur tërë policinë… Në qarkun e Prizrenit partija e popullit mori ma tepër se 11.000 vota, ajo e qeveris mori 14.000. Ky rezultat nuk është ekspresion i dëshirës së popullit, por konsekuenca e vjedhjeve dhe e fallsifikimevet…”.

Për sa më sipër, shihet se popullsia shqiptare myslimane në Kosovë dhe në Trevat Lindore, me të madhe e kishte votuar listën shqiptare, që pa dyshim se rol të rëndësishëm luajtën ulematë shqiptarë, paria e vendit dhe natyrisht rinia studentore shqiptare, e cila në një farë mënyre përfaqësonte politikën e Shtetit Shqiptar. Ndërkohë, listës së Dragës iu bashkëngjit anëtari i listës së Ataullah Hoxhës, Havzi Kapetanoviq, dhe dy anëtarë nga lista e Haxhiamziqit: Ramush Osmani nga Gjilani dhe deputeti Mustafa Dërguti nga Rahoveci, me çka në listën e Ferhat Dragës u rreshtuan 14 nga gjithsej 27 anëtarë sa numëronte Kuvendi Mearif i Shkupit. Në këtë mënyrë, grupi proqeveritar serbofil i humbi pozicionet drejtuese që i kishte mbajtur për dekada me radhë në këtë institucion të rëndësishëm jo vetëm fetar, por edhe kombëtar. Udhëheqja e re Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit solli ndryshime radikale, si në mënyrën e organizimit fetar-arsimor, ashtu edhe në menaxhimin e pasurisë së tundshme e të patundshme vakëfnore. Në krye të saj ishin veprimtarët, intelektualët dhe atdhetarët e shquar shqiptarë të asaj kohe: Ferhat bej Draga, Ibrahim Lutfiu, Kadri Saliu, Mulla Idriz Gjilani, Iljas Agushi, Mulla Nura, Hoxhë Banush Sedllari, myderrizi Abdullah Efendiu nga Prizreni, Asim efendi Luzha, Sherif efendi Langu, Sherif ef. Jahja, Ataullah efendi Kurtishi, Bedri efendi Hamidi, Azem efendi Latifi, Shaban efendi Jashari, Abdullah Musliu e shumë të tjerë.

Në kuadër të veprimtarisë së ulemave shqiptarë, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe pengimin e procesit të shpërnguljes për në Turqi, duhet përmendur edhe rolin dhe veprimtarinë e Hoxhë Ahmet Murteza Xhavollit, me origjinë nga Peja, i cili gjatë kohës së Perandorisë Osmane kishte qenë nëpunës i kadastrës në Gjakovë. Më vonë ai vendoset në Prizren, ndërsa në vitin 1935, për shkak të presionit politik nga ana e organeve shtetërore jugosllave, detyrohet të migrojë në Tiranë. Ai konsiderohej si krahu i djathtë i Qerim Begollit dhe Jahja Efendi Prizrenit. Në vitin 1937, Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar e emëroi atë myfti të Kukësit, me detyrë speciale që të vendosë kontakte me hoxhallarët dhe parinë nacionaliste shqiptare të Kosovës. Në fakt, emërimi i tij për myfti të Kukësit erdhi me propozim të ministrit të Jashtëm, Ekrem bej Libohova, i cili përmes një letre drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërkonte që Hoxhë Xhavolli, të emërohej myfti i Prefekturës së Kukësit, ndërsa myftiu aktual të transferohej në një vend tjetër. Një propozim i tillë, sipas Libohovës, ishte i imponuar për arsye se Xhavolli “një herë ka ikur nga Jugosllavia si emigrant”, prandaj, sipas tij, kthimi në Kosovë “do të mundet të gjejë pengime nga ana e autoriteteve jugosllave”. Gjithnjë sipas vlerësimit të Libohovës, në cilësinë e myftiut, “Hoxhë Ahmet Murteza Xhavolli do të mundet të kryejë një shërbim mjaft të dobishëm në favorë të çështjes kosovare, duke lidhur kontakte me elementet shqiptare tej kufinit që munt t’i vinë lehtazi në Kukës. Nga ana tjetër, vazhdon Libohova, Hoxhës në fjalë munt t’i lëshohet një pasaportë e rregullshme për të vajtur dy-tri muaj në vjet, kinse për t’u takuar me njerëzit e tij, në Kosovë, dhe atje të bëjë propagandën e nevojshme dhe shërbimin që eventualisht do t’i ngarkohet nga Qeveria Mbretërore”.

Në përmbyllje të këtij shkrimi, kushtuar rolit të trupit diplomatik të Mbretërisë Shqiptare dhe ulemave shqiptarë në ruajtjen e identitetit shqiptar në Kosovë dhe në Trevat Lindore gjatë viteve tridhjeta të shekullit të kaluar duhet përmendur fushatën e kombëtare të ulemave shqiptarë të Shkupit në krye me Sait Idriz Hoxhën, që e filluan në vjeshtë të vitit 1938, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, e cila pati për qëllim pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga vatrat e tyre për në Turqi. Kjo fushatë u përcoll me vëmendje të veçantë nga konsulli shqiptar, Seremet Xhaxhuli, i cili me 8 nëntor 1938 i shkroi ministrit të Jashtëm, Ekrem bej Libohovës për sa më poshtë vijon:

Kam nderin të sjell në dijeni të Shkelqësis sUaj se, me rastin e muajit të Ramazanit, në Xhamit Jahja Pasha dhe Isa Bej të Shkupit, si dhe në disa xhami të tjera të retheve, disa imamë patriotë, të shtyrë prej Z. Seid Hoxha, janë duke i predikuar popullit në gjuhën shqipe. Thema e këtyre predikimeve janë mbi fen, moralin dhe atdhedashurinë, dhe në mënyrë indirekte porositet populli që të mos largohet nga vend-lindja e tij.

Duke përfituar nga ky rast, iu luta Z. Seid Hoxha që të dalë e të shëtisnjë viset e ndryshme të Kosovës dhe të shvillojë një propagandë kombëtare, nën hijen e çështjes fetare nëpërmjet të imamëve dhe hoxhallarëve tatyre vendeve. Z. e tij që është një nga patriotët e mirë pranoj këtë propozim e të nënshkruarit, duke më premtuar se do të bëjë ç’ka është e mundur për të kryer këtë mision, që e filloj qysh dje me vajtjen e tij në Tetovë.

Pranoni, Ju lutem Zoti Ministër, sigurimet e konsideratës s’eme më të larta”.

Exit mobile version