Ballina Autorë Opinione Roli i munguar i Shqipërisë në mbështetje të Kosovës

Roli i munguar i Shqipërisë në mbështetje të Kosovës

Çelo Hoxha

Shqipëria nuk e ndihmon dot Kosovën duke bashkëpunuar ngushtë me Serbinë, por duke bashkëpunuar me Kosovën. Shqipëria, nëse do të vepronte në përputhje me parashikimet e kushtetutës së saj, duhet ta hidhte tezën e reciprocitettit për pakicat mes Kosovës dhe Serbisë, të propozonte që Serbia t’u garantonte pakicave etnike vende në Kuvendin e saj, ashtu si Kosova.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (2008), një nga çështjet rajonale kryesore të saj ka qenë njohja e pavarësisë nga Serbia dhe vendosja e marrëdhënieve të ndërsjella mbi bazë reciprociteti në nivel shtetesh sovrane dhe fqinje.

Serbia, sigurisht, nuk ka dashur e nuk e do të njëjtën gjë. Ajo e ka të vështirë ta pranojë faktin që Kosova nuk është nën kontrollin e saj. Politikanët e lartë serbë betohen shpesh se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës dhe punojnë me këmbëngulje për frenimin e njohjeve të reja të pavarësisë së saj. Për rrjedhojë, disa shtete e kanë anuluar njohjen e pavarësisë së saj.

Lufta diplomatike e Serbisë është njëri front i saj, ndërsa fronti tjetër i saj është trazimi i politikës së brendshme e Kosovës. Serbia përpiqet ta ruajë ndikimin e saj në politikën e brendshme të Kosovës përmes pakicës serbe aty. Dhe, fuqitë perëndimore, fatkeqësisht, janë treguar tolerante ndaj Serbisë e arrogante ndaj Kosovës. Statusi i ekzagjeruar, që kërkojnë për minoritetin e serb të Kosovës është, mendoj unë, vija e kuqe. Ironia është se Serbia është një vend me më shumë pakica etnike sesa Kosova dhe nuk u garanton atyre ndonjë status preferencial, siç e gëzojnë, për shembull, një grusht serbësh në Kosovë. Serbët, 4% e popullsisë së Kosovës, zotërojnë pa garë fare 8.3% të mandatave në Kuvendin e Kosovës.

Në vlera relative, popullsia e Serbisë përbëhet nga 84. 3% serbë dhe 15.7% etni të tjera, ku kryesojnë hungarezët me 3.5% të popullsisë. Popullsia e Kosovës përbëhet nga 92% shqiptarë dhe 8% pakica.

Serbia ka pakica etnike 2 herë më shumë se Kosova. Në shifra absolute, gjendja e pakicave etnike në Serbi dhe Kosovë, bazuar në të dhënat e publikuara në Wikipedia, është si më poshtë: Serbia ka 1,110,049 banorë të identifikuar me përkatësi etnike joserbe. Prej tyre, 232,645 identifikohen si hungarezë, 139,587 si romë, 132.940 si boshnjakë dhe 598,230 persona identifikohen si pakica të tjera. Statistikat, për Kosovën, nga ky këndvështrim prezantojnë një popullsi më homogjene. Në Kosovë, numri i banorëve të identifikuar me përkatësi etnike joshqiptare është 156,216 persona, ndërsa numri i banorëve me përkatësi etnike serbe është 78,108 persona.

Në një krahasim të shifrave absolute për numrin e popullsive të përkatësive etnike, janë këto rezultate: Kosova ka popullsi pakicash etnike 7 herë më të vogël se popullsia e pakicave etnike në Serbi. Numri i popullsisë serbe në Kosovë është 3 herë më i vogël se numri i pakicës etnike më të madhe në Serbi (hungarezët) dhe 1.7 herë më i vogël se numri i pakicave me numrin e dytë dhe të tretë më të madh (përkatësisht romët dhe boshnjakët).

Si përfundim, Serbia, e cila ka një popullsi pakicash etnike dallueshëm më të lartë sesa Kosova, kërkon për pakicën serbe në Kosovë një komunitet tejet i vogël krahasuar me pakicat në Serbi, një status që vetë Serbia nuk ua ka ofruar pakicave etnike në territorin e saj. Popullsia e pakicës etnike serbe në Kosovë është thuajse identike në numër me popullsinë e pakicës shqiptare në Serbi, të cilët e kanë lënë jashtë diskutimit. Kosova dhe Serbia nuk duhet ta diskutojnë gjendjen e minoriteteve në Kosovë, por gjendjen e minoriteteve respektive. Kosova duhet të kërkonte për banorët e Luginës pikërisht atë çfarë Serbia e kërkon për serbët.

Kosova është shteti më zemërgjerë në rajon sa i përket akomodimit kushtetues të pakicave etnike. Pakicat etnike e gëzojnë të drejtën kushteuese të përfaqësimit të garantuar në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Kjo pjesëmarrje bujare, e garantuar nga neni 64, pika 2/1 dhe 2/2, i Kushtetutës së Kosovës, do të thotë që edhe nëse entitetet politike, që identifikohen si përfaqësues të pakicave etnike, nuk marrin asnjë votë në zgjedhje, pakicat etnike do të përfaqësohen në Kuvend me 20 mandate: 8% e popullsisë kanë të garantuar 16% të mandateve në Kuvend. Ndarja sipas etnive është: 10 vende për pakicën serbe, 4 për romët, 3 për boshnjakët, 2 për turqit, 1 për goranët. Këto privilegje nuk i gëzon asnjë pakicë etnike jashtë Kosovës. Dhe, për ironi, komuniteti ndërkombëtar i bën presion Kosovës që t’i zgjerojë privilegjet për pakicën mikroskopike serbe të saj.

Kosova, në këtë luftë të pabalancuar dhe të padrejtë, nuk e ka kundër vetëm Serbinë dhe komunitetin ndërkombëtar, por ajo e ka kundër edhe Shqipërinë, së cilës politikanët e Kosovës i referohen me afeksion si “shteti amë”. Shqipëria nuk mund ta llogarisë veten me komunitetin ndërkombëtar. Ajo duhet të veprojë në respekt të kushtetutës së saj, neni 8, pika 1: “Republika e Shqipërisë i mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” Ndërkaq qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ndihmon, por nuk rri as asnjanëse. Ajo vepron krejtësisht në dëm të interesave të “shqiptarëve jashtë kufijve të saj”. Ideja e krijimit të një zone ekonomike të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut jo vetëm që s’duhej të ishte hedhur nga Tirana, por as duhej menduar fare. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar para nja dy vjetësh, në një intervistë me gazetaren Ilva Tare për “Euronews Albania”, se ai ka qenë iniciatori i idesë për krijimin e zonës së Shengenit të Vogël, të cilin e emërtuan “Ballkanit i Hapur”. Ja deklarata e plotë e tij: “Minishengeni është ideja që e kam shtyrë unë i pari dhe kam dëshmitar për këtë. Që kur jemi mbledhur në Berlin herën e parë, kam thënë që… madje që të jemi të saktë, shengeni rajonal, shengeni ballkanik.. i pari fare që e ka artikuluar ka qenë Fatos Nano… në një kohë që ishte komplet diçka që dukej një çmenduri, është një ide që i ka ardhur koha, unë e kam rifutur në agjendë, sepse u krijuan kushtet, nuk e kanë pranuar asnjëri, as Vuçiqi në fillim, sepse shengeni rajonal do të thotë heqje e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po sa ta marrin vesh ata në Kosovë, do kenë kaluar vite të tjera dhe do ketë humbur kohë Kosova.”

Mjafton kjo deklaratë për të kuptuar se Ballkani i Hapur ishte i dëmshëm për Kosovën dhe për Shqipërinë. Edhe nëse arsyetojmë me qasjen e Ramës, se Ballkani i Hapur e heq kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe, për rrjedhojë, realizon bashkimin e të shteteve, përfundimet nuk janë optimiste. Me Ballkanin e Hapur hiqen dhe kufijtë e Kosovës me Serbinë, pra Kosova bashkohet me Serbinë, ndërsa Shqipëria bashkohet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa të gjitha bashkë bashkohen me Serbinë. Në këtë realitet, i cili ka mbetur imagjinar për shkak të refuzimit të Kosovës, Kosova nuk do të kishte kufij sovranë dhe, duke humbur rëndësinë e kufijve sovranë, ajo do të kthehej në statusin e kushtetutës jugosllave të 1974-tës – një territor administrativ brenda një territori më të madh të kontrolluar nga politika e Beogradit.

Ballkani i Hapur, që do të thotë Shqipëri + Serbi + Maqedoni e Veriut + Mal i Zi + Kosovë + Bosnjë dhe Hercegovinë. Duke bërë disa kombinime, Ballkani i Hapur do të thotë Jugosllavi + Shqipëri.

Kjo iniciativë është provuar më herët, por falë prishjes së Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, dështoi. Më 1946, Shqipëria dhe Jugosllavia firmosën një marrëveshje ekonomike, që parashikonte pak a shumë ato që parashikon Ballkani i Hapur: heqje të barrierave ekonomike, koordinim të planeve ekonomike dhe njehsim të monedhave. Në thelb, këto ishin politika për krijimin e një zone ekonomike të vetme, ashtu si Ballkani i Hapur. Edhe kryeministri shqiptar më 1946, si kryeministri shqiptar sot, në Plenumin e Jashtëzakonshëm të KQ të PKSH-së, 18-20 dhjetor 1946, e shpalli si sukses të vetin firmosjen e Konventës Ekonomike me Jugosllavinë, e cila, sipas tij, ishte rrjedhojë e një akordi për ndihmë të përbashkët që ai e nënshkroi gjatë vizitës së tij në Beograd, në korrik të atij viti.

Komuniteti ndërkombëtar, sidomos ai rajonal, e interpretoi ndryshe përpjekjen për krijimin e një zone të lirë ekonomike mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Qyshkur Shqipëria dhe Jugosllavia e nënshkruan Traktatin e Miqësisë më 1 korrik 1946, vendet fqinje deklaruan se Shqipëria jo vetëm që po futej nën influencën jugosllave, por dhe se po shkonte drejt bashkimit me Jugosllavinë. Gazeta turke “Vakit”, më 5 qershor 1946, ende pa u nënshkruar traktati, shkroi se Jugosllavia po ndiqte politikën e Musolinit, i cili kërkonte ta zotëronte detin Adriatik e kështu gjithë detin Mesdhe. Disa gazeta italiane kishin këta tituj: “Jugosllavia ka kapërdirë Shqipërinë”, “Titoja do të dominojë në Ballkan, Shqipëria është zhdukur si shtet kombëtar”, “Shqipëria në gjirin e federatës jugosllave”. Ministri i Jashtëm i Italisë, De Gasperi, deklaroi në parlamentin italian se pavarësia e plotë e Shqipërisë ishte kusht për përmirësimin e marrëdhënieve të Italisë me Jugosllavinë. Greqia e shikonte traktatin si provokim ndaj saj. Gazeta bullgare “Izgrev”, duke përshkruar vizitën e Enver Hoxhës në Jugosllavi, shkroi se gjendeshin përpara bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.

Shqipëria nuk ka nevojë për zonë të lirë ekonomike me Serbinë, me të cilën nuk ka kufi të përbashkët. Shqipëria e ka detin dhe mund të bëjë tregti në çdo cep të botës, kurse Serbia nuk e ka. Andaj Shqipëria fare mirë mund ta pengonte daljen e Serbisë në Adriatik përmes territorit shqiptar. Kryeministri shqiptar pretendon se Ballkani i Hapur e heq kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por në realitet e ktheu atë në formë tjetër. Heqja e kufijve mes dy vendeve nga Ballkani i Hapur është ide, ndërsa vendosja e taksës në Rrugën e Kombit është realitet. Logjika është e thjeshtë: taksat për duhanin vendosen për të frenuar pirjen e tij, ndërsa taksa në Rrugën e Kombit është vendosur për të frenuar bashkimin Kosovë-Shqipëri.

Shqipëria nuk e ndihmon dot Kosovën duke bashkëpunuar ngushtë me Serbinë, por duke bashkëpunuar me Kosovën. Shqipëria, nëse do të vepronte në përputhje me parashikimet e kushtetutës së saj, duhet të hidhte tezën e reciprocitetit për pakicat mes Kosovës dhe Serbisë, të propozonte që Serbia t’u garantonte pakicave etnike vende në Kuvendin e saj, ashtu si Kosova. Ajo duhet të kërkonte që statusi etnik i serbëve në Kosovë të ishte identik me statusin e shqiptarëve në Serbi. Shqipëria mund t’i nxiste vendet që kanë pakica etnike në Serbi që të kërkonin për ta të njëjtin status që kërkon Serbia për pakicën serbe në Kosovë etj. Shqipëria mund të hidhte plot ide të tjera, të cilat do të ishin presion ndaj Serbisë. Nga ana tjetër, ajo do ta hiqte presionin që tashmë është drejtuar mbi Kosovën nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. /revistashenja

Exit mobile version