Rohingyat në Bangladesh pa tokë për varreza

Një grup për të drejtat e popullit Rohingya ka kërkuar nga Zyra e komisionerit të refugjatëve në Bangladesh të ndajë një tokë për të varrosur trupat e të ndjerëve Rohingya, pasi në 32 kampet e mbushura me njerëz asnjë tokë nuk është e caktuar zyrtarisht për varrosjen e tyre ndërkohë që raportohet se në disa raste në një varr janë varrosur më shumë se një trup, raporton Anadolu Agency (AA).

Aplikimi zyrtar, i paraqitur më 14 qershor nga “Shoqata Arakan-Rohingya për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut” (ARSPH), u ankua se pas dy vitesh të bllokuar pranë qytetit juglindor Cox’s Bazar në Bangladesh, refugjatët Rohingya nuk kanë hapësira për varreza.

“Populli vendas shqetësohet se njerëzit e tyre nuk kanë hapësira të mjaftueshme për varreze në të ardhmen. Prandaj ata nuk lejojnë që refugjatët të varrosen në varrezat e tyre”, thuhet në kërkesën e shoqatës ARSPH, të siguruar nga AA.

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012 në Mianmar, vendin fqinj të Bangladeshit.

Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë.

Vendasit kërkojnë para

Për një varr në varrezat konvencionale që kushton nga 3 mijë deri në 15 mijë taka (35-176 dollarë), refugjatët tashmë të varfër nuk arrijnë të sigurojnë një hapësirë për të varrosur të ndjerët e tyre.

Shoqata ARSPH shprehu mirënjohje për mikpritjen e nikoqirëve, gjegjësisht popullit të Bangladeshit, megjithatë u ankua për vështirësitë që kjo mungesë u shkakton refugjatëve.

“Është e drejta e tyre të ruajnë hapësirat për banorët e tyre. Por barra më e madhe dhe e vështirë u mbetet refugjatëve Rohingya”, tha ARSPH, duke kërkuar nga autoritetet që të ndajnë një varrezë specifike për të gjitha 32 kampet Rohingya që “të zgjidhet” urgjentisht kjo çështje.

“Ne kemi nevojë për varreza për secilin kamp. Nuk mund të krijojmë mënyra të tjera për të varrosur kufomat e njerëzve të vdekur. Ju lutemi, pranoni kërkesën tonë dhe menaxhoni varrezat sa më shpejtë të jetë e mundur”, shtoi shoqata.

Sipas vlerësimeve të përafërta nga ARSPH, që nga eksodi masiv i popullit Rohingya nga Mianmari në Bangladesh në muajin gusht të vitit 2017, rreth 17.480 Rohingya kanë vdekur në kampet në të cilat strehohen mbi 1.2 milionë refugjatë.

Zyrtarët kanë pranuar kërkesën, vendimi në pritje

Komisioneri për Refugjatë, Ndihmë dhe Riatdhesim në Bangladesh, Mahbub Alam Talukder për AA tha se zyrtarët kanë pranuar kërkesën, por se vendimi është në pritje.

“Ata (Rohingya) kanë nevojë për shumë gjëra dhe kërkojnë shumë gjëra, por ne duhet të marrim masa në bazë të aftësive tona dhe situatës ekzistuese”, tha Talukder.

Ai shtoi se refugjatët Rohingya ende po varrosin trupat e të ndjerëve në hapësira të caktuara në çdo kamp, duke shtuar se “zyrtarët e shqetësuar po ndjekin këtë”.

Megjithatë, refugjatët thonë se u duhet hapësirë e mjaftueshme e dedikuar për çdo kamp si varrezë.

“Të paktën ne kemi nevojë të varrosim njerëzit tanë në një vend të posaçëm, në mënyrë që të mund t’i vizitojmë varret e të ndjerëve tanë dhe të lutemi për shpirtrat e larguar”, tha Abdul Karim për AA, një refugjatë në kampin më të madh Kutupalang.

Siç theksoi ai, është e drejta e tyre themelore si qenie njerëzore të varrosen në një hapësirë specifike që pasardhësit të mbajnë zi për to.